QËNDRIMI NË SHTËPI KA SHKAKTUAR ANKTH DHE NJË SËRË ÇRREGULLIMESH TEK TË RINJTË

Pandemia  nga Covid-19 ndryshoi mënyrën e jetës, ndryshoi rregullat duke ndikuar mbi sjelljen e të rinjve. Jashtë bankave shkollore dhe procesit arsimor, nxënësit kaluan më shumë kohë para kompjuterit, lojërave të internetit, ndërsa shumë pak duke u shoqëruar me bashkëmoshatarët. Kjo situatë nuk do të kalojë pa ndikim mbi shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Dr. Natalija Angelkova, pediatër- neurolog, thotë se për shkak të kësaj është normal të shfaqen ankthi dhe tensioni tek fëmijët, prandaj rolin kryesor duhet ta luajnë prindërit, të cilët duhet të jenë motori i mbështetjes, të ofronjnë ndihmë dhe kujdes.

ANKTHI DHE ÇRREGULLIMET

Për fëmijët në moshën 4 vjeç e deri në adoleshencë, të cilët tashmë kanë kaluar socializmin fillestar, periudha në shkollë është e rëndësishme sepse atëherë ata komunikojnë me moshatarët, me miqtë dhe mësuesit. Gjatë kësaj periudhe, ndërtohet personaliteti i tyre, pranohen përgjegjësitë, miratohen rregullat e sjelljes dhe respektit për mjedisin dhe personalitetet. Dr. Angelkova thotë se edukimi në institucionet parashkollore dhe shkollore jep bazat e disiplinës, përgjegjësisë, saktësisë, dhe në të njëjtën kohë  ndërveprimit, bashkëpunimit, mbështetjes, ndihmës, bashkësisë. Sidoqoftë, situata e re goditi pikërisht  këtë moment. “Këto momente të cilat janë shumë të rëndësishme në procesin arsimor dhe të zhvillimit  janë humbur në këtë periudhë. Ndalimi dhe kufizimi i aktivitetit fizik – nga loja e lirë në natyrë deri në ndërprerjen e të gjitha stërvitjeve sportive çon në letargji, adinamizëm, paraqitjen e problemeve fizike në moshën shkollore, siç janë deficiti në aftësitë motorike, ankthi dhe paaftësia për ta përdorur energjinë potenciale ”, thotë Dr. Angelkova. Ajo pajtohet që koha e kaluar duke ulur kryesisht shkakton mbingarkimin e shtyllës kurrizore, qafës dhe rajonit lumbal duke rezultuar me skoliozë. Shumica e fëmijëve ballafaqohen me mbipeshë, por edhe çrregullime në të pamurit, tension dhe agresivitet për shkak të “hyrjes” së vazhdueshme në botën virtuale “që pëson nga lojërat. Ajo i potencon çrregullimet e tjera që mund të shfaqen në kanalet e jashtme të veshit, të cilat shfaqen për shkak të përdorimit afatgjatë të kufjeve. Më në fund,  mund të shfaqen çrregullime në ritmin dhe arkitektonikën e gjumit për shkak të mbijetesës së lojërave dhe situatave të ditës së kaluar, por edhe për shkak të pasigurisë dhe frikës nga gjendja në të cilën jeton.

KALONI MË SHUMË KOHË JASHTË SHTËPISË

Qëndrimi në shtëpi gjatë masave restriktive së pari rezultoi me shtim në peshë tek shumica e personave, duke përfshirë edhe fëmijët. Dr. Angelkova thotë se me ditët e ngrohta u kthye mundësia për kthimin e kondicionit fizik. Ajo thotë se është e nevojshme që prindërit t’i motivojnë fëmijët e tyre që të ecin çdo ditë, të interesohen për aktivitete në natyrë, të zgjojnë dashurinë për natyrën

“Çdo ndryshim i imponuar i jetës së përditshme – ndalimi, kufizimi, detyra e pazakontë provokon negativitet, bashkëpunimi realizohet në mënyrë të vështirë, shfaqet ankthi. Me pakënaqësi i kryejnë detyrimet, komunikojnë me rezistencë dhe një ton më të lartë. Disa fëmijë shprehin pasigurinë, frikën nga situata e panjohur dhe e vështirë.  Depresioni është i pranishëm tek personat e moshuar, ata që e kuptojnë situatën e re dhe janë të vetëdijshëm për rreziqet. “Ata izolohen ende më shumë nga mjedisi, gjë që rezulton me mangësi në të mësuarit, përjashtim nga grupet sociale të cilave u përkasin,” tha Dr. Angelkova. Ajo është decide se përveç qëndrimit në shtëpi, të rinjtë shpesh kaluan kohën me aparatet teknologjike. Kjo gjë brengos, thotë ajo.

TË MOS QËNDROJMË PA FJALË

Ajo shpjegon se fëmijët e vegjël shikojnë filma vizatimore ose luajnë lojëra që shpesh janë të paqarta dhe mund të jenë të frikshme për moshën dhe perceptimet e tyre. “Shumë fëmijë gjatë viteve të fundit janë ushqyer ekskluzivisht ‘duke shikuar në monitor’. Fëmijët e moshës shkollore luajnë lojëra, ndonjëherë argëtuese ose konkurruese, por ndonjëherë agresive, me britma të forta, grindje dhe fjalë të papërshtatshme. Është e vështirë t’i ndërpritni gjatë lojës për të ngrënë ose për të kryer ndonjë detyrë pa rezistencë serioze nga ana e tyre. Në këto raste, fajin e kemi ne, të rriturit duke u sjellë në mënyrë indiferente, kështu miratojmë sjelljen e keqe, nuk luajmë rolin tonë edukativ, i cili është më i rëndësishëm në ndërtimin e personaliteteve të shëndetshme.  Shpesh marrim detyrat dhe përgjegjësitë e fëmijëve, duke u kursyer ata nga aktivitetet e dobishme për të fituar kohë, nuk jemi këmbëngulës në kërkesat që mundësojnë pavarësinë e tyre dhe adaptimin social”, tha Dr. Angelkova.

Ajo konsideron  se një përvojë pozitive do të ofrojnë prindërit të cilët kalojnë më shumë kohë në shtëpi për shkak të masave speciale ose të cilët punojnë nga shtëpia, kështu që kanë mundësi për të komunikuar më shumë me fëmijët e tyre. Gjëja më e rëndësishme është të keni lojë të përbashkët, shoqërim interaktiv, duke inkurajuar pjesëmarrjen e fëmijëve në aktivitetet e shëtpisë. Shëtitjet e përbashkëta ose sportet ndihmojnë për të kapërcyer izolimin social të fëmijëve nga moshatarët e tyre. Është e rëndësishme që të tregoni interes dhe vëmendje për gjithçka që fëmijët duan ta shprehin. Në këtë mënyrë, do të ndërtohet besimi i ndërsjellë, lidhja emocionale, siguria dhe vetëbesimi i cili është shumë i rëndësishëm për të rinjtë.

 

Shpërndaj