Vertebroplastika është një metodë minimalisht invazive, veçanërisht një metodë kirurgjike efektive. Zakonisht përdoret si trajtim për fraktura patologjike të shkaktuara nga osteoporoza ose nga ndryshimet e shtyllës kurrizore të shkaktuara nga tumori (primar ose sekundar). Përsa i përket faktit se kur duhet të kryhet kjo procedurë, dhe se si zhvillohet ajo lexoni në vijim:
Kur kryhet vertebroplastika?
Nëse ndjeni dhimbje në pjesën e shtyllës kurrizore, nëse keni të diagnostikuar osteoporozë me fraktura kompresive në shtyllën kurrizore, ose në rast se keni diagnozë myeloma multiplex / plasmacytoma, haemangioma apo tumor (primar apo sekondar) në shtyllën kurrizore, fillimisht duhet të kryeni një kontroll klinik, dhe më pas, në varësi të gjetjes klinike do të bëni radiografi. Sipas mendimit të doktorit tuaj, mund të jetë e nevojshme që të kryeni analiza laboratorike si dhe rezonancë magnetike në mënyrë që të mund të marrë më tepër informacion rreth ndryshimeve të shfaqura, si dhe për të ofruar siguri maksimale gjatë kryerjes së procedurës. Para kryerjes së vertebroplastikës, bisedoni me doktorin tuaj rreth rreziqeve të mundshme, për shkak se ekzistojnë disa kufizime të caktuara siç është numri i rruazave të ndryshuara, shkalla e dëmtimit apo presioni ndaj strukturave nervore.
Si kryhet ky intervenim?
Procedura është e shkurtër, në varësi të vlerësimit të anesteziologut dhe gjendjes tuaj shëndetësore, kryhet me anestezi lokale intravenoze e cila zgjat pak kohë, ose me anestezi të përgjithshme endotrakeale. Gjatë periudhës së procedurës vazhdimisht monitorohen funksionet tuaja vitale që të mund të shihet reagimi i organizmit tuaj për pranimin e çimentos speciale spinale – polymethyl methacrylate. Përdoren gjilpëra të veçanta me anë të të cilave injektohet çimento me një dendësi të veçantë direkt në rruazën e ndryshuar nën kontrollin e vazhdueshëm RTG. Gjatë kohës së kryerjes së intervenimit, pacienti është i shtrirë barkas.
Pas kryerjes së vertebroplastikës
Pas kryerjes së intervenimit është e nevojshme që të qëndroni shtrirë me kurriz përreth dy orë, kjo është koha e nevojshme që çimentoja të forcohet dhe të arrijë fuqinë maksimale. Pas përfundimit të këtyre dy orëve, mund të ngriheni dhe të lëvizni, por rekomandohet që gjatë ngritjes së parë të keni pranë jush një person mjekësor. Pas disa orësh, do të mund të dilni nga spitali nëse doktori dhe anesteziologu kanë të njejtin mendim.
Cilat janë avantazhet?
Avantazhi më i madh i kësaj ndërhyrjeje është zhdukja e shpejtë dhe e plotë e dhimbjes, e cila më parë ka qenë shkaku i marrjes së sasive të mëdha analgjetike. Por, vertebroplastika nuk do të thotë se ju duhet ta lini pas dore trajtimin e mëparshëm që keni marrë përsa i përket e sëmundjes tuaj të osteoporozës apo të sëmundjes onkologjike.