Vera, pushimi dhe shëndeti ynë mendor
Verën më së shpeshti e lidhim me diellin, udhëtimet dhe çlodhjen. Por, a mjaftojnë ardhja e stinës së verës dhe ndryshimi i rutinës së përditshme që të ndihemi më mirë?
Dr. Verica Malinkova Dimovska, Mr. Sci, specialiste e psikiatrisë, shpjegon se pushimi mund të na ndihmojë të rikthejmë energjinë dhe ekuilibrin psikofizik, por nuk mund t’i zgjidhë problemet që i mbajmë brenda vetes për një kohë të gjatë.
Trurit i nevojitet kohë për t’u përshtatur
“Trurit i nevojitet kohë për t’u shkëputur nga stresi i vazhdueshëm. Ndonjëherë, ditët e para të pushimit nuk janë periudhë relaksimi, por përshtatjeje – momenti kur më në fund fillojmë ta ndiejmë lodhjen që kemi grumbulluar gjatë vitit.”
Pushimi veror nuk nënkupton domosdoshmërish një destinacion të përsosur, një orar të mbushur dhe fotografitë më të bukura. Ndonjëherë, vlerën më të madhe e kanë çastet më të thjeshta: gjumi cilësor, shëtitjet, bisedat me njerëzit e afërt dhe koha gjatë së cilës nuk kemi nevojë të nxitojmë vazhdimisht”, shpjegon dr. Malinkova Dimovska.
Kujdesi për shëndetin mendor nuk është luks
Kujdesi për shëndetin mendor është pjesë e rëndësishme e kujdesit për shëndetin në tërësi.
Duhet t’ia kujtojmë vetes se rrjetet sociale shpesh tregojnë vetëm anën më të bukur të jetës. Nuk duhet ta krahasojmë ditën tonë reale me disa çaste të jetës së dikujt tjetër, të përzgjedhura me kujdes.
Ndonjëherë, as pushimi dhe as çastet e bukura nuk sjellin lehtësim. Por, nëse ankthi, trishtimi, humbja e interesit ose lodhja janë të pranishme për një kohë të gjatë, ndoshta nuk na nevojitet vetëm një pauzë më e gjatë.
Disa çaste paqeje dhe lidhjeje
Rekomandohet të krijojmë një verë gjatë së cilës nuk do të përpiqemi thjesht të “durojmë” deri në pushime, por do të gjejmë çaste paqeje, pranie dhe lidhjeje me veten dhe me njerëzit që duam.
Pushimi nuk duhet të jetë i përsosur që të jetë i dobishëm. Ndonjëherë mjafton të ndalemi për pak, të pushojmë pa u ndier në faj dhe ta dallojmë në kohë kur kemi nevojë për mbështetje profesionale shtesë.
Nëse për një kohë të gjatë ndieni ankth, trishtim, lodhje ose humbje të interesit, bisedoni me një profesionist dhe kërkoni mbështetje në kohë.

