Radioterapia me jod është procedura e trajtimit e sëmundjeve të caktuara të gjëndrës tiroide me jod radioaktiv I-131. Dr. Liljana Muratovska, specialiste në mjekësinë nukleare, shpjegon se terapia me jod radioaktiv I-131 është procedurë e mjekësisë nukleare për trajtimin e gjëndrës tiroide hiperaktive dhe trajtimin e gjendjes pas operacionit të disa llojeve të karcinomit të gjëndrës tiroide.
Një nga mënyrat e mundshme për trajtimin e gjëndrës tiroide hiperaktive është aplikimi i jodit radioaktiv I-131. Tek hipertiroidizmi jepen doza të sakta të jodit radioaktiv me qëllim që të shkatërrohet indi hiperaktiv i gjëndrës tiroide ose të zvogëlohet madhësia e gjëndrës tiroide. Trajtimi me jod radioaktiv zbatohet atëherë kur nuk mund të arrihet kurimi me anë të tabletave pas një periudhe të caktuar, ose në rast se me anë të terapisë medikamentoze nuk mund të kontrollohet përsëritja e nivelit të lartë të hormoneve tiroide në gjak (rikthimi i sëmundjes).
Radioterapia me jod në disa raste përdoret edhe si zëvendësim i trajtimit kirurgjik për shkak se ajo është e thjeshtë, është një metodë ekonomike dhe praktike e trajtimit dhe me komplikime më të rralla. Tek gjendjet pas operacionit tek të cilat karcinomi i gjëndrave tiroide është i diferencuar mirë, aplikohen doza të larta të jodit radioaktiv. Qëllimi i kësaj terapie është shkatërrimi i çdo indi tiroid të mbetur në zonën e lozhës tiroide apo shkatërrimi i metastazave lokale apo të largëta të cilat janë shfaqur si rezultat i përhapjes së sëmundjes.
Ku dhe kush e aplikon terapinë me jod radioaktiv i 131?
Terapia aplikohet në departamentin e mjekësisë nukleare nga ana e mjekëve specialistë në fushën e mjekësisë nukleare, në ambiente të specializuara posaçërisht për këtë qëllim.
Si zhvillohet trajtimi?
Radioterapia me jod merret me gojë në formën e një kapsule ose në formë të lëngshme me një dozë të përcaktuar rreptësishtë dhe zakonisht nuk shkakton asnjë problem te pacientët. Jodi radioaktiv absorbohet në zorrët dhe më pas qarkullon nëpërmjet qarkullimit të gjakut duke u akumuluar në qelizat e gjëndrës tiroide. Jodi radioaktiv i akumuluar më pas i shkatërron qelizat e gjëndrës tiroide dhe së bashku me të edhe qelizat kancerogjene. Gjatë periudhës së terapisë pacienti izolohet në një dhomë të veçantë me mbrojtje ndaj radiacionit.
Efektet anësore të terapisë me jod radioaktiv
Efektet anësore të radioterapisë me jod janë shumë të rralla, dhe në rast se shfaqen zakonisht janë të përziera dhe të vjella, shije jo të mirë në gojë, ndërsa në pjesën e qafës mund të shfaqet dhimbje ose ënjtje të vogla rreth qafës të cilat dhembin. Nëse kanceri i gjëndrës tiroide është i përhapur edhe në pjesë të tjera, në të cilat gjithashtu akumulohet jodi, mund të shkaktojë dhimbje lokale apo ënjtje. Ndonjëherë ndodh që të shfaqet tharje e buzëve, apo humbje të ndjesisë së shijes. Për këto efekte anësore janë afatshkurtër. Gjithashtu, gjatë kohës së trajtimit është e nevojshme që të rritet sasia e pirjes së lëngjeve – eliminimi i përshpejtuar i jodit radioaktiv redukton rrezatimin në fshikëzën e urinës. Një efekt anësor i rrallë tek meshkujt është infertiliteti pas administrimit të dozave të larta të I-131, ndërsa gratë rekomandohen që ta shtyjnë shtatzëninë për një vit më vonë pas marrjes së trajtimit.
Efekti i trajtimit të kancerit të gjendrës tiroide
Është e mundur që me ndihmën e radioterapisë me jod të zhduken krejtësisht ndryshimet metastatike në qafë apo nyjat limfatike mediastinale. Pothuajse gjysma e metastazave në mushkëri, zhduken pas radioterapisë me jod, ndërkohë që tek 70% e pacientëve me metastaza në kocka kanë pasur trajtim të suksesshëm. Radioterapia me jod mund të përsëritet disa herë derisa rezultati përfundimtar të përmirësohet. Distanca kohore ndërmjet dy trajtimeve duhet të jetë të paktën 6 muaj.