Ndryshimet në hapësirën e gojës dhe ndryshimet tek dhëmbët, janë arsyeja përse ju duhet të vizitoni stomatologun. Lexoni më poshtë gjashtë simptomat të cilat tregojnë se keni problem me shëndetin oral.
Dhimbja e dhëmbëve
Dhimbja e dhëmbit është alarmi i parë për të vizituar stomatologun. Nëse prisni që dhimbja të kalojë vetë mund të shkaktoni problem më të madh. Me kalimin e kohës, procesi i dhëmbit të sëmurë vazhdon ta gërryej dhe ta dëmtojë më tepër dhëmbin, ndërkohë që dhimbja vazhdon të shtohet më tepër.
Dhimbja e nofullës
Dhimbja në nofull mund të shfaqet si rezultat i dhimbjeve të forta të dhëmbit, për shkak të irritimit të sinuseve, kërcitjes së dhëmbëve ose për shkak të problemeve me nyjen e nofullës. Dhimbja e nofullës është një arsye tjetër përse ju duhet të vizitoni sdtomatologun. Ai do të përcaktojë se për çfarë saktësisht bëhet fjalë, nëse shkaku i dhimbjes së nofullës lidhet me prblemin e dhëmbëve ose do t’ju rekomandojë të kryeni kontroll në ORL (otorinolaringolog).
Fryma me erë të keqe
Fryma përkohësisht me erë të keqe e shkaktuar nga ushqimi që konsumoni, nuk duhet t’ju shqetësojë. Nëse fryma e keqe zgjat për një kohë të gjatë, atëherë duhet të vizitoni stomatologun. Kjo mund të jetë një shenjë paralajmëruese për sëmundjen e mishrave të dhëmbëve apo diçka akoma më serioze. Zakonisht, era e keqe e gojës mund të reduktohet nga larja e rregullt e dhëmbëve dhe pastrimi i tyre i rregullt me anë të perit të posaçëm për pastrimin ndërmjet dhëmbëve të cilin mund ta gjeni në çdo farmaci.
Gjakderdhja nga mishrat e dhëmbëve
Gjakderdhja nga mishrat e dhëmbëve mund të shkaktohet nga përdorimi i furçës së papërshtatshme dhe gjatë larjes së dhëmbëve ajo e dëmton mishin e tyre. Gjithashtu mund të jetë edhe shenjë e ndonjë sëmundjeje apo irritmi të mishrave të dhëmbëve – gingivit. Nuk duhet të habiteni nëse gjatë pastrimit të dhëmbëve me pe të shfaqen gjurma gjaku. Por shpesh, gjakderdhja e mishrave të dhëmbëve e shoqëruar me dhimbje, mund të jetë një arsye e vërtetë përse duhet të vizitoni stomatologun tuaj.
Plagët në gojë
Shfaqja e plagëve në gojë mund të jetë për shkak të infeksionit, zakonisht viral ose fungal (myk). Problemi më i madh me të cilin përballen duhanpirësit është leukoplakia – lezione në mukozën e gojës. Për çdo ndryshim në mukozën e gojës duhet të informoni stomatologun tuaj.
Dhëmbët e plasaritur
Edhe pse shpesh nuk mund të vërehen me sy të lirë, dhëmb[t e plasaritur mund të shkaktojnë dhimbje nëse nuk trajtohen në kohë. Pikërisht për këtë arsye, dhëmbët e plasaritur, dhëmbët e dëmtuar, kërcitja e dhëmbëve janë gjendje të cilat nëse nuk trajtohen, mund të shkaktojnë komplikime të tjera.