Anestezia tek fëmijët – çfarë duhet të dinë prindërit?

Është i njohur fakti që fëmijët e përgatitur e kalojnë më lehtë qëndrimin në spital. Por, para se prindi të fillojë me përgatitjen e fëmijës, është e nevojshme që edhe vetë të kuptojë sa më shumë në lidhje me procedurat anesteziologjike. Informacionet më të mira dhe më të sakta do ti marrë nga vete mjeku anesteziolog, i cili do të japë anestezinë. Sjellja apo qëndrimi i prindërit është veçanërisht i rëndësishëm. Asgjë nuk mund ta qetësojë fëmijën më tepër se sjellja apo qëndrimi  normal dhe i guximshëm  i prindërit. Edhe pse është normale që  prindi të frikësohet për fëmijën e tij, mirë është që të mos e demostrojë  këtë ndjenjë. Të gjithë fëmijëve, me përjashtim të atyre fëmijëve të cilët janë shumë të vegjël për të kuptuar, prindërit duhet t’iu shpjegojnë  atyre se do të shkojnë në spital, ku do të operohen apo do të kryejnë ekzaminime diagnostikuese. Shpjegimi duhet të jetë i thjeshtë në mënyrë që fëmija ta kuptojë. Fëmijët nga mosha 2-3 vjeçare duhet të informohen dy deri në tre ditë para operacionit dhe në ditën kur do të paraqiteni në spital. Përsa i përket fëmijëve nga mosha 4-7 vjeçare këtë informacion duhet t’iua jepni një javë para kryerjes së operacionit dhe në ditën në të cilën do të paraqiteni në spital. Fëmijët më të rritur duhet të përfshihen në marrjen e vendimit për kryerjen e operacionit dhe bisadat duhet të fillojnë disa javë më parë. Në këtë mënyrë frika e fëmijës nga intervenimi kirurgjik do të reduktohet deri në minimum. Është e nevojshme që fëmijës ti shpjegohet se me kryerjen e operacionit do të shërohet dhe do të ndihet më mirë. Fëmija duhet të inkurajohet që të bëjë sa më shumë pyetje rreth operacionit dhe ju me shumë durim ti përgjigjeni në mënyrë sa më të thjeshtë dhe të lehtë për tu kuptuar.

Anestezia për fëmijë nënkupton të gjitha procedurat anestezike  të cilat kryhen tek foshnjat e përsalindura (nga lindja deri në muajin e parë të jetës) deri në moshën 14 vjeçare. Karakteristikat e anestezisë tek fëmijët rrjedhin nga specifikat fiziologjike të fëmijëve.

Vlerësimi paraoperativ – kontrolli tek mjeku anesteziolog

Para kryerjes së operacionit, fëmija paraqitet për të kryer vlerësimin anesteziologjik. Është e rëndësishme të dini se në rast se fëmija ka ftohje dhe sekrecione nga hunda, kjo është e rrezikshme për fëmijën, prandaj anesteziologu mund ta shtyjë (vonojë) datën e kryerjes së operacionit. Anesteziologu drejton pyetje në lidhje me shëndetin e përgjithshëm të fëmijës, ssi dhe në rast se ekziston ndonjë sëmundje e cila nuk lidhet me operacionin e ardhshëm, nëse fëmija merr ilaçe dhe në rast se po, çfarë ilaçesh, nëse fëmija është alergjik ndaj ndonjë ilaçi apo ushqimi, nëse është operuar më parë dhe nëse ka pasur ndonjë problem apo reaksion nga anestezia, si dhe nëse  ekziston ndonjë anëtar i familjes që ka probleme apo reaksione nga anestezia. Para vizitës tek anesteziologu duhet të kryhen ekzaminime që përfshijnë teste të gjakut, ekzaminime pediatrike dhe analiza të tjera që varen nga lloji i kirurgjisë.

Përgatitja për marrjen e anestezisë

Fëmija pranohet në spital zakonisht një ditë para operacionit. Prindi, nëse do të qëndrojë me fëmijën, merr udhëzime të cilave duhet t’i përmbahet. Një nga rregullat më të rëndësishme është se fëmija duhet të jetë i uritur. Ushqimi i fundit (ushqimi i lehtë, gotë me qumësht) nuk duhet të jetë më vonë se 6 orë para operacionit. Fëmijët që ushqehen me gji ushqimin e tyre të fundit duhet ta marrin 4 orë para operacionit dhe 2 orë para operacionit, vetëm një gllënkë ujë në rast se është e nevojshme që ti jepet ndonjë ilaç. Në mëngjes, zakonisht gjysmë ore para operacionit, fëmija zakonisht merr një qetësues në formën e shurupit.

Anestezia

Kryesisht aplikohet anestezia endotraheale, me anë të venës ose me anë të inhalimit.Lojet e anestezisë rajonale, rrallë aplikohen tek fëmijët. Zakonisht fëmija flë menjëherë pas dërgimit në sallën operative nga anestezia e marrë me anë të inhalimit (me anë të përthithjes së gazit anestetik nëpërmjet maskës), më pas vendoset linja e venës dhe vijon me anestezinë intravenoze. Në këtë mënyrë fëmija nuk ka dhimbje për shkak të kanulës së vendosur në venë, e cila është e domosdoshme për të gjitha llojet e anestezisë. Çlirimin nga dhimbja fëmija fillon ta ndjejë që nga momenti i kryerjes së operacionit. Pas përfundimit të operacionit fëmija dërgohet në dhomën e zgjimit, ku qëndron për një kohë nën kontrollin e doktorit dhe infermieres deri në zgjimin e tij të plotë dhe stabilizimin e plotë të funksioneve vitale. Më pas, prindi e shoqëron fëmijën në mënyrë që ai të jetë i qetë dhe për të shmangur frikën dhe ankthin e fëmijës pas zgjimit të plotë nga anestezia.

Është e rëndësishme që të dini se anestezia tek fëmijët është plotësisht e sigurt dhe se nuk shkakton pasoja për shëndetin e tyre. Tepër e rëndësishme për rrjedhën e sigurtë të procedurës spitalore është profesionalizmi dhe përvoja e ekipit të anesteziologëve. Nëse keni pyetje, frikë dhe dilema në lidhje me përgatitjen paraprake apo me çfarë do lloj pjese tjetër të procesit të trajtimit të fëmijës tuaj, ju muind të bisedoni me mjekun anesteziolog i cili do ti përgjigjet të gjitha pyetjeve tuaja.

Anestezia për analiza diagnostikuese

Shpesh fëmijët duhet të anestetizohen për të kryer disa procedura diagnostike (rezonancë magnetike, tomografi kompjuterike, endoskopi). Përgatitja e fëmijës nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e ndërhyrjes kirurgjikale. Pas përfundimit të këtyre ndërhyrjeve dhe stabilizimit të gjendjes së fëmijës, lihet nën kontrollin e kushteve të shtëpisë, me prindërit që duhet t’i përmbahen udhëzimeve të anesteziologëve, veçanërisht përsa i përket kohës së ushqimit të parë.

 

 

 

 

Shpërndaj