Edhe atëherë kur menduat se i thatë lamtumirë ankneve të cilat ishin një dukuri e zakonshme në ditët e adoleshencës, ja ku janë – ato përsëri u shfaqën, këtë herë në kurriz. Ju tashmë nuk mund ta vishni fustanin tuaj të preferuar me kurriz jashtë, pasi kurrizi juaj është i mbushur plot me akne. Ato zakonisht shfaqen tek njerëzit të cilët janë të prirur për rritjen e sekretimit të gjendrave dhjamore.
Është vlerësuar se 61% e popullsisë po përballet me problemin e akneve në pjesën e kurrizit dhe atë të dekoltesë. Shfaqja e tyre nis nga rritja e veprimit apo punës së gjendrave dhjamore, të cilat janë më të shumta në pjesën e fytyrës, kurrizit, supeve dhe mollaqeve. Por një lajm i mire në lidhje me këtë problem, është se trajtimet moderne të cilat janë në dispozicion dhe përvoja e dermatologëve mund të ndihmojnë në trajtimin e tyre. Çfarë fazash ka dhe si duhen kuruar në mënyrën e duhur, morëm shpjegim nga doktor Andrej Petrov, dermatology në Spitalin klinik ‘Acibadem Sistina’.
Përse shfaqen?
Aknet në pjesën e kurrizit mund të zhvillohen në disa faza, dhe shfaqja e tyre ndodh kryesisht për shkak të faktorit të trashëguar – llojit të lëkurës dhe shkaqeve hormonale, për shkak të mbylljes së poreve nga djersa, për shkak të veshjeve me rroba të ngushta, për shkak të çantave, etj. Si rezultat shtesë i shfaqjes së tyre është dhe përdorimi i qumështit të trupit me përmbajtje yndyre, larja e shpeshtë e lëkurës me sapun dhe xhel për larjen e trupit, prekja dhe shtypja e tyre e dhunshme, konsumimi i ushqimeve të pasura me sheqer dhe yndyrëra, konsumimi i alkoolit dhe kafeinës, si dhe faktorët psikologjik. Përveç problemit estetik, shumë njerëz aknet në pjesën e kurrizit i përjetojnë edhe si problem psikosocial.
Fazat
Faza e parë përbëhet nga hipopigmentimet të cilat janë mjaft të dukshme. Faza e dytë përbëhet nga atrofia e butë apo hipertrofia, por mund të fshihen me preparate kozmetike. Faza e tretë përbëhet nga akne të moderuara atrofike apo hipertrofike të cilat nuk mund të mbulohen lehtë me grim (make-up) dhe nuk mund të shihen në një distancë më të madhe se 50 cm. Faza më e vështirë është shfaqja tepër e dukshme e akneve atrofike apo hipertrofike në një distance më të madhe se 50 cm të cilat nuk mund të sheshohen me anë të shtypjes apo shtrydhjes së tyre.
Trajtimi
Edhe pse shfaqen gjatë viteve të adoleshencës, pasojat e tyre mbeten si një vulë në lëkurën tonë për shumë vite. Për një trajtim më të mirë, dermatologu juaj duhet të bëj një plan të përcaktimit dhe shkallës dhe duhet të zgjedhë terapinë e përshtatshme. Lëkura në pjesën e kurrizit ka gjendra më të mëdha të cilat mund të shkaktojnë akne të mëdha nodulo-cistike, prandaj trajtimi mund të zgjazë më tepër se zakonisht. Për fazat më të lehta të akneve i dobishëm është dhe përdorimi i pilingut kimik në lëkurë, i cili e pastron atë thellësisht dhe heq shtresat e qelizave të vdekura, përmirëson tonin dhe cilësinë e lëkurës. Përveç kësaj aplikohet edhe terapia me locione, kremra dhe xhel.
Nëse aknet në pjesën e kurrizit i keni për një kohë më të gjatë, njëkohësisht keni shenja prej tyre, një trajtim të fuqishëm mund t’ju ofrojë edhe lazeri eCO2. Ai është ideal për trajtimin e fazave më të rënda dhe plagëve apo shenjave të shkaktuara nga aknet. Bën dëme të padukshme në lëkurë, ku dëmet e shkaktuar depërtojnë në shtresat më të thella të lëkurës dhe stimulojnë indin e shëndetshëm në prodhimin e kolagjenit të ri. Rezultatet e para janë përmirësim i dukshëm i statusit dermatologjik gjatë përdorimit të lazerit. Dhimbja pothuajse nuk ndihet fare ose është minimale, por mund të shfaqen efekte afat-shkurtra siç është skuqja, ënjtja apo ndjesia e djegies.