Me terapinë medikamentoze për artrit reumatoid mund të ngadalësohet përparimi i sëmundjes. Trajtimi kirurgjik mund të kryhet tek pacientët të cilët kanë dëmtim të rëndë të kyçeve. Në rastet kur është e pamundur që të bëhet operacioni biologjik i kockave dhe indeve të buta, atëherë kryhet artroplastika apo zëvëndësimi i plotë i kyçeve, zakonisht i kyçeve më të mëdha.
Ekzistojnë disa arsye për kryerjen e trajtimit kirurgjik të artritit reumatoid:
- Për lehtësimin e dhimbjes
- Për të pasur lëvizshmëri më të mirë
Kur duhet të kryhet trajtimi kirurgjik?
Atëherë kur ekzistojnë dëme strukturore si rezultat i artritit reumatoid, kur përdorimi i ilaçeve nuk mund të ndihmojë, dhe në këtë rast është i nevojshëm operacioni. Vendimi se kur është koha më e mirë për kryerjen e trajtimit kirurgjik, merret nga këshilli konsultativ i përbërë nga ortoped dhe reumatolog.
Cilat intervenime biologjike përdoren për artritin reumatoid?
Sinovektomia – kirurgjia për mënjanimin e sinoviumit të inflamatuar. Sinovektomia mund të bëhet në gju, bërryl, tek nyjet e gishtave, tek këllku, si dhe tek të gjitha nyjet e prekura nga artriti reumatoid.
Korrigjim i tendinës (dellit) – inflamacioni i nyjeve si pasojë e artritit reumatoid mund të shkaktojë dëmtim të tendinës. Në raste të tilla rekomandohet kryerja e operacionit për korrigjimin e tendinës (dellit). Atëherë rekomandohet kryerja e intervenimit kirurgjik për korrigjimin e tendinave rreth kyçeve. Me operimin e tendinave dhe me zhvendosjen e tyre në vende të tjera, mund të përmirësojë funksionin e kyçeve në mënyrë të ndjeshme.
Osteotomia – në rastet e deformimeve të kockave, bëhen intervenime për korigjimin e këtij deformimi dhe për përmirësimin e funksionit kyçeve.
Ngurtësim i kyçeve – ky intervenim kirurgjik përfshin bashkimin e kockave në mënyrë që të çaktivizohet lëvizja, duke bërë të mundur zhdukjen e dhimbjes dhe duke arritur një funksion më të mirë të këmbës. Fillimisht kryhet për funksionin e këmbëve, gishtave, shtyllës kurrizore, dhe rekomandohet për fazat më të avancuara të artritit reumatoid.
Çfarë është zëvendësimi total i nyjeve?
Nyjet në pjesën e këllkut dhe gjurit janë zonat të cilat kërkojnë më shpesh zëvendësim të tyre me endoprotezë tek pacientët me artrit reumatoid. Megjithatë, intervenime të tilla bëhen edhe tek nyjet e tjera në trup. Gjatë intervenimit, mënjanohen pjesët e dëmtuara të nyjeve dhe zëvendësohen me proteza. Me kujdesin e duhur, siç është ruajtja e një peshe trupore normale, shëndeti i përgjithshëm dhe niveli i aktiviteteve fizike, nyja e zëvendësuar zgjat madje mbi 20 vjet.
Kur rekomandohet zëvendësimi i gjurit?
Nëse keni kufizim të lëvizshmërisë, për shkak të gjurit të sëmurë i cili ju pengon që të kryeni aktivitetet e përditshme, ndërkohë që trajtimet e tjera nuk japin asnjë efekt, atëherë rekomandohet zëvendësimi i nyjes së dëmtuar me protezë. Në këtë rast ekzistojnë dy mënyra. Njëra është metoda klasike, metoda tjetër është operacioni minimalisht invaziv. Me operacionin minimalisht invaziv, muskujt ruhen, dhe koha e shërimit pas trajtimit është e reduktuar, dhe funksioni i nyjeve është i përmirësuar.
Kur është i nevojshëm zëvendësimi i këllkut?
Zëvendësimi i këllkut është një procedurë kirurgjike gjatë të cilës mënjanohet këllku i sëmurë apo i dëmtuar dhe zëvendësohet me këllk artificial. Zakonisht rekomandohet atëherë kur trajtimet e tjera nuk japin rezultat. Me zëvendësimin e këllkut lëvizja bëhet më e lehtë dhe dhimbja reduktohet.