EPILEPSIA – ÇFARË DUHET TË DIMË?

Epilepsia është një nga sëmundjet kronike neurologjike më të shpeshta në botë. Vlerësohet se më shumë se 50 milionë njerëz jetojnë me këtë gjendje, por pavarësisht përhapjes së saj, ende ekzistojnë paragjykime, keqkuptime dhe frikëra të shumta lidhur me të. Falë mjekësisë moderne, sot epilepsia në shumicën e rasteve mund të kontrollohet me sukses, duke u mundësuar pacientëve të bëjnë një jetë aktive dhe të përmbushur.

„Është e rëndësishme që pacientët dhe familjet e tyre të dinë se me diagnozë në kohë dhe trajtim të duhur, te pjesa më e madhe e njerëzve sulmet mund të vihen me sukses nën kontroll“, spjegon bashkëpunëtori shkencor, Dr. Bojan Boshkovski, neurolog.

Truri funksionon përmes një rrjeti kompleks të qelizave nervore që komunikojnë me njëra-tjetrën përmes sinjaleve elektrike. Kur një grup i caktuar qelizash papritur dhe në mënyrë të pakontrolluar krijon një shkarkesë të tepruar elektrike, shfaqet një krizë epileptike. Mënyra se si do të manifestohet sulmi varet nga pjesa e trurit që është e prekur. Te disa pacientë shfaqen konvulsione në të gjithë trupin dhe humbje e vetëdijes, ndërsa te të tjerë sulmi mund të manifestohet si një mungesë e shkurtër e kontaktit me mjedisin, një ndjesi e pazakontë, një erë e çuditshme ose lëvizje të pakontrolluara të një pjese të caktuar të trupit. Megjithatë, një sulm e vetme nuk do të thotë gjithmonë se personi ka epilepsi.

„Ekzistojnë gjendje që mund të shkaktojnë përkohësisht një sulm, pa qenë fjala për epilepsi. Shembuj të tillë janë temperatura e lartë te fëmijët e vegjël, niveli shumë i ulët i sheqerit në gjak, çrregullimet e ekuilibrit të elektroliteve, dëmtimet akute të trurit ose abstinenca nga alkooli. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo pacient të vlerësohet në mënyrë të detajuar nga neurologu“, thekson Dr. Boshkovski.

SHKAQET E SHFAQJES SË EPILEPSISË

Shkaqet e shfaqjes së epilepsisë janë të ndryshme. Te disa pacientë ekziston predispozicion gjenetik, ndërsa te të tjerë gjendja është pasojë e ndryshimeve strukturore në tru, si goditja në tru, dëmtimi, tumori ose plagët. Në raste të caktuara, shkaku mbetet i panjohur edhe pas ekzaminimeve të detajuara. Diagnoza vendoset në bazë të anamnezës së marrë me kujdes dhe analizës së detajuar të vetë ngjarjes. Veçanërisht të rëndësishme janë informacionet nga dëshmitarët që kanë qenë të pranishëm gjatë sulmit. „Sot telefonat celularë shpesh na ndihmojnë në procesin diagnostik. Një video-incizim i sulmit mund të ofrojë informacione jashtëzakonisht të vlefshme dhe të ndihmojë në përcaktimin e saktë të llojit të sulmit“, thekson Dr. Boshkovski.

DIAGNOSTIKIMI DHE TRAJTIMI

Përveç ekzaminimit klinik, në diagnostikim përdoret edhe elektroencefalografia (EEG), e cila regjistron aktivitetin elektrik të trurit, rezonanca magnetike për zbulimin e ndryshimeve të mundshme strukturore dhe analizat laboratorike për përjashtimin e shkaqeve të tjera. Te disa pacientë nevojitet edhe monitorim i zgjatur video-EEG.

„Rreth dy të tretat e pacientëve, me terapi të zgjedhur në mënyrë të duhur, mund të mbeten plotësisht pa sulm. Gjëja më e rëndësishme është që barnat të merren rregullisht dhe të mos ndërprisni vetë, pasi kjo mund të çojë në rishfaqjen e sulmeve“, shpjegon Dr. Boshkovski.

Shpërndaj