Nga pikëpamja statistikore, foshnjat qajnë më së shumti gjatë 3–4 muajve të parë të jetës, ndërsa kohëzgjatja mesatare e të qarit është 2–3 orë në ditë, natyrisht me dallime individuale. Gjatë ditës, foshnja mund të qajë disa herë, për periudha prej 5 deri në 10 minutash, por mund të ketë edhe episode të të qarit intensiv që zgjasin më shumë se 2 orë. Ndër shkaqet më të shpeshta janë kolikat e barkut, të njohura edhe si kolika infantile (ngërçe), të cilat përbëjnë një nga arsyet më të zakonshme për vizitë në ordinancën pediatrike gjatë muajve të parë të jetës.
Dr. Simonida Spasevska, specialiste e pediatrisë, shpjegon se kolikat e barkut (ngërçet) zakonisht shfaqen pas javës së dytë të jetës dhe zgjasin deri në muajin e tretë, ndërsa janë më të shpeshta gjatë orëve të pasdites. Ato shoqërohen me të qara të forta dhe të pandalshme, ngërçe të trupit dhe tërheqje të këmbëve drejt barkut, ndërsa mund të zgjasin me orë të tëra.
Episode të tilla mund të shoqërohen edhe me kërkesë të vazhdueshme për t’u ushqyer, por ushqyerja e shpeshtë mund t’i përkeqësojë edhe më shumë simptomat. Foshnja mund të tejngopet, të nxjerrë qumështin ose të vjellë, ndërsa prania e vazhdueshme e ushqimit në zorrë mund të shtojë grumbullimin e gazrave dhe ta përkeqësojë më tej gjendjen.
Sipas të dhënave statistikore, 21–26% e foshnjave përjetojnë kolika gjatë muajve të parë të jetës. Nuk vërehet ndonjë dallim në shpeshtësinë e shfaqjes së tyre mes vajzave dhe djemve.
Etiologjia e kolikave ende nuk është sqaruar plotësisht. Pas përjashtimit të disa gjendjeve organike që prekin sistemin tretës, si refluksi gastroezofageal, anomalitë e zorrëve, alergjia ndaj proteinave të qumështit të lopës, intoleranca ndaj laktozës e të tjera, si shkaqe të mundshme konsiderohen mbindjeshmëria e traktit gastrointestinal, papjekuria neurologjike dhe teknikat jo të duhura të gjidhënies ose të ushqyerjes, të cilat mund të shkaktojnë gëlltitje të ajrit.
“Gjatë episodeve të tilla të të qarit të fortë dhe shqetësimit, më e rëndësishmja është që prindërit të qëndrojnë të qetë dhe të kenë parasysh se foshnja e tyre është e shëndetshme dhe se kolikat janë të përkohshme. Metodat fizike të qetësimit, si masazhi, kompresat e ngrohta, ushqyerja e duhur, vendosja e foshnjës me bark poshtë ose mbi kraharorin e prindit, mund të kenë efekt qetësues. Përveç kësaj, në treg gjenden preparate të ndryshme në formë pikash, të cilat mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave”, këshillon Dr. Spasevska.


