Fëmija juaj është me ethe dhe papritur përjeton konvulsion febril (lëvizje të pakontrolluara në të gjithë trupin në formë ngërçesh). Në këto momente jeni të tmerruar pasi edhe shikimi i fëmijës duket i humbur dhe kjo ju shkakton një gjendje paniku. Është mëse e vërtetë që kjo gjendje e njohur si “konvulsion febril” është një nga eksperiencat më të këqija që kanë përjetuar shumë prindër.
Si ta dalloni konvulsionin febril tek fëmija?
Trupi i fëmijës fillon të përjetojë spazma. Muskujt kontraktohen duke shkaktuar humbjen e kontrollit të tyre, ndërsa buzët e fëmijës shndërrohen në një ngjyrë të maviosur. Faza e shfaqjes së spazmave apo konvulsionit febril është e pakëndshme, pasi fëmija humbet kontrollin e trupit, kontrollin e syve dhe madje mund të humbasë edhe vetëdijen. Edhe pse duket alarmante dhe e frikshme, në fakt duhet të dini se nuk është një gjendje e rrezikshme. Ndonjëherë , konvlsioni febril shfaqet në forma më të lehta: trupi i fëmijës kontraktohet ose thjeshtë fëmija rrotullon sytë. Zakonisht, kjo gjendje shfaqet tek fëmijët nën moshën 5 vjeçare, zgjat për një periudhë kohore prej 10 minutash duke filluar nga momenti i shfaqjes. Kjo gjendje në shumicën e rasteve nuk lë pasoja dhe as nuk rezulton apo nuk vijon me episode të gjendjes epileptike. Nuk duhet të harroni se ethet, të cilat shkaktohen nga temperatura për shkak të ndonjë infeksioni të mundshëm në organizmin e fëmijës, të cilat më pas mund të provokojnë shfaqjen e konvulsionit febril, shpesh duken alarmante dhe të frikshme, por në realitet janë aleatë të cilët luftojnë kundër infeksioneve.
Si duhet të veproni gjatë shfaqjes së konvulsionit febril?
- Në rast se fëmija vjell apo i akumulohet pështymë në gojë, trupin dhe kokën e fëmijës duhet ta ktheni në njërën anë, në mënyrë që të mos asfiksohet dhe të ketë një frymëmarrje më të mirë.
- Gjatë këtyre minutave, nuk duhet ta shtrëngoni fëmijën dhe të mundoheni që ti ndaloni lëvizjet e pa kontrolluara të shkaktuara nga kjo gjendje.
- Fëmijën nuk duhet ta lini vetëm.
- Mos u mundoni të fusni asgjë në gojën e fëmijës me forcë në mënyrë që të ndaloni kafshimin e gjuhës. Kjo gjë mund të rrizë rrezikun e lëndimit.
Në rast se konvulsionet febrile zgjasin më tepër se 10-15 minuta, atëherë duhet të thërrisni urgjencën në mënyrë që ta dërgoni fëmijën në spital. Mundohuni që mjekut t’ia përshkruani në mënyrë të detajuar të gjithë ngjarjen. Pas kalimit të konvulsionit febril, hapi më i rëndësishëm është që të veprohet menjëherë për qetësimin e etheve dhe të identifikohet shkaku i shfaqjes së tyre. Ndiqni udhëzimet e mjekut, dhe mos harroni se trajtimin fëmijës duhet t’ia jepni në mënyrë të disiplinuar, në intervale të rregullta kohore.