Ushtrimet janë të domosdoshme për të gjithë të rriturit, veçanërisht për ata persona të cilët kanë probleme me zemrën. Këto janë pesë arsyet kryesore përse personat më të moshuar duhet të kryejnë ushtrime:
1. Optimizoni shëndetin tuaj të zemrës
Ushtrimet e rregullta kardiovaskulare të kombinuare me ushqim të shëndetshëm, do të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe sëmundjet e zemrës. Ushtrimet e duhura kardiovaskulare mund të ndihmojnë në qarkullimin dhe rregullimin e tensionit të gjakut dhe në kontrollin e diabetit. Aktiviteti i rregullt fizik dhe të ushqyerit shëndetshëm, përmirësojnë shëndetin tuaj duke ulur kolesterolin LDL (kolesterolin e keq), vlerat e triglicerideve, dhe duke rritur nivelet e kolesterolit HDL (kolesterolit të mirë).
2. Kontrolloni diabetin
Ushtrimet e rregullta aerobike, ndihmojnë në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak, e cila nga ana tjetër ndihmon në trajtimin e diabetit tip 2 (kombinuar me ushqim të përshtatshëm dhe mjekim). Me balancimin e ushqimit dhe të ushtrimeve, mund të reduktoni varësinë ndaj ilaçeve të diabetit.
3. Ruani fuqinë
Ushtrimet rritin masën e muskujve tuaj. Përveç se do t’ju bëjë më të fortë, rritja e masës së muskujve mund të përshpejtojë metabolizmin tuaj dhe t’ju ndihmojë në humbjen e peshës së tepërt. Ushtrimet janë veçanërisht të dobishme për personat më të moshuar të cilët kanë kryer operacion në zemër, zakonisht këta persona humbasin 15% të fuqisë së tyre nga qëndrimi i tyre për një javë në krevat. Ushtrimet e rregullta dhe të matura, do të ndihmojnë në shërimin dhe në kthimin e fuqisë tuaj pas kryerjes së operacionit në zemër.
4. Përmirësoni gjëndjen shpirtërore
A keni vënë re se me kryerjen e ushtrimeve përmirësoni dhe gjendjen tuaj shpirtërore? Për këtë ka një shpjegim mjekësor. Ushtrimet rritin sekrecionet e endorfinës, hormon i cili është përgjegjës për rritjen e gjëndjes shpirtërore apo të humorit. Kryerja e ushtrimeve të rregullta, ruan dhe përmirëson tupin dhe mëndjen tuaj.
5. Qëndroni të pavarur
Ushtrimet ndihmojnë në ruajtjen e vitalitetit tuaj. Kur ndiheni apo jeni të fortë, ju mund të bëni shumë më tepër për veten tuaj. Në vend që të jeni të varur ndaj ndihmës së dikujt tjetër, mund ta kontrolloni vetë jetën tuaj. Kryerja e operacionit në zemër apo sëmundjet e saj, ndikojnë tek të gjitha moshat, por për më të moshuarit është veçanërisht e domosdoshme ruajtja e fuqisë për aktivitetet e tyre të përditshme. Kryerja e ushtrimeve, është aleati juaj më i mirë për t’ju mbajtur të aftë, pozitivë dhe të pavarur. Mbani mend, gjithmonë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj para se të filloni të merreni me ndonjë aktivitet fizik.