FËMIJA KA GRIP – ÇFARË DUHET TË DINI PËR TRAJTIMIN E DUHUR DHE PARANDALIMIN?

Gripi sezonal është një nga infeksionet virale më të shpeshta te fëmijët, veçanërisht gjatë muajve të dimrit dhe në fillim të pranverës. Bëhet fjalë për një infeksion respirator shumë ngjitës, i cili përhapet lehtësisht, sidomos në kopshte dhe shkolla. Edhe pse në shumicën e rasteve kalon pa pasoja serioze, në raste të caktuara mund të shkaktojë komplikime.

Si ta dalloni gripin, si ta trajtoni fëmijën dhe cilat janë masat më të rëndësishme parandaluese? Këtyre pyetjeve u përgjigjet Dr. Olivera Gruevska, specialiste e pediatrisë.

Gripi sezonal zakonisht fillon papritur, me temperaturë të lartë trupore nga 38 deri në 40°C, ethe, dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe nyjave, kollë dhe plogështi të theksuar. Te disa fëmijë mund të shfaqen edhe të vjella ose diarre. Simptomat zakonisht zgjasin nga 3 deri në 7 ditë, por në raste të caktuara sëmundja mund të shkaktojë edhe komplikime më serioze.

Diagnoza e gripit sezonal zakonisht vendoset në bazë të pasqyrës klinike, simptomave dhe rrjedhjes së sëmundjes. Është e rëndësishme që gripi të dallohet nga infeksionet e tjera respiratore. Te fëmijët me grip të konfirmuar, nuk është e nevojshme të kryhen shpesh analizat e hemogramës dhe të CRP-së, përveç rasteve kur ekzistojnë indikacione të tjera mjekësore. Në rastet kur diagnoza është e paqartë ose simptomat janë më të rënda, mund të kryhen teste PCR ose teste të shpejta të antigjenit.

Më e rëndësishmja është që fëmija të konsumojë lëngje të mjaftueshme dhe të pushojë në shtëpi. Hidratimi është veçanërisht i rëndësishëm për parandalimin e dehidratimit. Gjithashtu, rekomandohet konsumimi i ushqimeve të freskëta dhe të pasura me vitamina. Për uljen e temperaturës dhe lehtësimin e dhimbjeve mund të përdoren paracetamoli ose ibuprofeni, në doza të përshtatshme sipas peshës trupore dhe moshës së fëmijës, në përputhje me rekomandimin e mjekut. Aspirina nuk duhet t’u jepet fëmijëve me grip.

Antibiotikët nuk veprojnë kundër virusit të gripit, prandaj përdorimi i tyre nuk është i nevojshëm në rastet e infeksionit viral pa komplikime. Ata përdoren vetëm nëse mjeku konstaton një infeksion bakterial dytësor. Përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve duhet të shmanget.

Prindërit duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë simptomave paralajmëruese, si vështirësitë në frymëmarrje, të vjellat e vazhdueshme, mos martrja e lëngjeve, temperatura e lartë e zgjatur që nuk ulet me barna dhe përkeqësimi i papritur i gjendjes së përgjithshme. Nëse vëreni ndryshime të papritura në sjelljen e fëmijës, nëse ai, ndonëse më parë ka qenë aktiv, tani bëhet apatik, dëshiron vetëm të qëndrojë shtrirë, ka dhimbje në trup, është jashtëzakonisht i qetë ose i irrituar, refuzon të pijë lëngje, të qëndrojë në këmbë ose të ecë, konsultohuni menjëherë me pediatrin.

Vaksinimi kundër gripit sezonal përbën një nga masat më të rëndësishme për parandalimin e sëmundjes dhe rekomandohet për të gjithë fëmijët nga mosha 6 muajsh e tutje. Megjithëse vaksina nuk ofron mbrojtje të plotë ndaj infeksionit, ajo ndihmon ndjeshëm në uljen e rrezikut të zhvillimit të formave të rënda të gripit dhe komplikimeve serioze. Për një mbrojtje sa më të mirë, rekomandohet që vaksinimi të kryhet çdo vit, mundësisht nga muaji shtator deri në fund të tetorit. Kjo masë parandaluese ka rëndësi të veçantë për fëmijët që vuajnë nga sëmundje kronike, si astma, diabeti apo probleme të tjera shëndetësore.

Përveç vaksinimit të rregullt, një rol të rëndësishëm në parandalimin e gripit luan edhe respektimi i rregullave bazë të higjienës. Larja e shpeshtë e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes ose teshtitjes, si dhe pastrimi i rregullt i sipërfaqeve dhe lodrave, ndihmojnë në uljen e rrezikut të infektimit. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që fëmijët që shfaqin simptoma të gripit të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin kontaktin me fëmijët e tjerë derisa të shërohen, për të parandaluar përhapjen e virusit.

Njohja në kohë e simptomave, diagnoza e saktë, trajtimi i duhur dhe vaksinimi i rregullt janë thelbësore për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, uljen e rrezikut të komplikimeve dhe shërimin më të shpejtë.

Shpërndaj