Neoplasia cervikale intraepiteliale apo ndryshimet CIN janë ndryshime parakanceroze të qafës së mitrës. Ato janë ndryshime në strukturën e epitelit të qafës së mitrës të cilat paraprihen dhe nga të cilat më tej, pas një kohe të gjatë mund të zhvillohet kancer në qafën e mitrës. Terma të tjera të cilat përdoren shpesh për këtë patologji janë: ndryshimet abnormale të qelizave, ndryshimet parakancerogjene, displazia celulare, LIL ( lezione intraepiteliale me luspa), puçrra në qafën e mitrës, etj. Të gjitha këto terma tregojnë se qelizat abnormale janë të pranishme në qafën e mitrës, të cilat duhet të ndiqen vazhdimisht dhe të trajtohen nga gjinekologu juaj, me qëllim për të parandaluar progresimin e mëtejshëm të tyre në mënyrë që të mos arrihet deri në shfaqjen e kancerit të qafës së mitrës. Në shumicën e rasteve, si shkak i këtyre ndryshimeve është virusi HPV, i cili është seksualisht i transmetueshëm dhe ka më shumë se 150 lloje, veçanërisht ‘lloje me rrezik të lartë’ si HPV 16,18,33,35…
Neoplasia cervikale intraepiteliale apo ndryshimet CIN shkaktojnë ndryshime në qelizat epiteliale të qafës së mitrës të cilat karakterizohen me forma të parregullta dhe të pabarabarta, bërthama hiperkromatike, marrëdhënie të çorjentuar nukleoprotoplazmatike, rritje të numrit të mitozave dhe çrregullim në renditjen e qelizave nga membrana bazë në sipërfaqen e epitelit. Në varësi të shkallës së ndryshimit, këto displaza ndahen në:
CIN 1 displaza e shkallës së lehtë – ku ndryshimi është vetëm në një të tretën e pjesës së poshtme të epitelit të mitrës. Bëhet fjalë për shkallën më të lehtë të dispazimit, tek e cila në 70% të rasteve mund të çojë në regres spontan ose kërkon trajtim të vogël për tu tërhequr.
CIN2 displaza e shkallës mesatare – ku ndryshimi lëviz nga gjysma deri tek 2/3 e epitelit të qafës së mitrës, me rritje të numrit të mitozave dhe qelizave atipike.
CIN3 faza e rëndë e displazës – ku ndryshimi i qelizave të epitelit, gjendet në më shumë se 2/3 deri tek sipërfaqja e qelizave të epitelit në qafën e mitrës. CIN 3 është fazë para shfaqjes së kancerit të mitrës me potencial malinjë 35-40%. Në këtë grup përfshihet Carcinoma in situ ku qelizat atipike janë më shumë të theksuara dhe kjo më pas kalon në kancer invaziv të qafës së mitrës, i cili kërkon trajtim kirurgjik radikal.
Kanceri endocervikal i qafës së mitrës është atëherë kur procesi do të zhvillohet në kanalin e qafës së mitrës. Nga ana mikroskopike, kanceri i qafës së mitrës klasifikohet si pllakë dhe shumë më rrallë si kancer i epitelit cilindrik.
Simptomat
Nuk ekzistojnë simptoma të hershme në fazën preinvazive, në momentin kur të jenë shfaqur simptomat sëmundja ka kaluar në fazë te avancuar. Simptomat ndaj të cilave duhet të tregoheni të vëmendëshëm janë: gjakderdhje gjatë marrëdhënies seksuale, rrjedhja e bardhë vaginale e cila ka marë një ngjyrë të lehtë të kuqe e cila nuk reagon ndaj terapisë dhe dhimbja.
Diagnoza
Baza për diagnozën në rastet e ndryshimeve CIN janë : PAP testi, tipologjia e HPV dhe kolposkopia. Tek gjetjet e dyshimta citologjike dhe kolposkopike, diagnoza vërtetohet me anë të biopsisë (duke marrë një pjesë të indit) dhe kiretazhës endocervikale si dhe me diagnostikim konizues, në varësi të fazës së ndryshimeve displastike.
Trajtimi varet nga shkalla displastike e ndryshimit të qafës së mitrës dhe duhet të përcaktohet nga gjinekologu juaj. Tek shkallët më të vogla të ndryshimeve CIN 1 dhe CIN 2, niset me trajtimin e infeksionit dhe me përmirësimin e imunitetit lokal dhe sistemik. Në rastet e ndryshimeve më të mëdha si CIN 3 dhe Carcinoma in situ, trajtimi mund të kryhet me konizim (duke mënjanuar një pjesë të qafës së mitrës në formë koni). Tek kanceri invaziv, trajtimi bëhet me operacion radikal , histerektomi radikale dhe rrezatim.
Kryerja e kontrolleve të rregullta gjinekologjike janë të rëndësishme për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të displazave cervikale dhe kancerit në qafën e mitrës, si dhe për trajtimin e tyre të suksesshëm.