DIABET I TIPIT 1 – sfida që mund të kontrollohet

Kur shkatërrohet një numër i madh i qelizave beta, pankreasi nuk është më në gjendje të prodhojë sasinë e nevojshme të insulinës. Insulina është hormoni që kontrollon nivelin e sheqerit në gjak, prandaj mungesa e saj bën që në një kohë të shkurtër pas shkatërrimit të qelizave beta të rriten nivelet e glukozës në gjak. Diabeti i tipit 1, në shumicën e rasteve, diagnostikohet te personat e rinj, por sot dihet se mund të zhvillohet në çdo moshë, pavarësisht gjinisë.

 “Ky është informacion kyç, të cilin e përsërisim vazhdimisht, sepse vonimi i vendosjes së diagnozës së saktë mund ta përkeqësojë gjendjen shëndetësore të pacientit”, thekson Dr. Petrovski.

Nëse i anashkalojmë paragjykimet shoqërore, e vërteta është se me diabet melitus të tipit 1 mund të jetoni një jetë të gjatë, të shëndetshme dhe cilësore. Ajo që ka rëndësi të veçantë është të keni rreth vetes një sistem të fortë mbështetjeje – si nga familja, ashtu edhe nga ekipi mjekësor që kujdeset për ju.

SIMPTOMAT E DIABETIT TË TIPIT 1

Kur shfaqet diabeti i tipit 1, niveli i glukozës në gjak rritet disa herë mbi vlerat normale. Një pjesë e glukozës eliminohet përmes urinës, gjë që shkakton urinim të shpeshtë dhe dehidratim. Një nga simptomat kryesore është etja e shtuar, pasi personi tenton të pijë sasi më të mëdha të lëngjeve. Simptomat më të zakonshme janë:

  • Urinim i shpeshtë
  • Ndjenjë e shtuar e etjes
  • Ndjenjë e vazhdueshme e urisë, edhe pas ngrënies
  • Lodhje ekstreme
  • Shikim i turbullt
  • Mavijosje ose prerje që shërohen ngadalë
  • Humbje peshe, pavarësisht marrjes së ushqimit

 “Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj këtyre simptomave, sepse njohja e hershme është shumë e rëndësishme për parandalimin e komplikimeve,” thekson Dr. Bozhinovska-Dimova.

Është e rëndësishme të dini se në fazat e hershme të zhvillimit të diabetit të tipit 1 mund të mos shfaqen simptoma të dukshme. Diabeti mund të zhvillohet shpejt, simptomat dhe shenjat mund të shfaqen shumë papritmas dhe gjendja shëndetësore e personit mund të përkeqësohet shpejt. Sa herë që ndodh dehidratim i rëndë, rritet niveli i glukozës dhe i ketoneve në trup, gjendje e njohur si ketoacidozë. Fëmijët me diabet të tipit 1 zakonisht shfaqin simptomat e përmendura më lart. Edhe pse diagnostikimi është relativisht i thjeshtë përmes matjes së glukozës në gjak gjatë vizitës tek mjeku ose në Departamentin e rasteve emergjente, thelbësore është njohja e simptomave dhe koha kur duhet të bëhet kontrolli.

Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm se fëmijët e vegjël, përfshirë edhe foshnjat, mund të zhvillojnë diabet melitus të tipit 1. Ndërsa tek të rriturit, diabeti i tipit 1 shpesh diagnostikohet gabimisht si diabet i tipit 2.

“Ky ngatërrim diagnoze mund të çojë në trajtim të gabuar dhe rreziqe shtesë për pacientin,” shpjegon Dr. Petrovski.

DIABET TIP 1 APO DIABET TIP 2?

Personat me diabet të tipit 1 shpesh kanë edhe faktorë klasikë rreziku për diabetin e tipit 2, siç janë mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, tensioni i lartë i gjakut apo mosha mbi 35 vjeç. Për këtë arsye, ata shpesh diagnostikohen gabimisht. Gjithashtu, disa të rritur me diabet të tipit 1 të sapodiagnostikuar nuk paraqesin simptoma të rënda në fillim. Në raste të zbuluara rastësisht gjatë kontrolleve sistematike, vetëm me gjetje të nivelit të rritur të sheqerit në gjak, shpesh fillimisht trajtohen me dietë apo me tableta nga mjeku familjar.

“Nëse trajtimi fillestar nuk jep rezultatet e pritura, është e domosdoshme që të bëhet rivlerësim i diagnozës tek endokrinologu,” thekson Dr. Bozhinovska-Dimova.

TRAJTIMI I DIABETIT MELITUS TË TIPIT 1

Trajtimi i diabetit të tipit 1 nënkupton përdorimin e terapisë me insulinë. Me avancimin e teknologjisë, ky proces është modernizuar ndjeshëm, duke e lehtësuar ndjeshëm jetën e pacientëve.

TRAJTIMI BAZË

Matja e nivelit të sheqerit në gjak

Më herët, matja e glukozës në gjak bëhej me glukometër: pacienti shpon majën e gishtit me një gjilpërë të vogël, merr një pikë gjaku dhe e vendos në shiritin e glukometrit për të parë nivelin e sheqerit.

Matja duhet të kryhet të paktën 4–6 herë në ditë.

  • Përdorimi i insulinëс
  • Aplikimi i insulinës disa herë në ditë me lapsa insuline, ose
  • Përdorimi i pompës së insulinës, e cila siguron një dozë më të vazhdueshme dhe më të kontrolluar të insulinës.

MËNYRA E RE E TRAJTIMIT

Senzorët për matjen e vazhdueshme të glikemisë. Sot teknologjia është shumë e avancuar dhe trajtimi ka ndryshuar ndjeshëm. Pacientët përdorin senzore për matjen e vazhdueshme të glikemisë.

Pompa automatike e insulinës. Aktualisht ekzistojnë pompa automatike të insulinës (Automated Insulin Delivery Systems), të cilat lidhen me senzorin e glukozës dhe përmes algoritmeve dërgojnë në mënyrë të vazhdueshme sasinë e nevojshme të insulinës, bazuar në nivelin e glikemisë.

“Teknologjitë moderne mundësojnë kontroll më të mirë dhe ulin në mënyrë të konsiderueshme rrezikun e hipo- dhe hiperglikemive”, thekson dr. Petrovski.

GJENI BALANCIN

Pa marrë parasysh se si diabeti është shfaqur në jetën tuaj, ju mund të arrini sukses duke balancuar dozën e insulinës, aktivitetin fizik të përditshëm dhe një plan të rregullt ushqimi. Por, nëse hasni vështirësi në këtë sfidë, gjithmonë mund të kërkoni ndihmë nga familja juaj, mjeku juaj dhe nga persona të tjerë që jetojnë me diabet të tipit 1.

“Zbulimi i hershëm dhe trajtimi i duhur janë faktorë kyç për një jetë cilësore, pa komplikime”, thotë Dr. Bozhinovska Dimova.

Me mjetet e duhura dhe mbështetjen e nevojshme, ju mund t’i bëni të gjitha. Pavarësisht nëse sapo jeni diagnostikuar me diabet të tipit 1, po i ndihmoni të afërmit tuaj, apo prej kohësh e mbani nën kontroll gjendjen, këtu do të gjeni mbështetje.

Shpërndaj