Astma në shtatzëni – Simptomat, terapia dhe rekomandimet

Astma është problem me të cilin përballet pjesa më e madhe e popullatës, ku përfshihen edhe gratë shtatzëna.  Astma e pakontrolluar gjatë periudhës së shtatzënisë, mund të shkaktojë reduktimin e rrjedhës së oksigjenit tek fetusi, një rrezik i cili që në lindje foshnja mund të shkaktojë tek foshnja peshë më të vogël trupore dhe rritje të ngadaltë. Tek nënat mund të shkaktojë preeklampsi, probleme me placentën dhe rritje të presionit të gjakut. Është e vështirë që të parashikohet se si shtatzënia ndikon mbi astmën, pasi çdo grua shtatzënë reagon ndryshe. Rreth 1/3  e tyre kanë përmirësim të simptomave, tek po i njejti numër pothuajse nuk kanë ndryshim ose kanë përkeqësim të simptomave. Ajo çfarë është e rëndësishme, është fakti që astma duhet të kontrollohet që të mos vërë në rrezik nënën dhe foshnjën. Dr. Kamelija Bushljetiq, pulmoalergologe rekomandon çdo grua shtatzënë e cila ka astmë, të kryej kontroll çdo muaj tek mjeku pulmolog.

Simptomat

Simptomat e astmës nuk janë të njejta tek çdo grua shtatzënë. Ju mund të keni vetëm një simptomë, ndërkohë që dikush tjetër mund ti ketë të gjitha simptomat. Simptomat më të shpeshta përfshijnë:

  • Kollë, veçanërisht gjatë natës
  • Humbje të frymëmarrjes ose vështirësi në frymëmarrje
  • Shtrëngim, dhimbje ose presion në gjoks
  • Fishkëllimë në gjoks

Pulmoalergologët thonë se në rast se kaloni më shumë se dy bronkitë në një vit, apo ftohjet zgjasin më tepër se zakonisht dhe janë të shoqëruara me fishkëllimë në pjesën e gjoksit  dhe/apo me shtrëngim dhe rëndesë, dhe në rast se kolla zgjatë më tepër se 8 javë, atëherë patjetër duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Ai fillimisht do të rishikojë historinë tuaj mjekësore, historinë familjare dhe simptomat. Doktori mund t’ju rekomandojë kryerjen e testeve të frymëmarrjes, testeve alergjike, kryerjen e analizave të gjakut dhe radiografi në pjesën e kraharorit. Në rast se këto teste e rrisin dyshimin e astmës, do të nevojiten teste të tjera shtesë të cilat do ta konfirmojnë apo përjashtojnë praninë e astmës.

Terapia me ilaçe

Shpesh, gratë shtatzëna të cilat kanë astmë, gabojnë kur mendojnë se duhet të shmangin marrjen e terapisë së rregullt për shkak të frikës se mund ta dëmtojnë foshnjën e tyre. Fatmirësisht, një numër i madh i ilaçeve të cilat përdoren nuk janë të dëmshme dhe mund të përdoren pa problem gjatë shtatzënisë.

Historia familjare

Në rast se njëri nga prindërit ka alergji, atëherë gjasat janë të mëdha që edhe fëmija të ketë alergji. Gjasat që fëmija të ketë alergji janë akoma më të mëdha  në rast se të dy prindërit kanë alergji. Në rast se ju vuani nga astma, ka shumë mundësi që astma të shfaqet edhe tek fëmija gjatë jetës së tij. Sëmundja do të shfaqet tek rreth 30-40% e fëmijëve.  Shumë persona të cilët vuajnë nga astma kanë edhe alergji. Mjekët, këtë fenomen e quajnë “astma alergjike”.

Pesha trupore

Duhet të tregoheni të kujdesshëm edhe ndaj  rritjes së menjëhershme të peshës trupore, pasi ajo mund të jetë shkak i rritjes së rrezikut të astmës tek foshnja, por edhe tek nëna. Rritja e peshës trupore mund të ndikojë edhe në reduktimin e reagimit apo rezultatit të terapisë. Gjatë periudhës së shtatzënisë është e ndaluar pirja e duhanit për shkak të rritjes së rrezikut të astmës deri në brezin e tretë, si dhe për prirjen ndaj alergjive dhe sëmundjeve të tjera të jetës moderne.

Shpërndaj