Zemra e fëmijëve ndryshon vazhdimisht me zhvillimin dhe rritjen e tyre. Funksionimi i zemrës dhe tensioni i gjakut varen nga mosha e fëmijës.
Dr. shk. Svetllana Krstevska Bllazhevska, specialiste në pediatri dhe kardiologji, thotë se zhurma në zemër mund të dëgjohet menjëherë pas lindjes së fëmijës ose gjatë vitit të parë të jetës dhe mund të jetë pasojë e ndryshimeve strukturore të zemrës, përkatësisht e pranisë së një kardiopatie kongjenitale (defekti të lindur të zemrës).
Zhurmat në zemër te fëmijët më të mëdhenj, në shumicën e rasteve, janë të parrezikshme. Megjithatë, një zhurmë e sapodëgjuar, si dhe simptoma të tilla si vështirësi në frymëmarrje, humbje e vetëdijes, takikardi, dhimbje në gjoks, lodhje apo aktivitet fizik i reduktuar, duhet të vlerësohen nga një kardiolog pediatrik.
Në varësi të karakteristikave të zhurmës dhe simptomave të pranishme, kardiologu pediatrik mund të kryejë elektrokardiogram (EKG), ekokardiografi (eko të zemrës), matjen e tensionit të gjakut te fëmija dhe, më rrallë, radiografi të zemrës dhe mushkërive, Holter EKG ose ergometri (testim gjatë aktivitetit fizik).
Kujdesi për zemrën e fëmijëve fillon me ushqyerje të shëndetshme, aktivitet të rregullt fizik, gjumë të mjaftueshëm dhe, sipas nevojës, vlerësim nga një kardiolog pediatrik.

