CILAT SHENJA TREGOJNË NEVOJËN PËR NDIHMËN PROFESIONALE TË DEFEKTOLOGUT

Shpeshherë fëmijët përgjatë zhvillimit të tyre shfaqin shenja që nuk përkojnë me zhvillimin normal të moshës së tyre, dhe këto shenja rrisin shqetësimin e prindërve dhe familjes se diçka nuk shkon mirë me fëmijën e tyre. Defektologu Boletin Zenuni, thotë se duke nisur nga përvoja e tij nga shenjat kryesore që janë më të dukshme dhe që alarmojnë prindërit dhe nxisin ata të kërkojnë ndihmë profesionale zakonisht është mungesa apo zhvillimi i dobët i të folurit si dhe mos arritja e vendosjes së një komunikimi të mirëfilltë prind-fëmijë.


“Ndër shenja tjera vlen të ceken edhe çrregullimet emocionale, respektivisht përzierja e reagimeve ndaj situatave të caktuara në të cilat gjendet fëmija. Pastaj vijnë shenjat që janë në listën e indikatorëve se fëmija mund të jetë pjesë e spektrit të autizmit, fenotipet që janë të dukshme nëse fëmija është i diagnostikuar me ndonjë sindromë të caktuar, ADHD-ja apo hiperaktiviteti dhe mungesa e vëmendjes. Disa shenja mundë të shfaqen vetëm pasi që fëmija të ketë filluar jetën shkollore siç janë vështirësitë në të mësuar ku në to llogariten Disleksia ( problemet me të lexuarit ), Disgrafia ( problemet me të shkruarit), Diskalkulia ( problemet me llogaritjet dhe numrat ) etj.”, thotë Zenuni.


Nëse vetëm një shenjë paraqitet gjatë zhvillimit të fëmijës është tregues i bollshëm se fëmija duhet të konsultojë një defektolog si dhe ta fillojë trajtimin e duhur që do ta ndihmojë tejkalimin e këtyre sfidave dhe vështirësive.


KUR ËSHTË KOHA E DUHUR PËR TA KËRKUAR NDIHMËN E DEFEKTOLOGUT


Çdo familje, më saktësisht secili prind është nuhatësi i parë i elementeve jo të zakonshme që shfaqë fëmija i tyre përgjatë zhvillimi të tij. Pra, nuk egziston një kohë e caktuar se kur kërkohet ndihmë profesionale nga defektologu ose nga ndonjë profil tjetër që lidhet ngushtë me zhvillimin e fëmijëve, por egziston diçka që quhet “Intervenim i hershëm” i cili na mundëson që problemi të identifikohet më herët dhe në këtë mënyrë të rritet përqindja e suksesit në tretmanin e më tutjeshëm. Nga kjo nënkuptojmë se sa më herët kërkojmë ndihmë profesionale, aq më shumë janë gjasat për zbutje apo tejkalim të tërësishëm të problemeve zhvillimore të fëmijës.


Edukatori special ose defektologu është profesionist i cili vëzhgon gjendjen jo të rregullt të fëmijës, gjendje kjo e cila vjen si pasojë e ndonjë çrregullimi zhvillimor nga e cila lindë nevoja për krijimin e strategjive për realizimin e tretmaneve që kanë për qëllim stimulimin e fushave kryesore zhvillimore siç janë :


• Fusha e kognicionit ( njohjes )
• Fusha e motorikës
• Të folurit
• Gjendja emocionale dhe
• Socializimi.


“Pra qëllimi kryesor i defektologut është që ta identifikojë fillimisht paaftësinë, t’i identifikojë anët e forta ose potencialin ekzistues të fëmijës, të krijojë rrugën dhe planin strategjik që duhet ta ndjekë fëmija, t’i zhvillojë këto potenciale që do të jenë mbulesë e paaftësive me ç’rast fëmija do të jetë i aftë për një jetesë normale pavarësisht pengesave që ka.”, thotë Zenuni.


SA SHPESH DUHET TË ZHVILLOHEN VIZITAT TE DEFEKTOLOGU


Pyetja që më së shpeshti parashtrohet nga ana e prindërve të fëmijëve me probleme zhvillimore është se sa shpesh duhet fëmija im të vizitojë defektologun si dhe për sa kohë fëmija im do të tejkalojë problemet që ka dhe t’i rikthehet normalitetit.
“Jo çdo fëmijë është i njejtë, jo çdo prind është i njejtë. Egziston një simbiozë e fortë në mes familjes dhe terapistit ose në këtë rast defektologut. Lidhja e mirëfilltë është kruciale për relizimin e objektivave që ne si profesionistë i vendosim në planprogramin që e krijojmë kur fillojmë tretmanin me një fëmijë. Fëmijët kalojnë një kohë të shkurtër ditore me terapistin, pjesën tjetër e kalojnë në shtëpi, andaj është e rëndësishme se si fëmija realizon detyrat gjatë kohës sa është në shtëpi, dhe sa është prezente familja në realizimin e këtyre detyrave”, thotë Zenuni.


Fëmijët dallojnë për nga problemet që kanë, për nga aftësitë që kanë, për nga plaprogramet e terapisë si dhe për nga faktorët që i cekëm më lartë, andaj edhe nuk është e njejtë sasa e tretmaneve dhe takimeve që duhet ti ndjekin dhe realizojnë me defektologun. Por një gjë është e sigurtë dhe e qartë, nëse fëmija nuk mer trajtim dhe tretman të duhur si dhe anashkalohen vështirësitë që ka, padyshim se ai do të jetë viktima që do e paguajë faturën e mos përkrahjes ndaj tij. Por sistematikisht nëse flasim, e nevojshme është që të fillohet prej në dy tretmane javore deri në tretman intenziv varësisht prej problemeve që shfaqë fëmija.


KËSHILLAT PËR PRINDËRIT, ROLI I PRINDËRVE…


Ndodhë që gjatë procesit të rehabilitimit dhe zhvillimit të trajtimeve dhe terapive, të krijohet debat dhe dilemë mes profesionistëve se kush ka rol më të rëndësishëm në tejkalimin e problemeve zhvillimore të fëmijëve : Prindërit apo terapistët ( defektologu ) ?!


Roli i prindërve është parësor, sepse ata janë komponenta kryesore pa të cilën nuk realizohen me sukses qëllimet dhe planet rehabilituese për fëmijën. Janë prindërit ata të parët që ndjekin hap pas hapi zhvillimin e fëmijës së tyre, identifikojnë problemet që shfaqin dhe e kuptojnë më së miri fëmijën e tyre. Menjëherë pas tyre vjen specialisti ose profesionisti i fushës me të cilën punohet, në këtë rast defektologu. Një nga sfidat që ballafaqohemi ne si profesionistë është mbajtja e raporteve me prindërit. Në të shumtën e rasteve kemi prindër bashkëpunues dhe procesi i rehabilitimit të fëmijës së tyre shkon sipas planeve të përcaktuara dhe është një nga momentet më të kënaqshme për ne si profesionistë, andaj dhe rezultatet janë dukshëm më në favor të fëmijës.


“Më së vështiri është kur kemi prindër jobashkëpunues, puna shkon më vështirë, rezultatet janë të mangëta, dhe me automatizëm prolongohet edhe ardhja e sukseseve me fëmijën e tyre. Mirëpo duhet pasur kujdes të veçantë në përzgjedhjen e vokabularit që përdorim me prindërit, sepse shumica prej tyre janë të ndjeshëm, lehtë thyhen sepse gjendja e fëmijës së tyre i ka sjellur ata në situatë dhe shkallë të tillë, andaj ne duhet të përkujdesemi që ata të ndjehen të lirë dhe të afërt që të mundemi të realizojmë ura të forta bashkëpunimi me qëllimin e vetëm përmisimin e gjendes së fëmijës së tyre”, shpjegon Zenuni.

Do japim disa këshilla të përgjithshme që i japim çdo prindi pa dallim se a ka fëmijë me ngecje në zhvillim apo nuk ka :

  1. Të jenë prezent sa më shumë në jetën e fëmijëve të tyre
  2. Të mos neglizhojnë nevojat e tyre
  3. Të mos nxitojnë në marrjen vendimeve dhe nxjerrjen e përfundimeve pa i kuptuar mire nevojat dhe problemet që mund të shfaqin fëmijët e tyre
  4. Ti lejojnë ata të rriten komfort dhe në përputhje me moshën e tyre
  5. Mos t’i pjekin mentalisht para kohe duke u ofruar stimuj artificialë qofshin ato nëpërmjet lojës apo nëpërmjet çfarëdolloj tjetër.
  6. Mos I krahasoni fëmijët me fëmijë tjerë, qoftë në familjen e ngushtë, qoftë në familjen e gjerë, as edhe me motrat dhe vëllezërit në shtëpi, sepse çdo fëmijë është “ histori në vete” dhe se çdo fëmijë është “ i veçantë ”.
  7. Mos insistoni që fëmija juaj të ju ngjajë juve, lejoni ata të krijojnë unin e tyre
  8. Nëse fëmija juaj ka mësuar diçka që juve ju pëlqen, mos insistoni që fëmija të tregojë atë që di sidomos para të tjerëve nëse ai nuk e ndjen të nevojshme.
  9. Mos e ndërpritni gjatë shprehjes, mos e plotësoni nëse nuk e gjen shprehjen adekuate, sidomos tek fëmijët që kanë problem me belbëzimin, sepse ndikoni negativisht në zbehjen e vetëbesimit.
  10. Dhe më e rëndësishmja, mos hezitoni të konsultoni profesionistë të fushave që përkojnë me zhvillimin psikofizik të fëmijës, defektologu është thjeshtë një njeri si ju që e implementon njohurinë e tijë në praktikë me qëllimin e vetëm ndihmën në tejkalimin e vështirësive psikofizike që shfaqin fëmijët si pasojë e ndonjë çrregullimi në zhvillim.

Spitali klinik “Acibadem Sistina” kompletoi ekipin e Qendrës për zbulimin dhe trajtimin e hershëm të fëmijëve me pengesa në zhvillim. Qendra disponon me të gjitha pajisjet e nevojshme për monitorimin e fëmijëve dhe trajtimin e tyre. Qendra është e dizajnuar dhe e pajisur në një ambient të këndshëm për fëmijët, me qëllim për ta reduktuar stresin dhe shqetësimin e fëmijës dhe shoqëruesve të tij gjatë qëndrimit në spital. Me qasjen multidisiplinare të mjekëve me përvojë bëhen vlerësimet e fëmijës, shqyrtimet e rezultateve të marra duke mundësuar monitorimin e vazhdueshëm të efekteve nga trajtimi.

Shpërndaj