Tumoret e trurit tek fëmijët janë tre herë më rrallë se tumoret e trurit tek të rriturit. Ndërmjet 80-85% e tumoreve tek fëmijët janë vendosur në gropën e pasme të kafkës, në dallim nga ato tek të rriturit, ku më së shpeshti paraqiten në gropën e përparme të kafkës. Edhe pse janë të rralla, për fat të keq, tek fëmijët ato janë shkaku më i shpeshtë i vdekjes si pasojë e një sëmundjeje malinje. Dr. Milenko Kostov, doktor i shkencave mjekësore dhe neurokirurg në “Acibadem Sistina”, shpjegon se sipas karakteristikave patohistologjike, tumorët klasifikohen në dy grupe kryesore, përkatësisht tumore gliale dhe neuronale. Tumorët glialë janë më të zakonshme dhe paraqiten në mbi 50% të të gjitha rasteve të tumoreve në popullatën pediatrike.
Faktorët e rrezikut janë: predispozita gjenetike, anamneza familjare, rrezatimi i mëparshëm për shkak të gjendjeve të tjera, ekspozimi ndaj pesticideve, mosha e madhe e prindërve, veçanërisht e babait, ekspozimi i prindërve ndaj pesticideve, pesha e lartë trupore e foshnjës në lindje, anomalitë e sistemit nervor qendror gjatë zhvillimit embrional.
CILAT JANË SIMPTOMAT?
Simptomat mund të jenë me spektër të gjera dhe jo specifike, siç janë: kokëdhimbje, nauze, të vjella, veçanërisht në mëngjes, fotofobi, konvulsione epileptike, shfaqja e simptomave të rritjes së presionit intrakranial, madje dhe nervozizëm.
“Fillimisht është e rëndësishme të kryhet një ekzaminim i mirë pediatrik dhe të konsultohet një pediatër neurolog, nëse është e nevojshme. Për diagnostikimin e tumoreve, duhet të bëhet edhe MRI e trurit me seri postkontraste, dhe nëse gjetja është pozitive, ajo të plotësohet me difuzion dhe spektroskopi. Më pas vijon konsultimi me neurokirurgun dhe përgatitja e plani për trajtimin e mëtejshëm operativ. Në fund, në ekipin multidisiplinar përfshihen edhe patologët që përcaktojnë diagnozën, përkatësisht për çfarë tipi tumori bëhet fjalë, si dhe onkologët që zbatojnë trajtimin onkologjik nëse bëhet fjalë për një neoplazmë malinje”, thotë dr. Kostov.
KËRKOHET NJË EKIP MULTIDISIPLINAR PËR DIAGNOZËN DHE TRAJTIM
Ndërhyrjet onkologjike-pediatrike operative i përkasin në procedurat më komplekse neurokirurgjikale. Ndonjëherë, për shkak të brishtësisë së vetë pacientit dhe pamundësisë për anestezi shumë të gjatë, ato mund të kryhen edhe në disa akte. Ato zgjasin shumë dhe ndonjëherë shoqërohen me humbje të madhe gjaku. Humbja e gjakut në trajtimin kirurgjikal tek fëmijët ka një rëndësi më të madhe, duke marrë parasysh se fëmijët kanë masë trupore shumë më të vogël se të rriturit dhe, dhe rrjedhimisht kanë shumë më pak gjak në qarkullim. Për të gjitha arsyet e sipërpërmendura, këto ndërhyrje në anestezi të përgjithshme endotrakeale përbëjnë një sfidë të vërtetë për çdo anesteziolog.
Shërimi pas trajtimit kirurgjik ka kohëzgjatje të ndryshme dhe varet, para të gjitha, nga lloji dhe lokalizimi i tumorit, por edhe nga përvoja dhe njohuritë e ekipit që kryen trajtimin kirurgjik.
,, Pas operacionit, nëse është e nevojshme, në ekip përfshihen edhe fiziatri, psikiatri i fëmijëve, psikologu i fëmijëve, logopedi, defektologu dhe nutricionisti. Trajtimi i përgjithshëm është i gjatë, kërkon qasje multidisiplinare dhe angazhim maksimal nga të gjithë anëtarët e ekipit,“ shpjegon dr. Kostov.
,,Në spitalin klinik ‘Axhibadem Sistina’, disponojmë me të gjitha kushtet e nevojshme, që të mundemi të njohim plotësisht, të diagnostikojmë, të trajtojmë kirurgjikisht dhe të mundësojmë rehabilitimin e plotë të çdo fëmijë të diagnostikuar me neoplazi”, thotë dr. Milenko Kostov.
Një segment i rëndësishëm i të gjithë procesit është edhe këshillimi dhe trajnimi i familjeve të këtyre luftëtarëve të vegjël, të cilët kalojnë së bashku me аta nëpër periudha jashtëzakonisht të vështira të jetës.
„Qëllimi ynë, si mjekë të ndërgjegjshëm, punonjës shëndetësorë dhe si një kompani me përgjegjësi shoqërore, është t’i japim sa më shumë rëndësi parandalimit, trajtimit dhe rehabilitimit të plotë, duke mundësuar kthimin sa më të shpejtë dhe të plotë në përditshmërinë dhe lojërat e tyre fëminore,“ thotë dr. Kostov.


