Inflamacioni i zorrës qorre (apendiciti) është një nga gjendjet më urgjente dhe më të shpeshta abdominale në moshën pediatrike, që në shumicën e rasteve kërkon trajtim të menjëhershëm kirurgjikal. Prof. Dr. Risto Simeonov, specialist i kirurgjisë pediatrike, shpjegon se apendiciti shfaqet rrallë tek foshnjat, por incidenca e tij rritet gradualisht gjatë fëmijërisë, duke arritur kulmin midis moshës 15 dhe 25 vjeç, tek të dyja gjinitë.
Si zhvillohet inflamacioni i zorrës qorre?
Inflamacioni akut i zorrës qorre zakonisht shkaktohet nga bllokimi i pjesshëm ose i plotë i lumenit të saj. Shkaqet më të shpeshta janë prania e masave të fortësuara fekale (koproliteve) ose zmadhimi i indit limfatik si pasojë e një infeksioni.
Më rrallë, bllokimi mund të shkaktohet nga gëlltitja e trupave të huaj, bezoarët, ndryshimet malinje në apendiks, invaginacioni intestinal, trauma abdominale ose malformimet kongjenitale.
“Bllokimi shkakton rritjen e presionit në zorrën qorre, çrregullimin e qarkullimit venoz dhe limfatik, si dhe zhvillimin e procesit inflamator. Nëse gjendja përparon, mund të ndodhë dëmtimi i indeve, gangrena dhe perforimi (çarja) e zorrës qorre. Për shkak të rrezikut për komplikime serioze, apendiciti akut kërkon trajtim kirurgjikal në kohë”, shpjegon dr. Simeonov.
Përveç apendicitit akut, ekziston edhe apendiciti kronik, përkatësisht ai rekurent (i përsëritur). Bëhet fjalë për një gjendje të rrallë, e cila karakterizohet nga simptoma të përsëritura ose të zgjatura, shpesh me një pasqyrë klinike atipike, për shkak të së cilës diagnostikimi mund të jetë i vështirë. Sipas vlerësimeve, apendiciti kronik përbën rreth 1,5% të rasteve te pacientët me histori të mëparshme të apendicitit akut. Si një nga shkaqet e mundshme përmendet bllokimi i pjesshëm ose i herëpashershëm i lumenit të apendiksit.

Cilat janë simptomat më të shpeshta?
Zakonisht, inflamacioni i zorrës qorre fillon me dhimbje abdominale, e cila gjatë orëve të para është kryesisht difuze dhe shfaqet rreth kërthizës. Dhimbja mund të shoqërohet me të përziera, ndjenjë për të vjellë dhe humbje të oreksit.
Me përparimin e inflamacionit, dhimbja zakonisht zhvendoset nga zona rreth kërthizës në pjesën e poshtme të djathtë të barkut, përkatësisht në regjionin ileocekal. Ky migrim karakteristik i dhimbjes zakonisht mungon tek fëmijët nën moshën trevjeçare.
Simptoma të tjera të shpeshta janë:
- humbja e oreksit ose refuzimi i ushqimit, gjendje e pranishme në rreth 80% të pacientëve
- të përziera dhe të vjella
- ulja e lëvizshmërisë së zorrëve
- dhimbje dhe ndjeshmëri në bark
- tek fëmijët, simptomat nuk janë gjithmonë tipike, prandaj është veçanërisht e rëndësishme që gjendja e tyre shëndetësore të ndiqet me kujdes dhe të kërkohet ndihmë mjekësore në kohë.
Si vendoset diagnoza?
Diagnoza e apendicitit akut vendoset në bazë të disa kritereve dhe ekzaminimeve, të cilat përfshijnë:
- anamnezën për simptomat dhe ecurinë e tyre, të marrë nga fëmija ose prindërit
- ekzaminimin e detajuar klinik
- analizat laboratorike
- ekzaminimet diagnostikuese imazherike.
Kombinimi i këtyre ekzaminimeve i mundëson mjekut të vlerësojë gjendjen dhe të vendosë për trajtimin më të përshtatshëm.

Kur mund të ndodhë çarja e zorrës qorre?
Perforimi, përkatësisht çarja e zorrës qorre, më së shpeshti ndodh pas një periudhe më të gjatë nga fillimi i simptomave, zakonisht pas 48 orësh. Megjithatë, rreziku i perforimit rritet nëse diagnoza dhe trajtimi kirurgjikal vonohen.
Në raste më të rralla mund të ndodhë perforim i lirë, gjatë të cilit përmbajtja e apendiksit derdhet në kavitetin abdominal. Kjo mund të shkaktojë peritonit (inflamacion të cipës që mbështjell zgavrën e barkut), shok septik dhe formimin e disa absceseve intraabdominale.
Apendiciti që përparon deri në perforim shoqërohet me pasqyrë klinike më të rëndë, rrezik më të madh për komplikime dhe qëndrim më të gjatë në spital. Veçanërisht e rëndësishme është të theksohet se një periudhë më e gjatë se 36 orë nga shfaqja e simptomave të para deri në ndërhyrjen kirurgjikale lidhet me rritjen e rrezikut për perforim.
Në rast të çarjes së zorrës qorre, dhimbja zakonisht bëhet më intensive dhe përhapet në të gjithë barkun. Mund të shfaqen tension dhe ngurtësi e theksuar e muskujve të barkut, rrahje të përshpejtuara të zemrës dhe temperaturë e lartë trupore, e cila mund të kalojë 39 °C.
Në situata të tilla, fëmija mund të jetë në gjendje të rëndë të përgjithshme dhe të ketë nevojë për stabilizim me lëngje intravenoze dhe antibiotikë përpara trajtimit kirurgjikal. Në raste të caktuara, pas perforimit mund të ndodhë një ulje e përkohshme e dhimbjes, por kjo nuk do të thotë se gjendja po përmirësohet.
Identifikimi në kohë i simptomave dhe vlerësimi i shpejtë mjekësor janë thelbësorë për parandalimin e komplikimeve serioze. Në rast dyshimi për apendicit, nevojitet menjëherë një ekzaminim mjekësor.

