Osteoporoza – “vjedhës i heshtur” i indit kockor

Osteoporoza është sëmundje e kockave e cila redukton dendësinë dhe cilësinë e indeve kockore. Skeleti i pacientit me osteoporozë bëhet i ndjeshëm ndaj frakturave, të cilat mund të shfaqetnmadje edhe ndaj lëndimeve më të vogla apo gjatë ngarkesave më të vogla në kocka, gjatë ndonjë lëvizje apo mbështetje të papërshtatshme, madje mund të shkaktohen edhe nga presioni që shkakton vetë pesha trupore e pacientit mbi kockat. Kjo është arsyeja përse osteoporoza është quajtur “vjedhës i heshtur” apo “vrasës i heshtur” i indit kockor. Sipas Dr. Neda Trajkovska, kirurge –traumatologe, trajtimi është i gjatë, ndërsa pasojat janë të rënda. Zbulimi në kohë i sëmundjes dhe trajtimi i duhur i saj është tepër i rëndësishëm për jetën e mëtejshme dhe funksionimin normal të pacientit. Trajtimi i duhur, duhet të reduktojë invaliditetin dhe duhet ta kthejë pacientin përsëri në formë.

Diagnostikimi i frakturave

Një numër i madh pacientësh nuk arrijnë ti dallojnë frakturat deri në momentin e kryerjes së shqyrtimeve për diagnostikimin e gjendjes së tyre. Një përqindje e madhe e këtyre rasteve shoqërohen me dhimbje dhe me dëmtim apo humbje të funksionit. Zakonisht fraktura ndodh në kyçin e dorës, në pjesën e këllkut, tek rruazat e shtyllës kurrizore, rrallëherë shfaqen fraktura në pjesën e gjymtyrëve të poshtme. Për diagnostikimin e thyerjes (frakturës) së kockës është e nevojshme kryerja e kontrollit klinik në atë zonë në të cilën pacienti ankohet nga dhimbja, më pas vijon kryerja e radiografisë dhe në rast se është e nevojshme edhe tomografia kompjuterike apo rezonanca magnetike. Mjeku juaj do të bëjë analizimin e fotografimit, me anë të së cilit do të përcaktojë apo vërtetojë shkallën e rëndesës së frakturës. Dhimbja mund të reduktohet me anë të ilaçeve kundra dhimbjeve, ndërkohë që reduktimi i moslëvizshmërisë arrihet me anë të terapisë fizikale.

Trajtimi kirurgjik

Trajtimi i frakturave në pjesën e poshtme të gjymtyrëve është tepër i rëndësishëm pasi trajtimi i duhur i tyre do të thotë vertikalizim dhe rehabilitim në kohë, gjë e cila rezulton me rikthimin e kryerjes së aktiviteteve të përditshme. Këto lloj frakturash zgjidhen me anë të trajtimit operativ, duke e fiksuar atë me një material të veçantë osteosintetik ose me anë të vendosjes së endoprotezës. Diagnostikimi në kohë tek këta pacientë është çelësi bazë i rehabilitimit të shpejtë dhe rikthimit në aktivitetet e përditshme, si dhe përsa i përket shmangies së komplikimeve të mundshme. Edhe pse nuk janë aspak të parëndësishme, frakturat e gjymtyrëve të sipërme jo gjithmonë trajtohen në mënyrë operative. Trajtimi konzervativ dhe imobilizimi i thyerjeve të kockave të gjata, pa ndonjë zhvendosje të madhe, japin rezultate të mira, veçanërisht tek pacientët me shëndet përgjithësisht jo të mirë. Kjo nuk vlen për thyerjet intra-artikulare (ato të cilat i përfshijnë nyjet) ku është e rëndësishme rivendosja ideale dhe mundësia e fillimit të hershëm të procesit të rehabilitimit, gjë që arrihet nëpërmjet trajtimit operativ.

Këta pacientë mund të lëvizin, mund të kryejnë aktivitete të përditshme me disa kufizime, prandaj dhe mundësitë e trajtimit janë më të gjëra. Dhimbja në pjesën e shpinës, deformimi gradual i saj, duke formuar gungë, me reduktim të gjatësisë mbi 5 cm, sulmet neurologjike janë pjesë të simptomave që shfaqen tek rastet e frakturave kompresive tek trupat vertebrorë. Zakonisht shfaqen si rezultat i presionit që krijohet ndërmjet rruazave për shkak të peshës trupore apo të rënies së energjisë. Pacientët mund të mos jenë të vetëdijshëm për gjendjen e shkaktuar dhe shpesh dhimbjen e shpinës e përshkruajnë si spondilozë, hernie diskale, lumboishialgji… Ata të cilët e trajtojnë osteoporozën në mënyrë joadekuate, apo paraqiten me vonesë tek mjeku, shpesh përfundojnë me fraktura komprensive të cilat shkaktojnë edhe bllokimin e gjymtyrëve. Diagnostikimi i hershëm, kryerja e radiografisë dhe shqyrtimeve neurologjike, ofrojnë mundësinë e trajtimit konzervativ me anë të analgjezikëve (ilaçeve kundra dhimbjeve), mbajtjes së korseva apo shtrënguesve të përshtatshëm, terapisë fizikale, si dhe gjithashtu mund të jepet trajtim operativ. Si zgjedhje e trajtimit operativ është vertebroplastike perkutuese, me anë të mbushjes të frakturës me çimento, e cila mundëson lehtësimin e shpejtë të dhimbjes tek pacienti.

Vertebroplastika – metodë efektive për stabilizimin e shtyllës kurrizore

Vertebroplastika është një metodë minimalisht invazive dhe veçanërisht efektive e cila kryhet në rastet e rruazave të kompresuara. Këto fraktura bëjnë pjesë në grupin e thyerjeve patologjike, si rezultat i ndonjë traume të vogël , zakonisht ndodh si rezultat i sëmundjes së osteoporozës. Përdoret si trajtim tek frakturat patologjike të shkaktuara nga osteoporoza ose në rastin e ndryshimeve në shtyllën kurrizore të shkaktuara nga tumori (primar apo sekondar). Procedura është e shkurtër dhe në varësi të vlerësimit të mjekut anesteziolog dhe gjendjes tuaj të përgjitshme shëndetësore, kjo kryhet me anestezi lokale të theksuar, intravenoze afatshkurtër ose me anestezi të përgjithshme endotrakeale. Gjatë procedurës, në mënyrë të vazhdueshme monitorohen funksionet vitale në mënyrë që të shihet reagimi i organizmit ndaj çimentos të veçantë spinale – polymethylmethacrylate. Përdoren gjilpëra të veçanta nëpërmjet të cilave injektohet çimentoja me dendësi të veçantë drajtpërdrejtë në rruazat të cilat kanë pësuar ndryshim. Gjatë momentit të kryerjes së intervenimit, pacienti qëndron shtrirë me bark. Përfitimi më i madh nga kjo procedurë është zhkja e shpejtë dhe e plotë e dhimbjes, e cila ka qenë shkaku i marrjes së sasive të mëdha të analggjezikëve. Por, vertebroplastika nuk do të thotë që ju duhet ta lini pas dore trajtimin e sëmundjes tuaj bazë – osteopotozës.

 

Shpërndaj