Kur bie fjala për dhimbet e kokës, shpesh mendohet se ky është një problem me të cilin përballen vetëm të rriturit. Dhimbja e kokës tek fëmijët është shpesh arsyeja për kontroll apo konsultim tek mjeku padiatër neurolog. Sikurse tek të rriturit edhe tek fëmijët ekzistojnë lloje të ndryshme të dhimbjes së kokës, siç janë dhimbjet e përsëritura të migrenës apo dhimbje koke tensioni (të shkaktuara nga stresi) por edhe dhimbiet kronike të përditshme.
Simtomat zakonisht shfaqen pasdite vonë dhe zgjasin nga 1-4 orë. Shumica e dhimbjeve të kokës tek fëmijët nuk janë të lidhura me sëmundje të rënda, por kanë të bëjnë me mënyrën e papërshtatshme të pushimit, me problemet në familje apo në shkollë, ushqimin dhe aktivitetet fizike. Për gjithçka rreth dhimbjes së kokës tek fëmijët flet Dr. Olivera Lekovska, neurologe pediatër në spitalin klinik ‘Acibadem Sistina’.
Migrena – kjo lloj dhimbje koke shfaqet gjithnjë dhe më tepër tek fëmijët, madje edhe tek foshnjat. Dhimbja nuk është e thënë që të shfaqet në një anë, kryesisht dhimbja shfaqet me pulsim (rrahje) e cila përkeqësohet më tepër nëse lëvizni apo merreni me ndonjë aktivitet. Migrena shfaqet shpesh me të përziera dhe të vjella, me dhimbje barku dhe me një mbindjeshmëri ndaj dritës apo zërave/tingujve.
Dhimbje koke tensioni – këto dhimbje zgjasin duke filluar nga gjysëm ore dhe deri me disa ditë. Fëmijët e vegjël shpesh pushojnë së luajturi dhe shtrihen pasi kanë nevojë për të fjetur më gjatë. Bëhet fjalë për dhimbjet e lehta deri tek ato me një intensitet të moderuar në të dyja anët e kokës, nuk është dhimbje pulsuese dhe nuk rritet gjatë aktivitetit fizik gjithashtu nuk shoqërohet me të përziera dhe të vjella. Ekziston tërheqje (spazëm) e muskujve të kokës, të qafës dhe të supeve (shpatullave). Kjo dhimbje koke, shpesh lidhet me moment stresuese në shkollë apo në shtëpi, janë të një karakteri beninj dhe shpesh kalojnë pasi të keni marrë një sy gjumë (pasi të keni fjetur).
Dhimbje koke Cluster (në grupe) – shfaqen tek fëmijët më të rritur, mbi moshën 10 vjeçare. Këto dhimbje shfaqen nga 5 ose më shumë episode, në intervale të ndryshme, mund të shfaqen një here në dy ditë, mund të shfaqen 8 herë në ditë. Bëhet fjalë për dhimbje të forta shpuese në njërën anë të kokës, e cila zgjatë 15 minuta deri në 3 orë, shoqërohet me lot, rrjedhje të hundës dhe shqetësim / ankth.
Dhimbje kronike të përditshme – ky term nënkupton dhimbjet migrenoze ose dhimbje koke tensioni të cilat shfaqen më shumë se 15 ditë në muaj, në një periudhë mbi tre muaj. Këto dhimbje janë të lidhura me infeksionet, me trauma të lehta në kokë dhe me përdorimin e tepruar të analgjezikëve (më shumë se 2-3 herë në javë).
Kur duhet të vizitoni mjekun?
Vizitoni mjekun neurolog për fëmijë nëse dhimbjet e kokës e zgjojnë fëmijën nga gjumi, nëse fëmija ka dhimbje koke të shpeshta apo të forta, nëse dhimbjet e ndryshojnë personalitetin/karakterin e fëmijës, nëse ato shfaqen pas rënies apo goditjes në kokë, nëse dhimbjet shoqërohen me temperaturë apo ngrirje të qafës. Faktorët të cilët ndikojnë në shfaqjen e dhimbjes së kokës janë: infeksioni (të ftohtit, gripi, infeksionet e veshit dhe të sinuseve si dhe infeksionet e rënda të trurit – meningjiti ose encefaliti të shoqëruara edhe me simptoma të tjera – temperatura e lartë, shtrëngimi i qafës); traumat në kokë – madje edhe traumat e lehta shkaktojnë dhimbje koke, por nëse dhimbja bëhet e fortë duhet të kryeni kontroll të menjëhershëm; faktorët emocional – stresi, ankthi, depresioni; predispozicioni gjenetik – veçanërisht për migrenën; ushqimi dhe pijet – (nitratet të cilat janë të pranishme në produktet e sallamrave, si dhe aditive të tjera në ushqim; kafeina e tepërt (lëngjet e gazuara, çokollata, kafja dhe çaji) ose proceset patologjike të trurit – tumori, gjakderdhja. Natyrisht, gjatë këtyre kushteve, gjithmonë ekzistojnë edhe simptoma të tjera të rënda – çrregullim vizual, marramendje, çrregullim të koordinimit motorik (të lëvizjes së duarve, këmbëve).
Si duhet të veproni?
Mbani shënim dhimbjet e kokës – kur shfaqen, sa zgjasin,faktorët e shfaqjes së dhimbjes. Bëni një listë të të gjitha ilaçeve, vitaminave dhe suplementeve që merr fëmija juaj. Vendosni një leckë të lagur dhe të ftohtë në ballin e fëmijës dhe lëreni të pushojë në një ambient të qetë dhe të errët. Jepini fëmijës një dozë ilaçi qetësues në fillim të shfaqjes së dhimbjes (ibuprofen ose paracetamal). Mos e përsërisni ilaçin më shpesh nga ç’është e rekomanduar! Praktikoni rregulla të shëndetshme – gjumë të mjaftueshëm, aktivitete fizike, ushqim të shëndetshëm. Rritja e peshës trupore dhe mungesa e aktivitetit fizik, janë të lidhura drejtpërdrejtë me shfaqjen e dhimbjes së kokës, veçanërisht tek adoleshentët. Reduktoni stresin – obligimet e shumta dhe reduktimi i argëtimeve dhe lojrave shkaktojnë shfaqjen e dhimbjes së kokës tek fëmijët. Gjithmonë konsultohuni me mjekun pediatër apo mjekun pediatër neurolog dhe përmbajuni planit të terapisë së lëshuar nga doktori.