Mos i fajësoni fëmijët tuaj në çdo veprim, sepse fëmijët janë pasqyra esjelljes dhe veprimeve tuaja. Ndënjëherë, shkakun duhet ta kërkoni tek vetja. Pyesni veten se çfarë duhet të ndryshoni në sjelljen tuaj që të mund ti ndihmoni fëmijët të edukohen siç duhet.
Edukimi i fëmijës duhet të themelohet me mbështetje dhe ngrohtësi emocionale. Gjithashtu është e nevojshme që të vendosen rregulla dhe kufizime të qarta të sjelljes në mënyrë që ta kontrolloni fëmijën.
Lavdërime në vend të qortimeve
Mbështeteni dhe lavdërojeni sa më tepër fëmijën tuaj, në mënyrë që të zhvillojë ndjenjën e sigurisë dhe vetëbesimit, mundohuni që ti qortoni dhe ti dënoni sa më pak fëmijët pasi kjo gjë rrit ndjenjën e pasigurisë dhe të dështimit tek ata. Inkurajoni fëmijën tuaj që të jetë i suksesshëm dhe në të njejtën kohë gëzohuni edhe ju sëbashku me të, por para së gjithash njihuni me mundësitë e fëmijës tuaj, si dhe mundohuni të jeni realist me kërkesat tuaja.
Fëmijën mos e shikoni si nxënës dhe mos e përjetoni fëmijën tuaj vetëm nëpërmjet arritjeve të notave në shkollë, por shikojeni atë si një person me karakteristika dhe aftësi të ndryshme.
Bëhuni shoku i tij më i mirë
Inkurajoheni fëmijën tuaj të socializohet dhe të afirmohet në aktivitete jashtë shkollore (sport, art, hobi…). Me fëmijën mos bisedoni vetëm për rezultatet në shkollë, por bisedoni dhe tregoni interes për çdo gjë tjetër që ndodhë në shkollë. Ndihmojeni që të përshtatet me nxënësit e tjerë, veçanërisht nëse fëmija është i tërhequr dhe i pasigurtë në vetvete. Bëni organizime shoqërore të përbashkëta me fëmijët e tjerë.
Herë pas here bisedoni me fëmijën tuaj se si ndihet, cilët janë miqtë e tij më të mirë, etj. Asnjëherë mos i justifikoni mungesat e tyre pa arsye në shkollë, sepse refuzimi i shkollës zakonisht fillon me justifikime të rreme të prindërve.