Ulçera në stomak dhe në zorrë është mjaft e zakonshme në jetën e sotme moderne. Ulçërat në zorrë shfaqen më shpesh në krahasim me ulçërat në stomak, ndërkohë që ulçëra në ezofag shfaqet shumë rrallë. Ulçëra paraqet një defekt (dëmtim) të kufizuar në shtresën mbrojtëse të stomakut dhe zorrën e cial është në kontakt të vazhdueshëm me acidrat dhe enzimat në stomak.
Çfarë e shkakton atë?
Nuk ka asnjë dëshmi të qartë nëse stresi dhe ushqimi i gabuar janë shkaku i drejtpërdrejtë i shfaqjes së ulçerës. Nga mesi i viteve 1980 besohej se shkak për shfaqjen e ulçerës ishte stresi, predispozita gjenetike, sekretimi i tepërt i acideve në stomak dhe mënyra jo e shëndetshme e të jetuarit (ushqimi pikant dhe me erëza, ushqimi i shpejtë, duhani, alkooli dhe kafeina). Kohët e fundit, studimet e lidhin shfaqjen e ulçerës me praninë e Helicobacter pylori. Shkak tjetër për shfaqjen e ulçerës është edhe përdorimi i tepër i ilaçeve të ndryshme (aspirina, ibuprofen dhe naproxen). Gjithashtu, për shkaqe ende të panjohura, personat të cilët i përkasin grupit të gjakut A, lidhen me shfaqjen e ulçerës. Dëmtimi i mëparshëm i shtresës mbrojtëse (gastriti) gjithashtu mund të shkaktojë shfaqjen e ulçerës.
Simptomat
Simptomat e ulçerës në stomak kanë të bëjnë me shfaqjen e dhimbjes në formë djegie e cila bëhet më intensive 1 orë pas ngrënies, ndërsa tek ulçera në duodenum shfaqen 1-3 orë para ngrënies dhe kanë të bëjnë me fryerje, të përziera, urth dhe ndonjëherë edhe me të vjella. Nëse vëreni jashtëqitje me ngjyrë të zezë, atëherë ka mundësi që kjo të jetë një simptomë tjetër e pranisë së ulëçerës me gjakderdhje.
Komplikimi dhe trajtimet
Trajtimi i ulçerës nënkupton respektimin e këshillave të mjekut tuaj, marrjen e rregullt të terapisë së lëshuar nga mjeku dhe kryerjen e kontrolleve të rregullta. Trajtimi varet nga gjendja e ulçerës, nëse zhvillohet në mënyrë akute me dhimbje të forta dhe me komplikime, apo është një proces kronik të cilin e keni vënë nën kontroll. Në shumicën e rasteve, ulçera trajtohet me antibiotikë dhe me ilaçe të cilat e reduktojnë sekretimin e thartirave/acideve në stomak. Komplikimet e mundshme janë gjakderdhja, e cila mund të shkaktojë anemi, më pas penetrimi (depërtimi i ulçerës në një ind tjetër), ose perforimi (kur ulçera do të depërtojë në shtresën mbojtëse të organit) gjatë të cilës shfaqet gjakderdhje serioze dhe shpesh tek pacientët rrezikohet jeta dhe shfaqja e shokut hemoragjik. Ulçera në stomak mund të shndërrohet në kancer.