Aritmia e zemrës ndodh kur shfaqet një problem në krijimin dhe përçimin e impulseve elektrike në zemër, si rezultat i së cilës zemra mund të rrahë shumë ngadalë, shumë shpejt ose në mënyrë të parregullt. Problemi me funksionimin e zemrës mund të vijë nga atriumet ose ventrikujt ose nga mungesa e sinkronizimit ndërmjet tyre, duke çuar në shfaqjen e takikardisë (punë e përshpejtuar e zemrës), bradikardisë (punë e ngadalësuar) ose aritmisë (punë e parregullt e zemrës).
Dëshmia e vetme për ekzistencën e aritmisë është elektrokardiografia që bëhet gjatë rrahjeve të zemrës. Për të përjashtuar sëmundjet e zemrës si shkak i ritmit të parregullt, duhet të kryhen ekzaminime fillestare rutinë: kontroll mjekësor, (për të përjashtuar aritmitë e lindura), monitorim 24-orësh i ritmit të zemrës (Holter), ekokardiografi (për të përjashtuar insuficienca kardiake) ose stres testi koronar, nëse aritmia shfaqet gjatë aktivitetit fizik.
“Ekzistojnë shumë shkaqe për shfaqjen e aritmive, si: tensioni i lartë i gjakut, sëmundja koronare arteriale, pirja e duhanit, alkooli, konsumimi i tepërt i kafeinës, stresi i shtuar, diabeti, sëmundjet e gjëndrës tiroide, sëmundjet pulmonare dhe gjendjet gjenetike të lindura”, deklaroi dr. Ivan Trajkov, kardiolog elektrofiziolog.
Kardiologët elektrofiziologë dr. Ivan Trajkov dhe dr. Dejan Kovaçeviq, pjesë e ekipit të kardiologjisë në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina”, këshillojnë që gjithmonë të kërkohet konsultë me kardiolog nëse rrahjet e zemrës shoqërohen me marramendje, konfuzion, humbje të vetëdijes, dhimbje të forta koke, vështirësi në frymëmarrje ose dhimbje në kraharor që përhapet në qafë, nofullën e poshtme, shpatulla apo pjesën e sipërme të shpinës. Konsulta rekomandohet edhe kur ritmi i zemrës është mbi 140 rrahje në minutë dhe zgjat më shumë se 30 minuta pa aktivitet fizik, si dhe kur aritmia shoqërohet me rritje ose ulje të tensionit të gjakut.


“Trajtimi në kohë i aritmisë nënkupton edhe parandalimin e goditjes në tru. Studimet e fundit tregojnë se aritmia e patrajtuar është shkaktar i pothuajse çdo goditjeje të pestë në tru. Si masë parandaluese rekomandohet kontroll i rregullt vjetor te kardiologu, për të parë nëse ka çrregullime të ritmit të zemrës”, deklaroi Dejan Kovaçeviq.
Ekipi ynë me përvojë shumëvjeçare ju ofron diagnostikim dhe trajtim bashkëkohor të çrregullimeve të ritmit të zemrës. Në “Acibadem Sistina” keni mundësi për kryerjen e ekzaminimeve elektrofiziologjike, ablacionit të aritmive, vendosjen e pacemejkerit, resinkronizimin kardiak, si dhe implantimin e kardioverterëve dhe defibrilatorëve. Qasja ekipore në diagnostikim dhe trajtim për çdo pacient garanton efikasitet dhe cilësi të lartë.



