Pulmoalergologët parashikojnë raste të reja të astmës çdo pranverë. Kjo ndodh për shkak të lidhjes ndërmjet alergjisë dhe astmës. Alergjitë shpesh janë shkaqe të zhvillimit të astmës, dhe ne jemi më të prekur nga alergjitë në stinën e pranverës.
Gjatë gjithë vitit njerëzit përballen me vështirësi, disa prej tyre të shkaktuara nga alergenet e thithura.
Ndjeshmëria ndaj alergeneve
Astma është një sëmundje kronike e cila prek rrugët e frymëmarrjes. Kur frymëmarrja është normale, muskujt që rrethojnë rrugët e frymëmarrjes janë të relaksuar dhe ajri lëviz lirisht. Gjatë një sulmi të astmës, ndodhin ndryshime të muskujve apo rrugëve të frymëmarrjes duke penguar rrjedhën normale të ajrit. Njerëzit të cilët kanë astmë të zhvilluar janë persona të cilët janë të ndjeshën ndaj alergeneve në rrugët e frymëmarrjes. Mjekët ndonjëherë kanë problem me diagnostikimin e astmës në stinën e pranverës, pasi shumë pacientë kanë astmë, por simptomat e tyre nuk janë serioze. Por, duhet të dini se edhe kolla e shpeshtë është simptomë e astmës dhe duhet ta kontrolloni atë.
Simptomat
Jo të gjithë njerëzit të cilët vuajnë nga astma kanë simptoma të njejta. Për disa persona sulmi i astmës ndryshon nga njëri sulm në tjetrin. Mund të ndodhë që të keni një simptomë të astmës, ndërkohë që dikush tjetër ka disa simptoma të tjera.
Simptomat më të shpeshta janë:
Kollë, veçanërisht natën
Mungesë të ajrit
Frymëmarrje të rënduar
Shtrëngim të gjoksit, dhimbje apo presion
Pulmoalergologët thonë se nëse keni kollë të zhvilluar apo simptoma të tjera të astmës të cilat zgjasin më shumë se 7-10 ditë, do të bënit mirë të shkonit te doktori juaj. Për diagnostikimin e astmës , doktori fillimisht duhet të kontrollojë historinë tuaj shëndetësore, atë të familjarëve tuaj si dhe simptomat që ju keni.
Doktori mund t’ju bëjë teste për frymëmarrjen, teste alergjike, analizë të gjakut, radiografi të sinuseve dhe të gjoksit. Testet do të tregojnë nëse ekzistojnë kushte të tjera të cilat ndikojnë në shfaqjen dhe zhvillimin e astmës.