METODA TË REJA PËR NJË SHTATZËNI TË SUKSESSHME

Falë teknikave të riprodhimit të asistuar, sot – 47 vite pas realizimit të fekondimit të parë in vitro – në botë janë lindur miliona foshnja. Që atëherë e deri më sot, procedurat, teknikat dhe metodat në riprodhimin e asistuar kanë shënuar përparim të jashtëzakonshëm.
Laboratori për in vitro pranë Departamentit për Riprodhim të Asistuar në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina” ndjek vazhdimisht të gjitha trendet dhe arritjet më të fundit botërore dhe i implementon ato në proceset e fekondimit.

Përveç metodave dhe teknikave ekzistuese të dëshmuara dhe të pranuara që i zbatojmë (IVF, ICSI, TESE, TESA, assisted hatching, ngrirja e qelizave vezë, embrioneve, spermatozoideve dhe indit testikular), laboratori ka prezantuar edhe metoda të reja që kanë dëshmuar se e rrisin ndjeshëm mundësinë për një shtatzëni të suksesshme.

ZYMOT përdoret gjatë inseminimit intrauterin (IUI) dhe në procedurat e fertilizimit in vitro (IVF) për përzgjedhjen e spermatozoidëve më cilësorë. Ai funksionon përmes metodës së mikrofiltrimit, e cila imiton procesin natyror të përzgjedhjes së spermatozoidëve. Përparësitë e preparatit ZYMOT janë të shumta, ndërsa një nga më të rëndësishmet është se përfaqëson një proces më natyral duke shmangur trajtimin mekanik ndaj të cilit i nënshtrohen spermatozoidët gjatë teknikave standarde të përgatitjes për procedurat IUI dhe IVF.

“Ky preparat mundëson një përzgjedhje më të mirë, pra ndihmon në zgjedhjen e spermatozoidëve lëvizës dhe morfologjikisht të shëndetshëm gjatë procesit të fekondimit me metodën ICSI. Një tjetër përparësi është edhe zvogëlimi i dëmtimeve në ADN-në, duke minimizuar praninë e spermatozoidëve me nivel të lartë të fragmentimit të ADN-së,” shpjegon Biljana Palçevska, embriologe.

ZYMOT rekomandohet për çiftet që kanë pasur disa tentativa të pasuksesshme të fekondimit in vitro (IVF), për meshkujt me përqindje të lartë të fragmentimit të ADN-së së spermatozoidëve, si dhe për çiftet me infertilitet të pashpjegueshëm. Hulumtimet tregojnë se përdorimi i ZYMOT-it rrit përqindjen e qelizave vezë të fekonduara, të cilat zhvillohen në embrione cilësore duke rritur kështu shanset për arritjen e një shtatzënie.

Embryo glue është një medium special që përdoret gjatë transferimit të embrionit në mitër. Ai përfaqëson një tretësirë që përmban një përqendrim të lartë të acidit hialuronik dhe faktorëve të tjerë biologjikë, të cilët përmirësojnë athezionin e embrionit në endometriumin, duke krijuar një mjedis optimal për implantimin e tij në mitër. Ky medium e rrit dialogun molekular ndërmjet embrionit dhe endometriumit duke përmirësuar implantimin dhe kështu duke rritur mundësinë për konceptim, rritje dhe zhvillim të suksesshëm të frytit.

„Mediumi embryo glue rekomandohet për të gjitha pacientet, por më së shpeshti për ato me më shumë tentativa të dështuara IVF, pacientet më të moshuara me aftësi të zvogëluar implantimi dhe pacientet që kanë probleme me endometriumin“, thotë Pallçevska.

Embrionet e selektuara para transferimit të embrionit vendosen në Embryo glue dhe në atë medium, me kateter, transferohen në mitrën e pacientes. Në këtë mënyrë mund të transferohen embrione në çdo fazë të zhvillimit, si dhe embrione të ngrira më parë. Shumë studime për këtë medium kanë treguar se përdorimi i tij sjell shkallë më të larta të implantimit, shtatzëni më të suksesshme pas transferimit të embrionit, mundësi më të ulëta për abort spontan.

Megjithatë, edhe pse mediumi Embryo glue është i dobishëm, ai nuk është garanci për sukses. Suksesi i procedurës IVF varet nga shumë faktorë të tjerë, si cilësia e embrionit, gjendja e endometriumit, faktorët individualë shëndetësorë dhe mosha e pacientes.

Biopsia e embrioneve është një procedurë që kryhet gjatë fekondimit t in vitro, për testim gjenetik të embrioneve para se të implantohen në mitër. Kjo teknikë ndihmon në zbulimin e anomalive gjenetike ose kromozomale dhe rrit mundësinë për një shtatzëni të shëndetshme. Ekzistojnë tri lloje të biopsisë embrionale:

  1. Biopsia e trupave polare – merret trupi polar nga qeliza vezë para fekondimit. Kjo metoda përdoret kryesisht kur kontrollohen çrregullimet gjenetike që vijnë nga nëna;
  2. Biopsia e qelizave nga embrioni 3-ditor (blastomerët) – merren 1-2 qeliza nga embrioni kur ka 6-8 qeliza. Kjo metodë përdoret më rrallë, sepse mund të ndikojë në zhvillimin e embrionit;
  3. Biopsia e qelizave nga embrioni 5-6 ditor (biopsia trofektodermale) – merren qeliza nga trofektoderma (pjesa që do të bëhet placenta). Kjo është metoda më e përdorur, sepse është më e saktë dhe më e sigurt.

Shpërndaj