Ushqimi me erëza në masë të kontrolluar ka shumë benefite shëndetësore. Në përgjithësi, ushqimi djegës dhe me erëza është një stimulues për trupin. Stimulon qarkullimin e gjakut dhe rrit temperaturën e trupit. Mendohet se ushqimi me erëza rrit hapjen e oreksit duke rritur sekretimin e pështymës dhe enzimat për tretjen e ushqimit. Në përgjithësi, studimet kanë treguar se erëzat janë një stimulues kryesor për mprehjen e shqisave, për zgjimin e trupit dhe për më tepër energji.
Përfitimet shëndetësore të erëzave
Mendohet se erëzat kanë shumë përfitime shëndetësore. Sipas kërkimeve të shumta, chili (spec djegës), xhenxhefili dhe shumë erëza të tjera, i lehtësojnë proceset inflamatore të sistemit digjestiv. Një numër i madh i erëzave janë burim i shkëlqyer i vitaminës C, e cila ndihmon në forcimin e trupit në luftën kundër ftohjeve apo griprave, ka ndikim antikancerogjen dhe ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës.
Studimet e fundit kanë treguar se ushqimi me erëza, nuk shkakton ulçër në stomak, por përkundrazi, në reduktimin e shumimit të helikobakterit pylori, i cili mendohet se është shkaku kryesor i shfaqjes së ulçërës në stomak. Mendohet se përbërja kapsacin e cila gjendet tek erëzat pikante, redukton përhapjen apo shumimin e helikobakterit pylori.
Kurkumini që është përbërja aktive e kurkumit, ka treguar se ka një numër të madh efektesh të rëndësishme shëndetësore. Mendohet se ndihmon në trajtimin e sindromës së zorrëve të irrituara, dhe problemeve me tretjen e ushqimit. Kurkumini përdoret edhe si ilaç natyral për parandalimin dhe trajtimin e kancerit në zorrën e trashë.
Përse nuk duhet ta teproni me përdorimin e ushqimeve me erëza dhe pikante?
Ushqimi me erëza në masë të kontrolluar mund të jetë aleati juaj në luftën kundër një numri të shumtë të problemeve shëndetësore. Por ushqimi me shumë erëza dhe tepër pikant, mund të irritojë sistemin e tretjes, sinuset, traktin urinar… Reagimi i parë është lotimi i syve dhe rrjedhja e hundëve (rrufë). Në rast se keni ulçër apo edhe probleme të tjera shëndetësore, nuk rekomandohet konsumimi i shpeshtë i ushqimeve me erëza dhe tepër pikant.
Nëse jeni dashamirës të ushqimit me shije të fortë, atëherë përdorni erëza të cilat ju përshtaten apo ju bëjnë mirë për shëndetin. Shijoni shijet e këndshme dhe përdorni erëzat natyrale gjatë vakteve tuaja ushqyese në shtëpinë tuaj.