Dr. Ortakov: Gratë të cilat janë viktima të dhunës vuajnë nga depresioni dhe ankthi

Gratë në Maqedoni vazhdojnë të vuajnë dhe kanë frikë të denoncojnë se janë viktima të dhunës në familje. Shkak për këtë është turpi nga mjedisi përreth, por edhe frika se mund të humbasin familjen e tyre. Neuropsikiatri Vladimir Ortakov bën një profil të gruas maqedonase. Ai thotë se ndërgjegjësimi për të kërkuar ndihmë profesionale është në rritje, por jo aq sa është në vendet e Europës Perëndimore. Shifrat në buletinet e policisë janë alarmante, Dr. Ortakov mendon se kjo është vetëm një pjesë e vogël dhe se ka gra të cilat i fshehin problemet e tyre, për një sërë arsyesh.

“Gratë fshehin atë që i’u ndodh në shtëpi, domethënë dhunën në të cilën ato janë të ekspozuara. Duke vazhduar me rolin e sakrificës, ato  bëjnë vetë racionalizimin e tyre, duke arsyetuar faktin se ato duhet të mbeten në rolin e viktimës. Ekziston turpi, ekziston idea që familja mund të shpërbëhet dhe kjo do t’i dëmtojë fëmijët. Ata vazhdojnë ti mohojnë situatat dhe vazhdojnë ta justifikojnë dhunën”, thotë Dr. Ortakov.

Dr. Ortakov thotë se është shumë e lehtë të dallosh një familje në të cilën është e pranishme dhuna, shpesh ajo është jofunksionale. Gruaja e cila është viktimë e dhunës shpesh ka gjendje ankthi, depresioni dhe kërkon mbrojtje dhe mbështetje madje edhe nga abuzuesi.

“Ato duhet ta denoncojnë dhunën menjëherë. E keqja pushon së qeni e keqe vetëm atëherë kur del në dritë. Duhet ti jepet fund mosdënimit të akteve të tilla si dhuna në familje. Është e nevojshme që gratë të raportojnë dhe të kërkojnë ndihmë profesionale. Ekzistojnë individë pasivë të varur që kanë problem të jenë vetëm dhe vazhdimisht kërkojnë siguri me qëllim për të mbrojtur veten. Ka raste kur viktimat e mohojnë faktin e dhunimit”, thotë Dr. Ortakov.

Sipas mjekëve, dhuna mund të nxitet nga shumë arsye, njëra prej tyre është stresi, i cili gjithnjë e më shumë është i pranishëm në çdo familje. Sipas Dr. Ortakov, stresi zvogëlon pragun e tolerancës dhe shkakton një ndjenjë më të madhe frustrimi. Prania e dhunës është e tmerrshme, veçanërisht për fëmijët, pasi mund të shkaktojnë agresivitet që në vitet e para të jetës. Maqedonia është pjesë e disa fushatave që synojnë nxitjen dhe inkurajimin e grave që të denoncojnë se janë viktima të dhunës. Kërkesat janë gjithnjë e më të forta për t’i bërë dënimet më të rrepta ndaj autorëve.

Shpërndaj