Menopauza është periudha në të cilën gruaja nuk ka më cikël menstrual. Në të kaluarën, kjo periudhë fillonte në moshën 50 vjeçare të gruas, por sot një numër i madh i grave të reja futen në këtë cikël. Menopauza paraqet një proces natyral biologjik, kur gruaja përfundon me procesin e riprodhimit (ovulimit), shpjegon Dr. Snezhana Timçeva Cvetkovska, gjinekologe – akushere në spitalin klinik “Acibadem Sistina”, megjithatë, mbetet e shëndetshme, vitale dhe seksualisht aktive. Menopauza nuk shkakton kancer, por me kalimin e viteve mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit.
Simptomat
Tek një numër i madh i grave shfaqen valë të nxehta, paqëndrueshmëri emocionale (bëhen tepër të ndjeshme), pagjumësi, rënie e përqëndrimit, reduktim i vitalitetit, ndjenja e depresionit. Nëse keni ndonjë nga këto simptoma, mos hezitoni të kërkoni ndihmë nga gjinekologu juaj. Ai mund t’ju rekomandojë që të ndryshoni stilin e jetës tuaj, apo t’ju këshillojë që të merrni terapi për zëvendësimin e hormoneve.
Kur duhet të drejtoheni tek gjinekologu?
Fakti që hyni në menopauz, nuk do të thotë se nuk duhet të vazhdoni me kryerjen e vizitave të rregullta tek mjeku juaj. Veçanërisht duhet të kërkoni këshilla nga mjeku në rast se keni gjakderdhje gjatë perimenopauzës dhe menopauzës. Gjatë periudhës së menopauzës vezoret prodhojnë estrogjen, por ka mungesë të progesteronit, hormoni i cili rregullon ciklin menstrual normal dhe riprodhimin. Kur niveli i ulët i estrogjenit, rritet rreziku i disa gjendjeve të caktuara mjekësore, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, osteoporoza, inkontinenca urinare (mosmbajtja e urinës), rënia e dëshirës për aktivitet seksual. Kur niveli i estrogjenit është i lartë, rritet shfaqja e gjakderdhjes së parregullt të cilat shkojnë me ndryshime histo- patologjike të endometrium – hiperplasia. Mos harroni, çdo gjakderdhje e shfaqur pas menopauzës është abnormale dhe duhet të paraqiteni menjëherë tek mjeku juaj.
Kanceri i gjirit
Mosha është një nga faktorët e rrezikut për shfaqjen e kancerit të gjirit tek gratë. Rreth 95% e grave tek të cilat është i diagnostikuar kanceri i gjirit, i përkasin moshës mbi 40 vjeçare, dhe gjysma prej tyre janë mbi 61 vjeç. Prandaj, çdo grua në menopauzë, duhet detyrimisht të kryej kontrolle mamografike të gjirit. Hulumtimet tregojnë se tek gratë e moshës 50 vjeçare, me anë të mamografisë mund të zbulohet 85% e ndryshimeve që shkaktojnë kancerin e gjirit, para se masa kancerogjene të jetë mjaftueshëm e madhe për tu vërejtur dhe ndjerë nga vetë ato. Madhësia mesatare e kancerit kur gruaja për herë të parë mund ta vërejë apo ndjejë është 15 mm, ndërkohë që me anë të mamografisë mund të vërehet duke filluar nga 2-3 mm.
Kanceri endometrial
Kanceri endometrial sipas numrit të pacientëve të regjistruar është një nga kanceret më të zakonshme që shfaqet tek gratë gjatë periudhës së menopauzës. Tek një numër i konsiderueshëm i grave tek të cilat është shfaqur gjakderdhje pas menopauzës, janë diagnostikuar ndryshime endometriale nga para kancerogjene deri në kancerogjene.
Kanceri ovarian
Gjatë perimenopauzës dhe menopauzës, rritet mundësia e shfaqjes së kancerit ovarian. Kontrollet e rregullta gjinekologjike dhe me ultratingull, janë parandalimi më i mirë pasi me zbulimin e tyre në fazë të hershme, rritet mundësia për shërim të plotë. Për shkak se ky kancer nuk ka simptoma, rritet për një kohë të gjatë në hapësirën abdominale dhe nuk i shkakton ansjë shqetësim apo pengesë pacientes, kjo është edhe arsyeja përse kjo sëmundje diagnostikohet në fazë të avancuar. Megjithatë, fryerja e barkut, dhimbja e barkut dhe e pelvisit, të ndjerit shpejtë të ngopur, problemet me urinimin, dhimbjet gjatë aktit seksual, menstruacione të shoqëruara me dhimbje, të përziera, të vjella, të gjitha këto simptoma janë pjesë të kësaj sëmundje. Tek pacientët e diagnostikuar në fazë fillestare të sëmundjes, përveç tratimit kirurgjik, nuk është i nevojshëm asnjë trajtim tjetër. Tek pacientët e tjerë, trajtimi postoperativ shoqërohet me kimioterapi ose në rast se bëhet fjalë për sëmundje të avancuar lokale, trajtimi mund të nisë me kimioterapi dhe më pas të vazhdojë me trajtim kirurgjik.
Prandaj, gjatë menopauzës, gruaja duhet të vazhdojë me kontrolle të rregullta gjinekologjike një herë në vit. Ky kontroll përfshin PAP testin dhe kontrollin me ultratingull. Sipas disa studimeve të caktuara, pacientet të cilat marrin për një kohë të gjatë terapi me kontraceptivë, janë më pak të rrezikuar ndaj prekjes së kancerit ovarian dhe endometrial.