Bronkoskopia rigide është një procedurë mjekësore që përdoret për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes, veçanërisht në rastet e tumoreve bronkiale. Dr. Oliver Jovkovski, specialist i pulmologjisë me më shumë se 25 vjet përvojë në kryerjen e procedurave intervenuese pulmonologjike, shpjegon dallimet ndërmjet bronkoskopisë rigide dhe bronkoskopisë fleksibile. Kjo e fundit ka zbatim të gjerë në procedurat diagnostikuese dhe terapeutike, kryhet me bronkoskop fleksibil dhe mundëson manipulim më të lehtë. Ndërkaq, bronkoskopia rigide kryhet me bronkoskop rigid, një instrument që mundëson vizualizimin e drejtpërdrejtë dhe kryerjen e ndërhyrjeve në bronke. Kjo procedurë realizohet nën anestezi të përgjithshme.
“Për dallim nga bronkoskopi fleksibil, i cili mund të lakohet në drejtime të ndryshme, bronkoskopi rigid ka formën e një tubi metalik që vendoset në rrugët e mëdha të frymëmarrjes dhe përmes të cilit mund të kryhen ndërhyrje më të ndërlikuara diagnostikuese dhe terapeutike”, shpjegon dr. Jovkovski.
Spitali klinik “Acibadem Sistina” ka në dispozicion një ekip mjekësor me përvojë, teknologji bashkëkohore mjekësore dhe pajisje që përmbushin standardet ndërkombëtare, të domosdoshme për kryerjen e bronkoskopisë.
“Ekipi ynë kreu një bronkoskopi rigide te një paciente 66-vjeçare, e diagnostikuar me neoplazmë malinje të bronkut kryesor. Kjo procedurë na mundësoi qasje më të lehtë dhe më të sigurt në masën tumorale. Më pas u krye resekcioni, përkatësisht heqja e plotë e tumorit, duke mundësuar çlirimin e bronkut kryesor të djathtë”, thotë dr. Jovkovski.
Kur përdoret bronkoskopia rigide gjatë resekcionit të tumoreve bronkiale?
Përcaktimi i tumorit
Bronkoskopia rigide mundëson përcaktimin e saktë të madhësisë dhe lokalizimit të tumorit në bronke. Në raste të caktuara, mund të kryhet edhe bronkobiopsi për konfirmimin e diagnozës histopatologjike.
Vlerësimi para ndërhyrjes kirurgjikale
Kjo metodë përdoret për të vlerësuar shkallën e përhapjes së tumorit dhe ndihmon në përcaktimin e strategjisë optimale për resekcionin.
Ndërhyrjet terapeutike
Në disa raste, bronkoskopia rigide mund të përdoret për resekcionin e drejtpërdrejtë të tumoreve të vegjël ose për vendosjen e stenteve, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e kalueshmërisë së rrugëve të frymëmarrjes.
Mbështetja e funksionit respirator
Bronkoskopia rigide mund të përdoret gjithashtu për heqjen e pengesave ose të indeve që bllokojnë rrugët e frymëmarrjes, me qëllim përmirësimin e funksionit respirator.
Kontrolli pas ndërhyrjes
Pas heqjes së tumorit, bronkoskopia rigide mund të përsëritet për të kontrolluar indet e mbetura dhe për t’u siguruar se nuk ka mbetje tumorale.
Bronkoskopia rigide është një metodë e rëndësishme në trajtimin e tumoreve bronkiale, ndërsa menaxhimi i këtyre gjendjeve kërkon një qasje multidisiplinare.
HISTORIK I SHKURTËR
Fillimet (1897): Në vitin 1897, mjeku gjerman Gustav Killian, nga Universiteti i Freiburgut në Gjermani, kreu bronkoskopinë e parë, duke përdorur një instrument rigid për të vizualizuar rrugët e frymëmarrjes dhe për të hequr një trup të huaj nga bronku. Kjo ngjarje konsiderohet fillimi i bronkoskopisë moderne.
Në fillim të shekullit XX, teknika e bronkoskopisë rigide u përmirësua më tej. Një rol të rëndësishëm pati mjeku amerikan Chevalier Jackson, i cili në vitin 1904 përmirësoi bronkoskopin duke shtuar ndriçimin në skajin distal dhe kanalin për aspirim. Këto përmirësime zgjeruan përdorimin e bronkoskopisë për qëllime diagnostikuese dhe terapeutike.
Përparimet teknike (vitet 1940–1950): Përdorimi i bronkoskopëve rigidë u zgjerua falë përmirësimit të materialeve dhe dizajnit të instrumenteve. Gjatë kësaj periudhe, bronkoskopia rigide filloi të përdorej gjithnjë e më gjerësisht për trajtimin e tumoreve dhe heqjen e trupave të huaj nga rrugët e frymëmarrjes.
Zhvillimi i pajisjeve (vitet 1960–1970): Gjatë kësaj periudhe u prezantuan teknologji të reja, përfshirë bronkoskopët fleksibël. Megjithatë, bronkoskopët rigidë vazhduan të kenë një rol të rëndësishëm në ndërhyrjet që kërkojnë kontroll më të madh të rrugëve qendrore të frymëmarrjes dhe kryerjen e procedurave terapeutike më komplekse.
Epoka moderne (nga vitet 1980 deri më sot): Bronkoskopia rigide vazhdon të përdoret në situata të caktuara klinike, veçanërisht në ndërhyrjet për trajtimin dhe resekcionin e tumoreve që shkaktojnë ngushtim ose bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, si dhe për heqjen e trupave të huaj dhe pengesave të tjera endobronkiale. Pavarësisht disa kufizimeve, bronkoskopia rigide mbetet një metodë e rëndësishme në pulmonologjinë intervenuese. Zhvillimi i vazhdueshëm i teknologjisë dhe teknikave mjekësore ka kontribuar në rritjen e efikasitetit dhe sigurisë së kësaj procedure.


