Një nga pesë persona vuajnë nga depresioni

Nëse  edhe në momentet kur nuk ndjeni dhimbje, nuk ndiheni mirë, nuk keni gjendje humori të mirë, dhe nuk jeni të interesuar për gjërat të cilat ju bëjnë të lumtur, nëse keni problem me gjumin dhe me përqëndrimin, keni humbje të oreksit, dhe ju shfaqen mendime për vetëvrasje, atëherë ju vuani nga depresioni.

Mendohet që depresioni është një dukuri e cila shfaqet tek një nga pesë persona. Gratë janë dy herë më të prirura ndaj kësaj dukurie (për shkak të ndryshimeve të shpeshta të nivelit hormonal). Zakonisht nuk trajtohet në mënyrën e duhur, pasi njerëzit nuk arrijnë që ta dallojnë që bëhet fjalë për depresion dhe nuk kërkojnë ndihmë profesionale. Prandaj është e rëndësishme që të vështroni gjendjen tuaj aktuale dhe të vendosni nëse është e nevojshme që të diskutoni për gjendjen tuaj me ndonjë ekspert.

Depresioni reflektohet në forma të ndryshme

Depresioni është një sëmundje komplekse e cila ndikon në trupin, mendimet dhe gjendjen tuaj shpirtërore, duke ndikuar kështu edhe në aktivitetet e përditshme, ndjenjat, jetën sociale, marrëdhënien tuaj me familjen dhe partnerin, në punë, etj. Depresioni reflektohet ndryshe tek meshkujt dhe tek femrat. Meshkujt kanë teknika të ndryshme për tu përballur me këtë gjendje, në krahasim me femrat. Sikurse femrat, edhe meshkujt të cilët janë nën ndikimin e depresionit, nuk kënaqen me aktivitetet të cilave i’u gëzoheshin më parë, janë vazhdimisht të trishtuar dhe të pakënaqur.

Simptomat e depresionit:

  • Gjendje jo e mirë shpirtërore dhe trishtim i vazhdueshëm
  • Shmangie nga realiteti
  • Sjellje me shpërthime agresive
  • Varësi ndaj alkolit
  • Zemërimi pa arsye
  • Ndiheni të pavlefshëm dhe pa ndihmë
  • Humbje interesi ndaj aktiviteteve të përditshme
  • Humbje oreksi dhe energjie
  • Pagjumësi
  • Dhimbje

Shkaqet më të zakonshme të shfaqjes së depresionit

Tek gratë shkaku më i zakonshëm i shfaqjes së depresionit, konsiderohet ndryshimi i nivelit të hormoneve, ndryshim i cili zakonisht shfaqet në moshën riprodhuese. Këto ndryshime zakonisht vërehen gjatë pubertetit, shtatzënisë dhe menopauzës. Shkaqe të tjera të depresionit janë humbja e një personi të afërt, rritja e numrit të përgjegjësive në shtëpi dhe në punë, dhuna në familje si dhe faktorë të trashëguar.

Kërkoni ndihmë nga ekspertët

Zakonisht, njerëzit nuk i njohin dhe nuk i dallojnë simptomat e depresionit. Shpesh njerëzit mendojnë se bëhet fjalë për një gjendje dobësie momentale, dhe mundohen që të mos i kushtojnë rëndësi të veçantë kësaj gjendje. Kjo është arsyeja përse rrallë ndodhë që të  kërkojnë ndihmë nga mjeku. Në rast se kjo gjendje nuk trajtohet në kohë, ajo mund të përkeqësohet dhe të dalë jashtë kontrollit.

Depresioni nuk ndikon vetëm tek personat e prekur prej tij, gjithashtu ndikon edhe tek personat përreth jush. Depresioni mund të shkaktojë probleme në shumë aspekte të jetës suaj, siç është shëndeti, karriera, marrëdhëniet me njerëzit dhe siguria personale. Depresioni mund të përmirësohet me anë të ilaçeve dhe këshillave psikologjike (psikoterapi) madje edhe atëherë kur është në fazë të avancuar, prandaj mos u mundoni që ta trajtoni vetë.

Disa këshilla kundër depresionit

Gjithmonë rekomandohet këshillimi me mjekun pasi ai do t’ju tregojë  disa teknika të shëndetshme në mënyrë që të përballeni siç duhet me depresionin.

  • Vendosni qëllime dhe prioritete
  • Kërkoni mbështetje nga anëtarë të afërt të familjes ose nga miq të ngushtë
  • Merruni me aktivitete dhe mundohuni që të shijoni gjërat të cilat ju pëlqejnë më shumë
  • Praktikoni fitnes, shikoni filma, merruni me sport, bëni gjërat që dëshironi gjatë kohës së lirë
  • Mundohuni që të mos merrni vendime serioze të cilat mund ta ndryshojnë jetën tuaj, siç është për shembull ndërrimi i vendit të punës, derisa të përmirësohet gjendja juaj.

Gjithësesi, mjekësia ju ofron trajtime të ndryshme në lidhje me depresionin, prandaj, nuk duhet të merrni përsipër të kuroheni vetë pasi pasojat mund të jenë tepër të rënda.

 

Shpërndaj