Pothuajse çdo i pesti person ka manifestuar urtikarie të paktën një herë gjatë jetës. Ajo është më e shpeshtë te fëmijët e vegjël deri në moshën 5-vjeçare. Te femrat shfaqet dy herë më shpesh në krahasim me meshkujt. Në nivel global, çdo vit shfaqet te më shumë se 160 milionë njerëz.
Të dhënat e para për urtikarinë datojnë që nga koha e Hipokratit (460–377 p.e.s.), ndërsa fjala “urtikarie“ është përdorur për herë të parë në vitin 1796 nga William Cullen, i cili konsiderohet një nga themeluesit e dermatologjisë moderne. Përparimi kryesor në diagnostikimin dhe trajtimin e urtikarieve është arritur gjatë dekadave të fundit.
Çfarë duhet të dini për urtikarinë
Prim. Dr. Emilia Manasievski, specialiste në pediatri, shpjegon se urtikaria është një gjendje kalimtare e lëkurës, e cila karakterizohet me skuqje sipërfaqësore, ënjtje dhe skuqje të mirëpërcaktuar në formën e njollave rrethore ose unazave me forma dhe madhësi të ndryshme, e njohur në popull si puçrra të hithrave, dhe gjithmonë shoqërohet me kruajtje intensive.
Shpesh, urtikaria shoqërohet edhe me ënjtje më të thellë të lëkurës, përkatësisht angioedemë, e cila më së shpeshti manifestohet me ënjtje të buzëve, syve, shuplakave, shputave etj. Urtikaria mund të shfaqet lokalisht, në një pjesë të caktuar të trupit, ose të jetë e gjeneralizuar në të gjithë trupin.
Në shumicën e rasteve, simptomat janë vetëkufizuese dhe mund të zhduken brenda disa orësh deri në 24 orë nga shfaqja e tyre. Kur urtikaria shfaqet për një periudhë më të shkurtër se 6 muaj, bëhet fjalë për urtikarie akute. Te 40% e pacientëve, këto simptoma shfaqen në mënyrë të përsëritur dhe zgjasin më shumë se 6 muaj, duke u klasifikuar si urtikarie kronike.
Te një pjesë e madhe e pacientëve, simptomat shfaqen çdo ditë dhe mund të zgjasin me muaj ose vite, duke u shfaqur në mënyrë spontane ose duke u nxitur nga faktorë të caktuar shkaktarë.
Urtikaria shfaqet si rezultat i aktivizimit të mastociteve në lëkurë nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm: infeksione akute virale ose bakteriale, reaksione alergjike të ndërmjetësuara nga IgE ndaj ushqimeve, barnave, poleneve, pickimeve të insekteve, stresit, ekspozimit ndaj të ftohtit, nxehtësisë etj. Megjithatë, shpesh shfaqet edhe pa një shkak të përcaktuar qartë.
Urtikaria nuk është sëmundje ngjitëse dhe nuk transmetohet nga një person te tjetri.
Si të parandalohet?
Te format kronike të urtikarieve, parandalimi konsiston në shmangien e faktorëve nxitës të njohur: të ftohtit, nxehtësisë, alergjenëve ushqimorë, alergjenëve të polenit, barnave, stresit etj.
Terapia
Dr. Manasievski thekson se hidratimi i mirë është i një rëndësie të madhe.
„Antihistaminikët H1 janë linja e parë e trajtimit dhe në shumicën e rasteve janë plotësisht të mjaftueshëm për arritjen e një përgjigjeje adekuate dhe zhdukjen e simptomave. Kortikosteroidet rezervohen për format më rezistente dhe më të rënda të urtikarieve. Adrenalina përdoret jashtëzakonisht rrallë, në rastet kur urtikaria shoqërohet edhe me anafilaksi, e cila përfaqëson një reaksion kërcënues për jetën“, shpjegon Dr. Emilia Manasievski.
Në dekadat e fundit është shënuar përparim i konsiderueshëm në trajtimin e urtikarieve, me futjen e terapisë biologjike.

