PERFUZIONISTI – FORCA E HESHTUR NË KARDIOKIRURGJI
Ekzistojnë momente në mjekësi kur zemra ndalet qëllimisht. Në ato çaste, kur koha bëhet sfida më e madhe, janë profesionistët që në heshtje, me saktësi dhe pa gabime ruajnë kufirin midis jetës dhe vdekjes – perfuzionistët. Ndërsa vëmendja zakonisht përqendrohet te kardiokirurgu, pas çdo operacioni të suksesshëm në zemër të hapur qëndron edhe një profesionist tjetër kyç. Perfuzionisti është personi që, në momentet më kritike, merr përsipër funksionin e zemrës dhe mushkërive përmes aparatit të qarkullimit ekstrakorporal. Perfuzionisti është një anëtar kyç, por shpesh jo mjaftueshëm i dukshëm, i ekipit të kardiokirurgjisë, thotë Petar Trajkovski, perfuzionist. Roli i tij është i pazëvendësueshëm në të gjitha ndërhyrjet e kardiokirurgjisë që kërkojnë përdorimin e bypassit kardiopulmonar. Në këto momente, kur zemra ndalet qëllimisht për të mundësuar një ndërhyrje kirurgjikale precize, perfuzionisti bëhet “zemra dhe mushkëritë artificiale” të pacientit.
“Roli i perfuzionistëve që menaxhojnë qarkullimin ekstrakorporal në kardiokirurgji është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Perfuzionistët kryejnë një detyrë tejet të rëndësishme, pasi me njohuritë e tyre dhe me teknologjinë përkatëse, në momentin kur ndalet funksioni i zemrës dhe mushkërive, ata e mbajnë pacientin në jetë, duke i mundësuar kirurgut të punojë me qetësi. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme gjatë ndërhyrjeve. Gjithashtu, ata punojnë edhe me aparatet e ultrafiltrimit dhe ECMO,” shpjegon Prof. Dr. Aleksandar Nikoliq, specialist në kardiokirurgji.
MBROJTJA E MIOKARDIT – SHKENCË DHE ART
Mbrojtja e miokardit është një nga komponentët më të rëndësishëm në kirurgjinë kardiake. Ky proces kërkon njohuri të thella të anatomisë, fiziologjisë dhe patofiziologjisë, si dhe monitorim dhe përshtatje të vazhdueshme të parametrave, me qëllim sigurimin e mbrojtjes optimale dhe ruajtjes së funksionit të miokardit. Një nga aspektet më magjepsëse të kirurgjisë kardiake është pikërisht momenti kur zemra ndalon së rrahuri, ndërsa jeta vazhdon. Në këtë qetësi të kontrolluar, bypassi kardiopulmonar merr përsipër funksionin e sistemit jetik të organizmit. Perfuzionisti menaxhon qarkullimin e gjakut, shkëmbimin e gazrave, nevojat metabolike të organizmit dhe temperaturën trupore, duke ruajtur stabilitetin në një mjedis ku çdo ndryshim mund të ketë pasoja serioze. Pas përfundimit të ndërhyrjes kirurgjikale, zemra rifillon të rrahë. Ky moment përfaqëson një kalim klinik dhe simbolik – nga mbështetja mekanike drejt funksionit natyror.
Profesioni i perfuzionistit është një nga profesionet më pak të dukshme, por njëkohësisht edhe një nga më të përgjegjshmet në mjekësi.
„Perfuzionistët janë një nga shtyllat më të rëndësishme, por shpesh më të heshtura të ekipit të kardiokirurgjisë. Në sallën e operacionit, kur zemra ndalon për një çast, puna e tyre bëhet linja e jetës për pacientin. Kjo kërkon njohuri të thella, përqendrim, qetësi dhe besim. Në kardiokirurgjinë pediatrike, suksesi nuk është kurrë vepër e një personi të vetëm, por e një ekipi që funksionon si një i vetëm. Perfuzionistët janë pikërisht një pjesë e tillë e ekipit – të qetë, të saktë dhe të pazëvendësueshëm”, shpjegon Prof. Dr. Vlladimir Çadikovski, specialist në kirurgji pediatrike dhe subspecialist në kardiokirurgji pediatrike.
Në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina” punojnë tre perfuzionistë, anëtarë të certifikuar të Bordit Evropian të Perfuzionit Kardiovaskular: Petar Trajkoski, Sasho Stoillov dhe Nikola Todoroski. Përmes Shoqatës Maqedonase të Perfuzionistëve, e udhëhequr nga kryetari Petar Trajkoski, punohet vazhdimisht në zhvillimin profesional, edukimin dhe avancimin e perfuzionit në vendin tonë, duke ndjekur standardet më bashkëkohore evropiane dhe botërore, si dhe duke zbatuar udhëzimet më të fundit, për të cilat spitali ynë është vlerësues.



