Gripi sezonal është një nga infeksionet virale më të zakonshme që shfaqen gjatë dimrit dhe përbën një problem të madh shëndetësor, veçanërisht te popullata pediatrike. Dr. Olivera Gruevska, specialiste në pediatri, thekson se një nga aspektet më të rëndësishme të praktikës së saj është informimi i prindërve dhe kolegëve për aspektet e ndryshme të gripit sezonal, si dhe për mënyrat e përballimit me të. Ajo shton se, përmes parandalimit dhe trajtimit të drejtë, mund të minimizohet ndikimi i këtij infeksioni.
ÇFARË ËSHTË GRIPI SEZONAL?
Gripi sezonal është një infeksion respirator viral që shkaktohet nga viruset e grupit Influenza A dhe B, të cilët zakonisht qarkullojnë gjatë dimrit dhe pranverës.
“Virusi i gripit transmetohet përmes pikave nga hunda dhe fyti i personave të infektuar gjatë teshtitjes ose kollitjes, si dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me sipërfaqe të kontaminuara. Periudha e inkubacionit zgjat 1–3 ditë. Gripi është shumë infektues dhe përhapet shpejt, veçanërisht te fëmijët, të cilët shpesh nuk praktikojnë higjienën e rekomanduar dhe mund të jenë përhapës aktivë të infeksionit”, shpjegon Dr. Gruevska
SI MANIFESTOHET GRIPI TEK FËMIJËT?
- Temperaturë: Një nga simptomat kryesore është temperatura e lartë, e cila mund të arrijë nga 38 deri në 40°C dhe zakonisht fillon papritur, e shoqëruar me ethe.
- Dhimbje koke dhe dhimbje në trup: Fëmijët shpesh ankohen për dhimbje të forta në muskuj dhe kyçe, si dhe dhimbje në zonën e ballit dhe regjionin temporal, gjë që e bën sëmundjen shumë të pakëndshme.
- Kollë dhe dhimbje në fyt: Kolla e thatë dhe irrituese është një simptomë e shpeshtë dhe shpesh shoqërohet me dhimbje në fyt.
- Lodhje dhe dobësi: Fëmijët mund të ndihen shumë të lodhur dhe të mos kenë energji për aktivitetet e përditshme.
- Bllokim i hundës dhe sekrecione nazale.
- Të vjella dhe diarre: Te disa fëmijë, gripi mund të shoqërohet edhe me simptoma gastrointestinale, si të vjella dhe diarre.
*Tek të sapolindurit dhe foshnjat, simptomat mund të jenë jo specifike dhe të ngjashme me ato të infeksioneve të tjera sistemike. Simptomat zakonisht shfaqen papritur dhe zgjasin nga 3 deri në 7 ditë. Megjithatë, te disa fëmijë ato mund të jenë më të rënda dhe të çojnë në komplikime.

SI VENDOSET DIAGNOZA?
Diagnostikimi i gripit sezonal te fëmijët, gjatë periudhës epidemike, më së shpeshti vendoset në mënyrë klinike dhe në bazë të të dhënave anamnestike. Dr. Gruevska thekson se është shumë e rëndësishme të dallohet gripi nga infeksionet e tjera respiratore.
“Në analizat laboratorike më së shpeshti vërehet leukopeni me pasqyrë diferenciale normale ose me predominim limfocitar. Shpeshherë është i ulur edhe numri i trombociteve, ndërsa markerët inflamatorë (SE, CRP) zakonisht janë brenda vlerave normale. Pasqyra e gjakut dhe CRP nuk janë të domosdoshme, pra nuk ka nevojë për kontrollime të shpeshta te fëmijët me grip të konfirmuar klinikisht. Në rast të një diagnoze të paqartë ose të simptomave më të rënda, mund të shfrytëzohen testet virale, si PCR ose testet e shpejta të antigjenit për grip”, shpjegon Dr. Gruevska.
PARANDALIMI ËSHTË I RËNDËSISHËM NË ULJEN E NUMRIT TË RASTEVE TË GRIPIT SEZONAL TE FËMIJËT
Masa më e rëndësishme parandaluese është vaksinimi. Vaksina kundër gripit është e sigurt dhe efikase, veçanërisht te fëmijët nën moshën 5 vjeç dhe rekomandohet për fëmijët mbi moshën 6 muaj. Vaksinimi ndihmon në uljen e rrezikut për komplikime serioze të gripit.
Sipas Dr. Gruevska, prindërit duhet të jenë të informuar për rëndësinë e vaksinimit. Ajo thekson se vaksina nuk siguron mbrojtje 100%, por mund të ndikojë ndjeshëm në zbutjen e simptomave dhe në rrjedhën më të lehtë të sëmundjes.
“Është e nevojshme që fëmijët të vaksinohen çdo vit, nga muaji shtator deri në fund të tetorit. Për fat të keq, në vendin tonë përqindja e vaksinimit të fëmijëve kundër gripit sezonal është shumë e ulët. Ky është një problem për të cilin duhet të angazhohemi të gjithë, me qëllim rritjen e vetëdijes për vaksinimin, veçanërisht te fëmijët me sëmundje kronike, si astma, diabeti, sëmundjet kardiake, renale, hepatike, neurologjike dhe sëmundje të tjera”, thotë Dr. Gruevska.
Në mënyrë shtesë, doktoresha thekson se duhet të zbatohen masa themelore të higjienës, si larja e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë, veçanërisht pas kollitjes apo teshtitjes. Po ashtu, është e rëndësishme të mbulohen goja dhe hunda gjatë kollitjes ose teshtitjes, me shami njëpërdorimshe ose me bërryl, si dhe të pastrohen rregullisht sipërfaqet e shpeshta të kontaktit, si bankat, butonat e ashensorëve, lodrat dhe dorezat e dyerve.
Dr. Gruevska jep këshillë që fëmijët të inkurajohen të mbajnë maska në hapësirat e mbyllura dhe në vendet ku ka grumbullime të mëdha fëmijësh, veçanërisht gjatë periudhave me qarkullim të lartë të virusit.
TRAJTIMI I GRIPIT SEZONAL TE FËMIJËT
Trajtimi i gripit sezonal te fëmijët përfshin kryesisht terapi simptomatike. Dr. Gruevska thekson se për uljen e temperaturës dhe zbutjen e dhimbjeve përdoren paracetamoli ose ibuprofeni, por nuk duhet të përdoret acidi acetilsalicilik (aspirina) te fëmijët, për shkak të rrezikut nga sindroma Reye. Gjithashtu, ajo paralajmëron që të mos teprohet me përdorimin e antipiretikëve. Ajo shton se hidratimi, pra marrja e mjaftueshme e lëngjeve, është shumë i rëndësishëm për parandalimin e dehidratimit, veçanërisht nëse fëmija ka të vjella ose diarre. Po ashtu, rekomandohet konsumimi i ushqimeve të pasura me vitamina.
Fëmijët duhet të pushojnë derisa të fillojnë të ndihen më mirë, të mos vishen trashë dhe, në rast temperature të lartë, mund të ndihmojnë edhe larjet me ujë të vakët.
“Barnat antivirale, si oseltamiviri (Tamiflu), mund të përdoren te fëmijët, ndërsa është më efektive që trajtimi të fillojë brenda 48 orëve nga shfaqja e simptomave. Këto barna mund të ulin kohëzgjatjen e sëmundjes dhe të parandalojnë format e rënda të infeksionit. Ato nuk janë të indikuara në të gjitha rastet, ndërsa terapia bazë mbetet gjithmonë simptomatike”, thotë ajo.
Dr. Gruevska thekson se antibiotikët nuk kanë efekt ndaj viruseve. Pavarësisht nëse një fëmijë me grip merr antibiotik apo jo, temperatura do të vazhdojë të jetë e pranishme.
“Antibiotikët përdoren vetëm në rast se shfaqet ndonjë komplikim, më së shpeshti si pasojë e një superinfeksioni bakterial sekondar, i cili konfirmohet në bazë të parametrave të caktuar klinikë dhe laboratorikë”, shpjegon ajo.
Në disa raste ekziston rreziku për zhvillimin e komplikimeve. Ato mund të jenë: primare, si rezultat i veprimit të drejtpërdrejtë të virusit dhe sekondare, si pasojë e infektimit bakterial, për shembull: otiti, sinuziti, pneumonia, encefaliti, mioziti etj.
Në disa raste, ekziston rrezik për zhvillimin e komplikimeve, primare që është rezultat i veprimit të drejtëpërdrejt të virusit ose sekondare si rezultat i infektimit sekondar bakterial si: otiti, sinuziti, pneumonia, encefaliti, mioziti etj.
SINJALET PARALAJMËRUESE QË TREGON SE DUHET KËRKUAR NDIHMË MJEKËSORE
- Vështirësi në frymëmarrje ose frymëmarrje e shkurtër
- Të vjella të vazhdueshme ose pamundësi për të marrë lëngje dhe ushqim; jashtëqitje të lëngshme të shpeshta dhe të këqija
- Temperaturë e lartë që vazhdon dhe nuk ulet me ilaçe
- Përkeqësim i shpejtë i gjendjes shëndetësore
- Fëmija është më pak aktiv, i dobët, qëndron vazhdimisht shtrirë, nuk mund të qëndrojë dhe të ecë vetë
- Te të porsalindurit dhe fëmijët me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese (komorbiditete), duhet të jepet kujdes i veçantë

