Sëmundjet inflamatore të zorrëve të tilla si koliti ulçeroz dhe sëmundja Crohn, janë inflamacione kronike të traktit gastrointestinal me origjinë të panjohur. Jeta moderne, veçanërisht stresi dhe ushqimi, janë faktorë rreziku për shfaqjen e këtyre sëmundjeve të cilat në disa raste mund të jenë kërcënuese për jetën. Në vijim, Dr. Dimitar Trajkov, gastroenterohepatolog, shpjegon më tepër në lidhje me këto sëmundje.
Çfarë është koliti ulçeroz, dhe çfarë është sëmundja Crohn?
Ekzistojnë dy lloje të sëmundjeve inflamatore të zorrëve – koliti ulçeroz dhe sëmundja Crohn. Koliti ulçeroz është inflamacion i zorrës së trashë. Sëmundja Crohn mund të shfaqet përgjatë gjithë traktit gastrointestinal, duke filluar nga hapësira e gojës deri tek hapja anale (pjesa e fundit e zorrës së trashë), zakonisht duke përfshirë edhe pjesën e fundit të zorrës së hollë.
Cilët janë faktorët e rrezikut?
Faktorët e rrezikut për sëmundjet inflamatore të zorrëve janë: mosha, raca dhe etnia, historia familjare, pirja e duhanit, përdorimi i disa ilaçeve të caktuara, vendi i banimit.
Si ti dallojmë simptomat?
Simptomat e këtyre sëmundjeve variojnë dhe varen nga shkalla dhe ashpërsia e inflamacionit. Sëmundja ka fazë aktive, por edhe periudha përsa i përket kurimit spontan apo me anë të ilaçeve, si dhe rishfaqja e saj. Simtomat më të zakonshme të sëmundjeve kronike inflamatore janë:
• Jashtëqitje të ujshme
• Dobësi dhe lodhje
• Dhimbje barku
• Jashtëqitje të shoqëruar me gjak
• Humbje të oreksit dhe të peshës trupore
Në rastet klinike më të rënda, sëmundja Crohn dhe koliti ulçeroz janë sëmundje të cilat vënë në rrezik jetën e njeriut, për të cilat kërkohet domosdoshmërisht hospitalizimi i pacientit për marrjen e trajtimit.
Si diagnostikohet?
Sëmundjet inflamatore të zorrëve diagnostikohen me anë të metodave endoskopike, zakonisht me anë të kolonoskopisë.
Kolonoskopia – është kontroll i zorrës së trashë, me një hyrje të shkurtër të zorrës së hollë.
Endoskopia e sipërme – është kontroll i ezofagut, stomakut dhe pjesës fillestare të zorrës së hollë.
Në rast se shfaqen dyshime rreth pranisë së sëmundjes, bëhet biopsia endoskopike dhe bëhet konfirmimi patohistologjik i sëmundjes.
Si trajtohet kjo sëmundje?
Trajtimi i kësaj sëmundje varet nga lloji i kolitit, formës së tij, moshës së pacientit dhe pranisë së sëmundjeve të tjera kronike. Trajtimi pothuajse gjithmonë nis me ilaçe. Tek format më të rënda të sëmundjes, të cilat nuk reagojnë ndaj trajtimeve biologjike dhe konvencionale, atëherë është e nevojshme kryerja e trajtimit kirurgjikal. Trajtimi kirurgjikal mund të jetë i planifikuar, por mund të jetë edhe urgjent në rastet akute dhe të komplikuara. Përveç trajtimit me ilaçe, një pjesë e rëndësishme e trajtimit është edhe trajtimi dietik, aktiviteti fizik, reduktimi i stresit. Për pacientët me sëmundje inflamatore të zorrëve nuk mund të thuhet me siguri se shërimi i tyre është krejtësisht i plotë.