Pas një viti të mundimshëm në shkollë dhe në punë, më në fund erdhi koha për pushimin aq të dëshirueshëm si për ju edhe për fëmijët tuaj. Pushim nga orët e shkollës, nga të ngriturit herët, nga detyrat e shtëpisë, por kjo nuk do të thotë se fëmijët duhet të pushojnë nga mësimet deri në muajin shtator. Pas studimit 10 mujor, pushimet duhet të jenë një periudhë për argëtim, hulumtim dhe zbulime të reja. Pushimet janë një periudhë e përkryer për të biseduar apo trajtuar tema për të cilat fëmijët shfaqin interes, veçanëisht për ato tema me të cilat ata janë njohur gjatë vitit shkollor.
Pushimi për një periudhë të gjatë, bën që fëmijët ti harrojnë të gjitha njohuritë e mësuara gjatë vitit shkollor
Studimet kanë treguar se pushimi nga shkolla dhe argëtimi i fëmijëve gjatë pushimeve verore bëjnë që fëmijët të harrojnë njohuritë e mësuara gjatë vitit shkollor. Prandaj, të lexuarit libra gjatë periudhës së pushimeve verore është vërtetë e dobishme, veçanërisht për fëmijët të cilët nuk e kanë mbyllur vitin shkollor me rezultate shumë të mira. Nëse fëmija juaj ka pasur probleme me leximin, mos lejoni që pushimet verore ti kalojë vetëm duke luajtur. Lexoni sëbashku me të dhe ndihmojeni atë që ta përmirësojë leximin. Leximi i katër apo pesë librave gjatë pushimeve verore është tepër i dobishëm për çdo fëmijë. Nëse fëmija bën rezistencë dhe nuk tregon interes ndaj leximit të librave, atëherë lëreni atë që të përzgjedh librin që dëshiron.
Mos u kufizoni vetëm tek librat, lexojeni sëbashku menynë në restorant, hartën e qytetit, billbordet dhe reklamat nëpër qytet, shenjat rrugore, artikujt e veshjeve, etj. Pushimet verore mund ti kaloni edhe duke praktikuar ushtrimet matematikore nëpërmjet lojrave. Është e rëndësishme që të krijoni një lidhje të ngushtë dhe relaksuese me fëmijën në mënyrë që të mos i përjetoj veprimet e tij si detyrim apo si urdhër. Numëroni gurë, male, shkëmbinjë, re, duke e kthyer numërimin në një lojë, në mënyrë që fëmija ta pranojë më lehtë lojën dhe të përfshihet në të.
Bëhuni shembull për fëmijën tuaj
Fëmija është pasqyra e prindërit, prandaj mundohuni që të jeni shembulli ideal për të. Nëse doni që fëmija të lexojë gjatë pushimeve verore, këtë gjë do ta bëjë kur t’ju shikoj juve me libër në dorë. Bisedoni për ndonjë libër dhe analizojini personazhet, tregojeni historinë dhe lidheni atë me ndonjë ngjarje botërore. Afrejeni librin tek fëmija, nëse e pranon një herë, jini të sigurtë se do të keni rezultate të mira.
Vera ofron mundësi të shkëlqyera për ta përfshirë fëmijën tuaj në aktivitete të ndryshme, nëpërmjet të cilave jo vetëm që do të luaj dhe argëtohet por edhe do të mësojë.