Sinuset janë zgavra kockore të cilat gjenden ndërmjet kockave të fyturës (sinusi frontal, maksilar, etmoid, sfenoidal). Shkaku më i zakonshëm i inflamacionit të sinuseve është infeksioni ose reaksioni alergjik. Kur sinuset janë të irrituara ato prodhojnë mukozë e cila zbret deri në kanalet e zgavrës së hundës. Rritja e presionit të sinuseve shkakton ndhimbje e cila reflektohet si dhimbje koke.
Simptomat
Zakonisht pacientët ndjejnë dhimbje të thellë dhe të vazhdueshme në pjesën e ballit, në pjesën e mollëzave të fytyrës dhe në kockën e hundës ndërmjet syve. Dhimbja ndihet shumë më tepër gjatë lëvizjes apo kthimit të menjëhershëm të kokës anash, por dhimbjet janë akoma më të forta kur e përkulni kokën poshtë. Simptoma të tjera në lidhje me sinuset janë:
– Rrjedhje hunde
– Ndjenjë presioni në vesh
– Ethe
– Ënjtje rreth syve
Por jo gjithmonë dhimbja e kokës shfaqet për shkak të sinuseve. Nëse bëhet fjalë për dhimbje të vazhdueshme të kokës në formë migrene, atëherë nuk bëhet fjalë për sinuset. Për diagnozën e saktë dhe të detajuar ndonjëherë është e nevojshme edhe kryerja e radiografisë së sinuseve, si dhe rezonanca magnetike apo tomografia kompjuterike.
Trajtimi
Qëllimi për trajtimin e tyre është lehtësimi i dhimbjes apo simptomave dhe shërimi i inflamacionit apo reaksioneve alergjike. Përveç terapisë të lëshuar nga mjeku juaj, edhe inhalimi mund t’ju vijë në ndihmë, si dhe përdorimi i pikave të cilat përdoren për në hundë. Për shkak të dhimbjes së fortë, sëbashku me antibiotikët mund të përdoret analgjetik, dhe në rast se dhimbja dhe inflamacioni nuk kalon, mund të përdoren edhe kortikostoride. Nëse bllokimi i hundës nuk shkaktohet nga irritimi apo alergjia, atëherë shkak tjetër për këtë gjendje mund të jenë polipet të cilat kërkojnë mënjanim me anë të operacionit kirurgjik. Çdo irritim i sinuseve, duhet të shihet seriozisht dhe të kërkohet mendim nga persona profesionalë në këtë fushë.