Një nga simptomat më të shpeshta te pacientët me sëmundje malinje është dhimbja e padurueshme, e cila zakonisht shfaqet në pjesën e shpinës dhe në pjesën e sipërme të barkut. Ky lloj dhimbjeje e vazhdueshme paraqet një problem serioz dhe ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetës së pacientëve. Prof. Dr. Zoran Trajkovski, specialist në radiologji, shpjegon procedurën e neurolizës, një metodë që përdoret për trajtimin dhe zvogëlimin e dhimbjes te pacientët me sëmundje malinje.
Metoda e neurolizës ka një histori të gjatë përdorimi, që daton që nga viti 1914. Pleksusi celiak, ose rrjeti i ganglioneve nervore, ndodhet i fshehur në abdomen, përpara aortës, nën enët e gjakut celiake dhe mbi enët mezenterike. Vetë pozicioni i tij anatomik paraqet sfidë për trajtim, prandaj kërkohet një saktësi e lartë gjatë kryerjes së ndërhyrjes
KUR KRYHET NEUROLIZA?
Neuroliza kryhet kur pacienti ka dhimbje të vazhdueshme që nuk mund të trajtohet me metoda të tjera. Shkaktarët më të shpeshtë janë: kanceri i pankreasit, stomakut, ezofagut, tumoret malinje që kanë origjinën nga sistemi biliar ose tumoret malinje të lokalizuara në nyjet limfatike. Kjo procedurë nuk duhet të kryhet nëse pacienti ka koagulopati të pakorrigjueshme ose numër të ulët të trombociteve, për shkak të rrezikut të lartë për gjakderdhje. Gjithashtu, nuk rekomandohet nëse pacienti ka aneurizëm të aortës ose dalje jo të zakonshme të arterieve celiake.

MËNYRA E REALIZIMIT TË PROCEDURËS
Procedura realizohet pas përgatitjes paraprake dhe studimit anatomik të rajonit ku do të kryhet punkcioni, me ndihmën e tomografisë kompjuterike (CT). Pozicioni i gjilpërës kontrollohet me skanime të përsëritura të CT-së. Si mjet terapeutik neurolitik më së shpeshti përdoret alkooli absolut. Me një gjilpërë të hollë depërtohet në rajonin anatomik ndërmjet enëve celiake, enëve mezenterike dhe përpara aortës. Para procedurës, pacienti duhet të jetë esëll dhe të mos përdor terapi antikoagulante. Vendi i punkcionit anesteziohet dhe gjatë procedurës monitorohen funksionet vitale të pacientit.
“Ndërhyrja mund të realizohet me qasje të përparme ose të pasme për punkcion. Pozicioni i gjilpërës kontrollohet me skanime të përsëritura. Para aplikimit të mjetit terapeutik jepet kontrast, në mënyrë që mjeku të jetë i sigurt për pozicionin e gjilpërës. Më pas aplikohen nga 20 deri në 60 mililitra alkool absolut. Efekti i ndërhyrjes ndjehet menjëherë, ndërsa konfirmimi më i mirë merret të nesërmen në mëngjes, kur pacientët dëshmojnë se për herë të parë pas një kohe të gjatë kanë fjetur pa dhimbje”, thotë Prof. Dr. Trajkovski.
Prof. Dr. Trajkovski thekson se ky lehtësim i dhimbjes nuk nënkupton vetëm përmirësim të cilësisë së jetës së pacientit, por ka edhe ndikim të thellë pozitiv mbi të gjithë familjen, e cila është vazhdimisht e përfshirë në procesin e kujdesit dhe mbështetjes. Ulja e dhimbjes sjell qetësi, lehtësim dhe stabilitet psikologjik edhe për të afërmit, duke mundësuar më shumë kohë cilësore së bashku dhe më shumë forcë për t’u përballur me sëmundjen.
“Pas ndërhyrjes, pacienti duhet të qëndrojë i shtrirë në shtrat për 8 deri në 12 orë dhe të jetë nën monitorim të vazhdueshëm të funksioneve vitale dhe presionit të gjakut, pasi ekziston rreziku i rënies së presionit nëse pacienti ngrihet. Monitorohen gjithashtu funksioni kardiak dhe ai respirator”, thekson Prof. Dr. Trajkovski.
A REALIZOHET KJO NDËRHYRJE EDHE NË LOKALIZIME TË TJERA TË DHIMBJES?
Një nga lokalizimet më të shpeshta është legeni i vogël, ku realizohet neuroliza e pleksusit hipogastrik. Indikacionet kryesore janë sëmundjet malinje të lokalizuara në këtë rajon, sidomos në faza të avancuara, por edhe dhimbjet nga procese kronike beninje, si p.sh. prostatiti, cistiti etj.
KOMPLIKIMET E MUNDSHME
Mundësia për komplikime është më e vogël se 2%. Komplikimi më i shpeshtë është dhimbja e përkohshme, e cila rregullohet me analgjezi që jepet menjëherë pas ndërhyrjes. Gjithashtu mund të ndodhë rënie e presionit të gjakut, diarre dhe simptoma të tjera të ngjashme.
“Nëse merret parasysh përfitimi nga kjo metodë, shkalla e suksesit është nga 70 deri në 90%, në përputhje me standardet botërore, dhe redukton ndjeshëm përdorimin e analgjetikëve klasikë për lehtësimin e dhimbjes. Vetë ndërhyrja është e mjaftueshme për të larguar dhimbjen te pacientët. Trajtimi kryhet vetëm një herë dhe efekti është i qëndrueshëm”, shpjegon Prof. Dr. Trajkovski.
KRIONEUROLIZA – E ARDHMJA E TRAJTIMIT TË DHIMBJES
Prof. Dr. Trajkovski shpjegon se krioneuroliza realizohet me ndihmën e aparatit për krioablacion, duke përdorur antena të veçanta për krioneurolizë. Procedura udhëhiqet me CT ose ultrazë. Efekti është i ngjashëm me neurolizën klasike, por fusha e aplikimit është shumë më e gjerë, për shembull në neuralgjinë interkostale, neuralgjinë periradikulare dhe gjendje të tjera të ngjashme. Bëhet fjalë për një punë ekipore, ku anesteziologu është një pjesë e domosdoshme e ekipit mjekësor dhe përgjigjet për përgatitjen, monitorimin dhe ruajtjen e stabilitetit të pacientit gjatë gjithë procedurës.



