Sëbashku me gojën dhe sytë, hunda është një nga tiparet më të dukshme të cilat i vërejmë tek njerëzit. Sëbashku me tiparet e tjera përcakton pamjen vizuale të njerëzve. Përveç faktit që shërben si një hyrje e ajrit nga mjedisi i jashtëm, falë strukturës së saj komplekse e përgatitë dhe e filtron ajrin para se ai të mbërrijë në mushkëri. Lexoni gjashtë faktet interesante rreth rolit të hundës.
Pjesa më e madhe e ajrit thithet nëpërmjet hundës
Ajri i cili hyn në mushkëri merret me anë të hundës dhe të gojës. Gjatë frymëmarrjes normale, hunda është hyrja kryesore përmes të cilës merret ajër. Madje edhe gjatë ushtrimeve më agresive ku frymëmarrja bëhet kryesisht nëpërmjet gojës, një pjesë e ajrit merret me anë të hundës. Edhe pse hapësira e gojës është shumë e madhe në krahasim me zgavrat e hundës, bllokimi i hundës përbën një pengesë të madhe për frymëmarrjen. Shpesh herë kur jemi me grip, ndjejmë se kemi mungesë të ajrit.
Frymëmarrja nëpërmjet hundës është veçanërisht e rëndësishme për të porsalindurit të cilët gjatë kohës që ushqehen me gji, pjesën më të madhe të ajrit e thithin nëpërmjet hundës. Kjo karakteristikë e veçantë është rezultat i gjendjes së fytit tek të porsalindurit e cila lejon të ushqehen me gji dhe në të njejtën kohë të marrë frymë normalisht. Fëmijët më të rritur dhe personat e rritur e humbasin këtë funksion.
Hunda njomet nga ajri
Falë strukturës së saj komplekse, hunda e përpunon ajrin para se të kalojë në fyt dhe në mushkëri. Kështu ajo e njom ajrin e thatë nga ambienti i jashtëm i cili tashmë është i gatshëm për të kaluar ndërmjet fytit dhe në mushkëri.
Hunda e filtron ajrin që thithim
Ajri që thithim çdo ditë përmban oksigjen, azot, grimca të dëmshme, alergjene, baktere, viruse dhe shumë grimca të tjera të dëmshme. Në membranën mukoze të hundës gjenden qime të vogla në të cilat ngjiten grimcat e dëmshme të cilat më pas nëpërmjet sekrecionit që krijon hunda shkarkohen në mjedisin e jashtëm ( me anë të teshtitjes dhe të çfryerjes së hundës) ose përtypen dhe më pas nxirren nëpërmjet sistemit digjestiv. Në këtë mënyrë hunda e filtron ajrin para se ai të kalojë në mushkëri , pasi mushkëritë janë shumë të ndjeshme ndaj ndotjes së ajrit.
Rregullon temperaturën e ajrit
Ashtu sikurse ajri i ndotur ndikon negativisht në fyt dhe në mushkëri ,po aq negativisht ndikon edhe ajri tepër i ftohtë apo tepër i nxhetë. Ajri duke kaluar nëpërmjet hundës, përshtatet me temperaturën e trupit dhe në këtë mënyrë tolerohet më mirë nga indet. Ngrohja e ajrit të ftohtë është një funksion tepër i shpeshtë veçanërisht gjatë ditëve të ftohta të dimrit kur temperaturat janë tepër të ulëta. Ky lloj funksioni në hundë manifestohet me anë të rrjedhjes së hundës gjatë ditëve të ftohta, gjë që ndodh si rezultat i kondenzimit në hundë atëherë kur është e ekspozuar ndaj ajrit të ftohtë.
Ju mbron
Lart në hundë gjenden qelizat nervore të cilat detektojnë aromat. Për të ndjerë aromën, duhet të thithim ajër në brendësi të hundës. Nga këtu vjen edhe pamundësia për të ndjerë aroma gjatë periudhës kur jemi me grip. Ndjenja e aromës është tepër e rëndësishme për të detektuar tymin, ushqimin e prishur, gazrat toksik, etj.
Hunda përcakton zërin tuaj
Zëri varet në një masë të madhe nga fyti dhe struktura e hundës. Zëri krijohet nga laringu, por ky zë është një tingull kumbues. Zëri i vërtetë krijohet atëherë kur kalon nëpërmjet hundës dhe fytit. Këtu qëndron dhe ndryshimi ndërmjet tingullit që lëshon pianoja e vërtetë me atë që mund të lëshojë një piano lodër. Shembull për këtë është edhe ndryshimi i zërit kur jemi me grip, pasi zëri ndryshon nga pamundësia për të kaluar siç duhet nëpërmjet hundës së bllokuar.