Zorra e irrituar është një çrregullim gastrointestinal që karakterizohet me dhimbje kronike në bark, ndryshime në funksionin e zorrëve dhe mungesa e një sëmundjeje organike. Është gjendja gastrointestinale që diagnostikohet më shpesh dhe arsyeja më e zakonshme për konsultë me gastroenterologun.
Dr. Dimitar Trajkov, gastroenterohepatolog, thekson se prevalenca e sindromës së zorrës së irrituar në popullatën e përgjithshme është rreth 15%. Kjo gjendje është më e zakonshme tek gratë dhe njerëzit nën moshën 50 vjeç.
Ndarja
· Pacientë me diarre mbizotëruese
· Pacientë me kapsllëk mbizotërues
· Pacientë me kombinim të diarresë dhe kapsllëkut
· Formë e paklasifikuar, e cila nuk i plotëson kriteret e asnjërës nga tre grupet
Sipmtomat
· Dhimbje kronike të barkut, zakonisht në formë ngërçesh
· Diarre
· Kapsllëk
· Shfaqje e alternuar e diarresë dhe kapsllëkut
· Fryrje e barkut dhe gazra
Shkaku
Shkaku i kësaj gjendjeje nuk dihet. Dihet se te këta pacientë ekziston një ndjeshmëri e shtuar e zorrëve dhe një komunikim i çrregulluar ndërmjet sistemit nervor qendror dhe sistemit tretës. Simptomat mund të jenë më të theksuara kur pacienti është nën stres, vuan nga ankthi, nuk fle mjaftueshëm, konsumon lloje të caktuara ushqimesh, ka infeksione ose çrregullime të florës së zorrëve.
Ushqimi
Simptomat mund të jenë më të theksuara pas konsumimit:
• ushqime të yndyrshme dhe të skuqura
• ushqime që prodhojnë më shumë gazra
• pije të gazuara
• alkool
• kafe
• produkte të caktuara të qumështit
Është e rëndësishme të dihet se nuk ka një “listë të ndaluar” për të gjithë pacientët. Çdo pacient ka shkaktarë të ndryshëm, kështu që është e dobishme të mbani një ditar të dietës dhe simptomave.
Si vendoset diagnoza?
Diagnoza vendoset nga mjeku, bazuar në simptomat klinike dhe duke përjashtuar sëmundje të tjera. “Nëse paraqitet gjak në jashtëqitje, humbje e pashpjegueshme në peshë, anemi ose simptomat fillojnë në një moshë më të vonshme, mbi 45 vjeç, nevojiten ekzaminime shtesë”, shpjegon Dr. Trajkov.
Trajtimi
Barnat mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave, por asnjë trajtim nuk e shëron plotësisht këtë gjendje. Nuk ekziston një ilaç i vetëm që e eliminon plotësisht sindromën e zorrës së irrituar, por simptomat mund të mbahen me sukses nën kontroll.
Trajtimi zakonisht përfshin:
- ndryshime në mënyrën e të ushqyerit,
- aktivitet të rregullt fizik,
- uljen e stresit,
- medikamente – barna që reduktojnë diarrenë, kapsllëkun, ngërçet e barkut, si dhe antidepresivë.
Shumë pacientë vërejnë përmirësim të dukshëm me aktivitet fizik të rregullt, ushqyerje të balancuar dhe kontroll më të mirë të stresit.
Përfundim
Sindroma e zorrës së irrituar është një çrregullim i shpeshtë i traktit gastrointestinal, i cili mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës dhe, në shumicën e rasteve, është një gjendje kronike që i shoqëron pacientët gjatë gjithë jetës.
“Me qasjen e duhur, kjo gjendje zakonisht mund të kontrollohet me sukses. Identifikimi i faktorëve që përkeqësojnë simptomat, përvetësimi i zakoneve të shëndetshme të jetesës dhe ulja e stresit janë thelbësore për një cilësi më të mirë të jetës dhe funksionim normal të përditshëm”, përfundon Dr. Trajkov.



