Valvula mitrale gjendet ndërmjet atriumit të majtë dhe barkushes së majtë. Funksioni i saj është që të lejojë gjakun të rrjedhë në rrugën e duhur, nga atrium i majtë në barkushen e majtë. Në rast se tek kjo valvul shfaqen ndryshime, atëherë ajo bëhet e fortë, jo elastike dhe funksioni i saj i hapjes dhe mbylljes duke ndjekur kontraktimet e zemrës, bëhet i pasaktë. Kjo mund të shkaktojë reduktimin e rrjedhjes së gjakut, apo pjesërisht gjaku të kthehet në atrium dhe në mushkëri. Sipas Prof. Dr. Salis Taxher, kardiokirurg, në të dyja rastet si rezultat i reduktimit të gjakut, shfaqet reduktim i kapacitetit funksional të zemrës, dhe shfaqja e simptomave.
Faktorët e rrezikut
Disa faktor rreziku mund të kontribuojnë në dështimin mitral:
- Historia mjekësore e prolapsit (rënies) së valvulës mitrale apo stenozës mitrale. Nëse në familje keni anëtarë të cilët vuajnë nga sëmundje të valvulave të zemrës, rritet rreziku i shfaqjes së dështimit mitral.
- Infarkti në zemër. Disa sëmundje të zemrës, siç është sëmundja koronare arterike, mund të ndikojnë në dobësimin e valvulës mitrale.
- Përdorimi i disa ilaçeve mund të shkaktojë dështimin e valvulës mitrale.
- Disa infeksione të caktuara, siç është endokarditi ose dridhjet reumatike.
- Sëmundjet kongjenitale të zemrës. Disa persona lindin me valvul abnormale mitrale, dhe kanë rrezik të madh të dështimit të saj.
- Me kalimin e viteve, rritet rreziku i dështimit mitral për shkak të kunsumimit gradual të valvulës me kalimin e viteve.
Stenoza mitrale
Stenoza mitrale është një gjendje gjatë të cilës valvulat nuk hapen mjaftueshëm për të lejuar rrjedhën normale të gjakut. Kjo mund të ndodhë si rezultat i kalcifikimit të valvulës (ato bëhen të forta dhe të palëvizshme), ose ngjiten si rezultat i infeksioneve dhe sëmundjes ishemike në të kaluarën, siç është dridhja reumatoide.
Dështimi mitral
Tek dështimi mitral, valvula mitrale nuk mbyllet hermetikisht, dhe për këtë arsye një pjesë e gjakut kthehet mbrapsht në atriumin e majtë, dhe nga aty kthehet në mushkëri. Në rast se dështimi mitral nuk diagnostikohet në kohë, mund ta dëmtojë përgjithmonë muskulin e zemrës. Shkaqet më të zakonshme të insufisiencës mitrale janë ndryshimet degjenerative me apo pa këputjen e ndonjë pjese të valvulës, infeksione të valvulës dhe infarkti, që ndikon në mënyrë indirekte në funksionimin e valvulës.
Simtomat
Simtomat e sëmundjes mitrale janë mjaftë të ndryshueshme dhe nuk mund të përmblidhen. Këtu përfshihen:
- Mungesë ajri, gjatë sforcimeve apo momentit kur shtriheni në pozicion të rrafshët.
- Humbje fuqie dhe lodhje gjatë aktiviteteve dhe mundimeve më të vogla
Sëmundja e valvulës mitrale me kalimin e një kohe të caktuar shkakton aritmi (dridhje atriale), gjë e cila redukton kapacitetin funksional të zemrës. Pacientët me aritmi mund të trajtohen me terapi antikoagulante për hollimin e gjakut. Mostrajtimi i aritmisë mund të shkaktojë goditje në tru.
Diagnoza
Diagnoza e saktë e sëmundjes së valvulës mitrale arrihet me anë të:
- EKG (elektrokardiogramit)
- Radiografisë në pjesën e kraharorit
- Ekos së zemrës (kjo është metoda diagnostikuese më e rëndësishme për vizualizimin dhe vlerësimin e valvulave, me ndihmën e të cilës mund të përcaktohet funksionimi i tyre).
Trajtimi
Trajtimi varet nga shkalla e dëmtimit të valvulës mitrale. Shkalla e lehtë dhe e mesme e dëmtimit, e cila vlerësohet me anë të kontrollit ekokardiografik, zakonisht mund të zgjidhet me anë të qasjes konzervative të ilaçeve. Shkalla më e avancuar e dëmtimit zakonisht zgjidhet me anë të trajtimit kirurgjik. Trajtimi kirurgjik është në fakt operacioni me hapje të zemrës e cila kryhet me ndihmën e qarkullimit ekstrakorporal, dhe mund të kryhet me metodën klasike, dhe ndonjëherë edhe me anë të procedurës minimalisht invazive. Mundësitë e kirurgjisë të valvulës mitrale janë: riparimi i vlavulës ekzistuese ose zëvendësimi i saj me një valvul artificiale. Rregullimi apo riparimi i vlavulës ka për qëllim kthimin e funksionit të saj. Nëse vlerësimi i kirurgut është se riparimi do të jetë i suksesshëm dhe i qëndrueshëm me kalimin e viteve, atëherë kjo është alternativa më e mirë. Në të kundërt, valvula mund të zevendësohet me një valvul tjetër (mekanike apo biologjike). Valvulat mekanike zakonisht vendosen tek pacientët më të rinj, të cilët janë të lidhur më tej me kryerjen e terapisë antikoagulante (ilaçe të cilat shërbejnë për hollimin e gjakut) përgjatë gjithë jetës. Marrja e terapisë me ilaçe antikoagulante është e rëndësishme pasi ndihmon në funksionimin normal të valvulës mekanike. Valvulat biologjike me material natyral, funksionojnë normalisht për pesëmbëdhjetë vjet. Pacientët të cilët kanë këto lloj valvule , në shumicën e rasteve nuk kanë nevojë për përdorimin e terapisë me ilaçe antikoagulante.