Dhimbjet në qafë dhe në pjesën e poshtme të shpinës janë ndër problemet më të zakonshme shëndetësore në ditët e sotme. Qëndrimi i zgjatur duke ulur, mungesa e aktivitetit fizik, mbajtja jo e drejtë e trupit dhe ndryshimet degjenerative të shtyllës kurrizore mund të shkaktojnë parehati dhe kufizime në aktivitetet e përditshme. Në mjekësinë fizikale, një nga metodat që aplikohet me sukses në trajtimin e këtyre gjendjeve është ekstensioni vertebral.
“Ekstensioni vertebral është një metodë mekanoterapeutike, përmes së cilës aplikohet një forcë mekanike e kontrolluar për tërheqjen e segmentit të caktuar të shtyllës kurrizore. Qëllimi është të zvogëlohet presioni mbi strukturat nervore dhe të krijohen kushte më të favorshme për rikuperimin e tyre”, shpjegon Dr. Renata Bozhinkoçeva, specialiste e mjekësisë fizikale dhe rehabilitimit.
Më së shpeshti trajtohen pjesa cervikale dhe lumbale e shtyllës kurrizore, pasi në këto zona shfaqen më shpesh ndryshimet degjenerative dhe herniet diskale. Me kalimin e kohës, këto gjendje mund të shkaktojnë dhimbje, ngurtësi, mpirje ose përhapje të simptomave në krahë dhe këmbë.
CILAT JANË PËRFITIMET NGA KY TRAJTIM?
Sipas dr. Renata Bozhinkoçeva, efektet e ekstensionit vertebral janë të shumta.
“Me këtë trajtim zmadhohet hapësira ndërmjet vertebrave, zvogëlohet presioni mbi rrënjët nervore dhe përmirësohet qarkullimi në pjesën e trajtuar. Në të njëjtën kohë arrihet relaksimi i muskulaturës dhe përmirësohet lëvizshmëria e shtyllës kurrizore”, thotë ajo.
Në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina”, ekstensioni vertebral zbatohet me një aparat modern për ekstension (ekstensiomat), i cili mundëson dozimin e kontrolluar dhe të saktë të forcës së tërheqjes.
Gjatë ekstensionit lumbal, pacienti shtrihet në shpinë, me ijët dhe gjunjët lehtësisht të përkulur, ndërsa legeni dhe kraharori fiksohen me rripa të posaçëm. Te ekstensioni cervikal, trajtimi mund të kryhet në pozicion të shtrirë ose të ulur, me pozicionim të kujdesshëm të kokës.
“Fuqia që përdoret gjatë ekstensionit përcaktohet individualisht nga mjeku, sipas gjendjes së pacientit. Terapia më së shpeshti përbëhet nga 10 deri në 15 trajtime, të cilat zbatohen çdo ditë ose çdo të dytën ditë”, shpjegon dr. Bozhinkoçeva.
Suksesi i trajtimit, në masë të madhe, varet nga vendosja e një diagnoze të saktë. Për këtë arsye, para fillimit të terapisë duhet të kryhet një ekzaminim fiziatrik i detajuar, si edhe të shqyrtohen ekzaminimet radiologjike dhe dokumentacioni mjekësor i pacientit. Para ekstensionit, shpesh aplikohen procedura me efekt miorelaksues, me qëllim që muskulatura të përgatitet për trajtim. Pas përfundimit të çdo seance, pacientëve u rekomandohet të mbajnë për disa orë një brez lumbal ose një jakë qafe, si edhe të shmangin lëvizjet e papritura dhe sforcimin fizik.

CILËT PACIENTË JANË KANDIDATË PËR KËTË TRAJTIM?
Kjo lloj terapie më së shpeshti rekomandohet për pacientët me hernie diskale, kompresion ose irritim të rrënjëve nervore, nevralgji cervikale, dhimbje vertebrogjene dhe sëmundje të tjera degjenerative të shtyllës kurrizore.
“Terapia nuk është e dhimbshme, është komode dhe pranohet mirë nga pacientët. Rezultate veçanërisht të mira arrihen te personat e moshës 30 deri në 50 vjeç, te të cilët ekziston mundësi reale për përmirësimin e pozicionit të diskut, zvogëlimin e dhimbjes dhe përmirësimin e funksionit të muskulaturës, pa nevojë për metoda më invazive të trajtimit”, shpjegon dr. Bozhinkoçeva.
Megjithatë, ekstensioni vertebral nuk është i përshtatshëm për të gjithë pacientët. Nuk rekomandohet te personat me hernie të rënda diskale, të shoqëruara me çrregullime të theksuara motorike, sëmundje inflamatore, gjendje të caktuara kardiovaskulare, sëmundje onkologjike dhe gjendje të tjera për të cilat mjeku vlerëson se mund të ekzistojë rrezik nga aplikimi i terapisë.
Prandaj, çdo pacient me dhimbje në shpinë ose në qafë duhet së pari t’i nënshtrohet një ekzaminimi specialistik fiziatrik.
“Më e rëndësishmja është që trajtimi të planifikohet në mënyrë individuale. të përditshme”, thekson dr. Renata Bozhinkoçeva. Jo çdo dhimbje në shpinë do të thotë se ekstensioni është trajtimi i nevojshëm, por te disa pacientë të përzgjedhur kjo metodë mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës dhe të ndihmojë në rikthimin e aktiviteteve të përditshme”, thekson dr. Renata Bozhinkoçeva.

