Biopsia e gjirit është një procedurë mjekësore që kryhet nga mjeku specialist, gjatë së cilës merret një mostër nga indi i dyshimtë i gjirit për ekzaminim histologjik, me qëllim përcaktimin e natyrës së ndryshimit – beninj apo malinj. Ajo është pjesë e procesit diagnostikues të sëmundjeve të gjirit, së bashku me ekzaminimin klinik dhe ekzaminimet radiologjike si mamografia dhe ultrasonografia, që përbëjnë bazën e diagnostikimit sipas Dr. Dragan Smilevskit, subspecialist në kirurgji të kraharorit. Në disa raste të caktuara, mund të rekomandohen edhe metoda shtesë si rezonanca magnetike (MRI), veçanërisht te pacientet që tashmë kanë të diagnostikuar karcinomë të gjirit.
“Biopsia e gjirit është metoda më e saktë për diagnostikimin e të gjitha ndryshimeve në indin e gjirit. Qëllimi i biopsisë është të përcaktohet nëse këto ndryshime janë beninje apo malinje, gjë që ka rëndësi thelbësore për trajtimin dhe menaxhimin e mëtejshëm të gjendjes së pacientit”, thotë Dr. Smilevski.
Në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të gjirit zbatohet një qasje multidisiplinare, ku bashkëpunojnë kirurgët, onkologët, radiologët dhe patologët. Megjithatë, siç thekson Dr. Smilevski, biopsia dhe përcaktimi i indikacioneve për kryerjen e saj janë përgjegjësi e radiologut.
“Biopsia e gjirit është standardi i artë në diagnostikimin e abnormaliteteve në indin e gjirit. Ajo rekomandohet sa herë që zbulohen ndryshime të dyshimta gjatë ekzaminimit klinik, mamografisë, ultrasonografisë ose rezonancës magnetike (MRI). Indikacionet më të shpeshta për kryerjen e biopsisë janë masa e dyshimtë ose grupi i mikrokalcifikateve me karakteristika të dyshimta. Për navigacionin e biopsisë përdoren të gjitha metodat radiologjike, duke u zgjedhur ajo që siguron shikueshmërinë më të mirë të ndryshimit, në rreth 90% të rasteve biopsia kryhet me udhëzim me ultratinguj. Qëllimi i biopsisë është të japë një vlerësim të saktë të natyrës së ndryshimit, nëse ai është beninj apo malinj, gjë që është thelbësore për një trajtim të duhur dhe në kohë”, thotë Dr. Dhk. Maja Stojçevska Çapova, specialiste në radiodiagnostikë.
LLOJET E BIOPSISË SË GJIRIT DHE MËNYRA E KRYERJES
Biopsi me gjilpërë të hollë (Fine-needle aspiration biopsy FNA-b)
Biopsia me gjilpërë të hollë është një procedurë minimale invazive që kryhet me anestezi lokale dhe me udhëzim me ultratinguj. Me ndihmën e një shiringe dhe një gjilpëre shumë të hollë merret një mostër nga rajoni i dyshimtë i gjirit. Mostra përmban qeliza (jo indi i plotë) dhe dërgohet për analizë citologjike te patologu. Në bazë të pamjes mikroskopike dhe diferencimit të qelizave, rezultati klasifikohet në pesë grupe – ku grupi i parë tregon gjendje beninje, ndërsa grupi i pestë konfirmon një proces malinj. Mungesa e kësaj metode është se në rastet me inde të forta mund të mos sigurohet material i mjaftueshëm për një analizë të besueshme. Indikacionet kryesore për këtë metodë janë cistet komplekse dhe proceset inflamatore.
Biopsia core (core needle biopsy)
Ky lloj biopsie kryhet nën anestezi lokale, ndërsa mostra që merret është më e madhe dhe përmban një pjesë të indit. Kjo i mundëson patologut të kryejë një analizë më të detajuar dhe të japë një pasqyrë të strukturës histologjike të ndryshimit.
Biopsia kirurgjikale ekcizione
Ky lloj biopsie kryhet nën anestezi të përgjithshme në sallë operative. Gjatë intervenimit, kirurgu heq ndryshimin e dyshimtë në tërësi nga gjiri dhe shpesh largon edhe një pjesë të indit parenkimor, me qëllim sigurimin që lezioni të hiqet plotësisht. Dr. Smilevski thekson se ky lloj biopsie është veçanërisht i rëndësishëm për lezionet e paprekshme, domethënë ndryshime që nuk ndjehen gjatë prekjes, por janë të dukshme vetëm në imazhet radiologjike.
“Pothuajse çdo procedurë mjekësore në diagnostikimin dhe trajtimin e një gjendjeje është një proces ekipor, dhe kjo biopsi nuk bën përjashtim. Ajo kërkon përfshirjen e radiologëve, kirurgëve në sallën operative dhe patologut që kryen analizën finale,” thotë Dr. Smilevski.
Kjo biopsi kryhet në disa hapa. Fillimisht, radiologu detekton lezionin e dyshimtë në imazhet ekzistuese, më së shpeshti përmes mamografisë, ultrazërit ose rezonancës magnetike. Më pas, zhvillohet një konsultë mes radiologut dhe kirurgut për vendosjen e indikacionit për biopsi. Pas kësaj, bëhet vlerësimi i pacientit dhe përgatitja nga ekipi i anesteziologut.
“Në ditën e ndërhyrjes, procedura fillon në Departamentin e Radiologjisë. Nën anestezi lokale dhe me kontrollin e një metode radiologjike (ultrazërit, mamografisë ose rezonancës magnetike), pacientit i vendoset një tel special (marker), i cili përfundon në indin parenkimal nën ndryshimin e dyshimtë. Majat e telit kanë shumë grepa të vogla që parandalojnë zhvendosjen e tij dhe ndryshimin e pozicionit. Gjatë procedurës për vendosjen e markerit merr pjesë edhe kirurgu, i cili monitoron pozicionin e saktë dhe planifikon qasjen më të përshtatshme për heqjen e ndryshimit gjatë operacionit,” shpjegon Dr. Smilevski.
Ndërhyrja kryhet në sallën operative nën anestezi të përgjithshme të shkurtër. Gjatë operacionit, me ndihmën e markerit të vendosur paraprakisht, kirurgu identifikon ndryshimin e dyshimtë në gjirin dhe e heq në tërësi. Mostra e hequr dërgohet për analizë histologjike, ku ekipi i patologëve e përpunon dhe përcakton në detaje natyrën e indit.
“Në rastet kur biopsia ekcizione kryhet për shkak të prezencës së mikrokalcifikateve të grupuara, ekziston një kontroll shtesë. Mostra e larguar dërgohet te radiologu, ku bëhet mamografia e indit të hequr, me qëllim verifikimin nëse të gjitha kalcifikatet janë përfshirë. Kur mamografia tregon që ndryshimi është hequr në tërësi, operacioni përfundohet,” shpjegon Dr. Smilevski.
Rikuperimi nga ky lloj biopsie është shumë i shpejtë, dhe pacienti mund të lëshojë spitalin të njëjtën ditë, disa orë pas ndërhyrjes. Sipas Dr. Smilevski, kjo metodë mundëson një pasqyrë të plotë të lezionit të dyshimtë. Shumica e këtyre ndryshimeve nuk janë më të mëdha se disa milimetra. Nëse në mostrën e marrë identifikohet një ndryshim malinj, kjo tregon se sëmundja është diagnostikuar në një fazë shumë të hershme. Trajtimi i pacientëve të diagnostikuar në fazën fillestare të karcinomës është gjithmonë shumë më i lehtë dhe efikas.



