Anemia është reduktimi i qelizave të kuqe të gjakut dhe zakonisht është çrregullimi më i shpeshtë i gjakut. Roli i eritrociteve është që të transportojnë oksigjenin nga mushkëritë në inde si dhe dioksidin e karbonit nga indet në mushkëri. Kjo arrihet me ndihmën e hemoglobinës ( Hb) proteinë tetramerike. Dr. Violeta Filipçe Dirjanska, shefe e departamentit laboratorik diagnostikues, thotë se anemia nuk është sëmundje por një gjendje e cila shkakton një numër të madh sëmundjesh. Fakti që anemia apo dobësimi i gjakut është pasojë e mungesës së hekurit në organizëm, duhet të jetë një alarmë që tregon se pacienti duhet të marrë masat e duhura për kujdesin e shëndetit të tij.
Anemia si pasojë e mungesës së hekurit është shumë e zakonshme tek njerëzit, veçanërisht tek gratë gjatë periudhës riprodhuese. Disa të dhëna tregojnë se 1/5 madje dhe 1/3 e grave të shëndetshme gjatë periudhës riprodhuese kanë reduktim të hekurit në organizëm, ndërsa 10% kanë anemi të shkaktuar nga mungesa e hekurit. Në përgjithësi, anemia është dyfish më e shpeshtë tek gratë. Çdo shtatzëni normale, nënës i merr 500mg hekur. Tek gratë në periudhën gjeneruese, shkaku më i zakonshëm i anemisë sideropenike është cikli menstrual me shumë gjakderdhje, ndërkohë që tek meshkujt dhe gratë në periudhën e postmenopauzës shkak për shfaqjen e anemisë sideropenike është gjakderdhja nga sistemi digjestiv.
Tre fazat e reduktimit të hekurit
Molekula e hekurit është komponent i hemoglobinës (eritrociteve) dhe sasia e reduktuar e pranisë së hekurit shkakton reduktimin e krijimit të hemoglobinës dhe çrregullimin e formimit të eritrociteve. Ekzistojnë tre shkallë të reduktimit të hekurit (sideropenisë) në organizëm:
- Faza e parë është sideropenia latente në të cilën reduktohen rezervat e hekurit në trup (kjo vërehet laboratorikisht me anë të reduktimit të vlerës së feritinës), por ende nuk ka reduktim të hekurit të serumit, për këtë arsye nuk ka shfaqje të anemisë
- Faza e dytë është sideropenia në të cilën janë të reduktuara rezervat e hekurit dhe hekuri i serumit por përsëri nuk manifestohet me anemi
- Faza e tretë ka rënie të hemoglobinës totale, m.th anemi sideropenike.
Cila është arsyeja e reduktimit të hekurit?
Sasia e ulët e hekurit të përgjithshëm në trup ndodh gjatë: gjakderdhjes kronike, marrjes së pamjaftueshme të hekurit me anë të ushqimit, veçanërisht tek foshnjat dhe fëmijët, gjatë çrregullimit të absorbimit të hekurit nga sistemi digjestiv dhe rritjes së shpërbërjes së eritrociteve (Hemoliza) si pasojë e sëmundjeve të tjera. Hekuri nga ushqimi absorbohet në pjesën fillestare të zorrës së hollë, duodnit. Sëmundje të ndryshme të cilat e prekin mukozën e asaj pjese të zorrës, ndikojnë në reduktimin e pranimit të hekurit dhe shkaktojnë anemi sideropenike.
Gjithashtu, intervenimet kirurgjikale me anë të të cilave mënjanohet ose anashkalohet duodenumi shkaktojnë reduktimin e absorbimit të hekurit, siç është gasterektomija subtotale. Marrja e reduktuar e hekurit me anë të ushqimit , për shkak të shkak i sideropenisë është e zakonshme tek foshnjat dhe fëmijët. Nevojat e tyre për shkak të rritjes janë më të mëdha, dhe qumështi është një burim i dobët i hekurit. Shpesh, faktor i rëndësishëm është ekzistenca e infeksionit me parazitë dhe gjakderdhje nga trakti gastrointestinal.
Simptomat e anemisë
Pamja apo gjendja klinike e anemisë përfshin simptomat në vijim: dobësi, ndjesi të theksuar apo të rritur të lodhjes, mungesë të përqëndrimit, lëkurë të zbehtë, marramendje, gumëzhimë në veshë. Shpesh shfaqet dhimbje koke dhe sjellje nervoze. Nëse anemia është e rëndë, atëherë përfshihen mekanizma kompensuese të sistemit kardiovaskular, për shkak të nevojës së oksigjenit në organizëm rrahjet e zemrës janë të përshpejtuara, veçanërisht gjatë përpjekjeve. Shenjë specifike e anemisë sideropenike është shfaqja e ndryshimeve të thonjve, në kuptimin e humbjes së konveksitetit të thonjve, më pas mund të shfaqet nevoja për konsumimin e substancave jo ushqimore (dhe, letër, bar, flokë), por kjo nuk është specifike në rastin e sideropenisë. Gjithashtu, shfaqet edhe ndjenja e këmbëve të nervozuara.
Si diagnostikohet?
Për diagnozën e anemisë sideropenike, është e nevojshme që të merret me kujdes anamneza dhe të kryhen testet e duhura laboratorike. Analiza e gjakut tregon një numër të reduktuar të eritrociteve, reduktim të MCV (vëllimi mesatar i qelizave të kuqe), ndërkohë që numri i përgjithshëm i retikulociteve është normal ose i zvogëluar. Përcaktimi karakteristik i anemisë sideropenike është reduktimi i hekurit të serumit, rritja e vlerës së transferrinit (TIBC) si dhe receptorët e transferrinit. Treguesi më i mirë për rezervat e hekurit në organizëm është përqendrimi i ferritinës. Nëse është më pak se 10 mikrog / l, me siguri bëhet fjalë për anemi sideropenike.
Trajtimi
Për trajtimin e anemisë është e nevojshme marrja e terapisë 2-4 muaj, meqënëse është e domosdoshme që të përmbushen rezervat në organizëm, atëherë terapia është e nevojshme që të vazhdojë të paktën 6 muaj pas normalizimit të analizës së gjakut. Doza e zakonshme ditore është 150-200mg. Rekomandohet që tabletat e hekurit të merren një orë pas ngrënies, të shoqëruara me vitaminë C. Për rezultate më të suksesshme është e nevojshme që të konsumohet ushqim i shumëllojshëm me origjinë shtazore dhe bimore. I rëndësishëm është edhe qëndrimi në vende malore, pasi ajri i zonave malore dhe lartësia ndikojnë relativisht shpejtë në rritjen e numrit të qelizave të kuqe të gjakut, të cilat ndikojnë në shërimin më të shpejtë të organizmit.