Korrigjimi i veshëve është intervenim kirurgjik me anë të të cilit korrigjohet pozicioni apo forma e veshëve të cilët janë tepër të dalë dhe të ndarë nga koka, domethënë, korrigjim i veshëve llapushë. Periudha më e mirë për korrigjimin e veshëve është në moshën e fëmijërisë, atëherë kur kërci është më i butë dhe mund të modelohet më lehtë. Intervenimi kirurgjik mund të kryhet nën anestezi të plotë ose lokale.
Dr. Ilija Mostrov, specialist në kirurgjinë plastike dhe rindërtuese, në spitalin klinik “Acibadem Sistina” këshillon se kirurgjia estetike e veshëve është më mirë të kryhet kur fëmija të ketë mbushur 6 vjeç, pasi atëherë përcaktohet forma dhe pozicioni i veshit. Kërci i veshit është më i butë dhe mund ti jepet forma e duhur shumë më lehtë në krahasim me rastet e tjera tek personat e rritur. Zakonisht, ky intervenim kryhet tek fëmijët të cilët janë objekt i talljes nga fëmijët e tjerë për shkak të pamjes së tyre, dhe janë vërtetë të motivuar për kryerjen e intervenimit. Shpesh, iniciatorët për kryerjen e intervenimit janë dhe prindërit, të cilët mendojnë se “veshët llapushë” e prishin pamjen e fëmijëve të tyre. Me ndihmën e kirurgjisë estetike, mund të korrigjohet forma dhe pozicioni i veshëve.
Trajtimi operativ
Tek fëmijët e vegjël kryhet nën anestezi të plotë, ndërsa anestezia lokale është më e përdorur tek fëmijët më të rritur dhe për personat e rritur. Fëmijët përgjithësisht bashkëpunojnë për shkak të motivimit të theksuar që kanë. Gjatë intervenimit pjesa e veshëve mbiphet, bëhet prerja, dhe më pas bëhet modelimi i kërcit në mënyrë që të zvogëlohet këndi ndërmjet veshit dhe kokës. Pas qepjes së plagës, veshët lidhen me fashë të kompresuar rreth kokës. Intervenimi zgjat një deri në dy orë, në varësi të llojit të korrigjimit. Teknika kirurgjike varet nga problemi ekzistues. Nëse intervenimi kryhet nën anestezi të plotë, atëherë është e nevojshme që të merret trajtim një ditor në spital. Në rastet e intervenimit me anestezi lokale, pacienti kthehet në shtëpi vetëm pas disa orëve.
Periudha postoperative
Dhimbjet postoperative janë të rralla, dhe në rast se shfaqen, ato mund të kontrollohen me anë të ilaçeve. Pacientët duhet të lidhin patjetër fashë elastike për 14 ditë, më pas bëhet heqja penjve. Ky intervenim mund të kryhet në çdo periudhë të vitit, por për fëmijët rekomandohet gjatë periudhës së pushimeve të dimrit. Komplikimet janë të rralla. Zakonisht ndodh që të shfaqet ënjtje në zonën prapa veshit, nxirje apo hematomë. Dy muaj pas operacionit, gjatë aktiviteteve fizike dhe gjatë momentit kur jeni duke fjetur, duhet të mbani shirit sportiv dhe të tregoheni të kujdesshëm për të shmangur ndonjë goditje apo përplasje në zonën e veshëve.