Gjithçka që duhet të dini në lidhje me diabetin

Diabeti melitus, ose i njohur ndryshe si sëmundja e sheqerit, është sëmundja më e zakonshme në botë. Si rezultat i mënyrës së jetesës jo të shëndetshme, e cila nënkupton të ushqyerit keq, reduktimin e aktiviteteve fizike, stresin e përditshëm, rritet dhe numri i të sëmurëve me diabet. Çfarë është diabeti dhe si t’a parandaloni këtë sëmundje, biseduam me Prof. Dr. Çedomir Dimitrovski, endokrinolog.

Diabeti melitus, ose i njohur ndryshe si sëmundja e sheqerit, është sëmundja më e zakonshme në botë. Si rezultat i mënyrës së jetesës jo të shëndetshme, e cila nënkupton të ushqyerit keq, reduktimin e aktiviteteve fizike, stresin e përditshëm, rritet dhe numri i të sëmurëve me diabet. Çfarë është diabeti dhe si t’a parandaloni këtë sëmundje, biseduam me Prof. Dr. Çedomir Dimitrovski, endokrinolog.

Çfarë është diabeti?

Diabeti është shkatërrimi metabolik kronik i karbohidrateve, yndyrave dhe proteinave, ku tipar kryesor është hiperglicemia, apo sheqeri i lartë i gjakut. Sëmundja shfaqet atëherë kur qelizat-beta të pankreasit nuk prodhojnë mjaftueshëm insulin, ose kur muskujt, yndyrat dhe qelizat e mëlçisë nuk i përgjigjen insulinës së prodhuar. Me kalimin e kohës, rritja e nivelit të sheqerit në gjak, rrit rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës, shkakton humbjen e shikimit, dëmtimin e nervave, veshkave dhe organeve të tjera.

Cila është frekuenca e diabetit në botë dhe në vendin tonë?

Momentalisht në botë janë rreth 382 milionë të sëmurë me diabet. Rreth 46% prej tyre janë të pa diagnostikuar. Është parashikuar se në vitin 2035 dë të ketë rreth 592 milionë të prekur nga kjo sëmundje. Çdo vit nga kjo sëmundje dhe nga komplikimet e saj, vdesin rreth 1.5 milionë njerëz. Në vendin tonë, numri i të sëmurëve është rreth 5-6% e popullsisë së përgjithshme.

Cilat janë simptomat e sëmundjes?

Shenjat dhe simptomat më të zakonshme janë urinimi i shpeshtë (veçanërisht natën), të ndjerit tepër etje, rritja e oreksit, humbja e peshës trupore, lodhje, mpirja e gishtërinjëve të duarve dhe të këmbëve, shikim jo i qartë, infeksione të shpeshta (veçanërisht në organet gjenitale), ngadalësim i shërimit të plagëve, dhimbje barku dhe të vjella. Është veçanërisht e rëndësishme të dihet se një numër i madh i pacientëve (kryesisht me diabet tip 2) nuk kanë simptoma apo shenja të sëmundjes, ajo zbulohet atëherë kur është shfaqur ndonjë komplikim, si psh: goditje në zemër apo në tru.

Sa lloje të diabetit ekzistojnë?

Ka disa lloje të diabetit. Më të shpeshta janë lloje të diabetit tip 1 ( i cili zakonisht shfaqet tek personat nën moshën 40 vjeçare), tip 2 (shfaqet tek personat me peshë të madhe trupore), diabeti gestacional (shfaqet gjatë shtatzënisë) dhe lloje të tjera specifike.

Cilët janë me tepër të rrezikuar nga sëmundja e diabetit?

Rritja e rrezikut të diabetit lidhet me moshën (sa më i moshuar të jetë pacienti aq më tepër është i rrezikuar), trashëgimia familjare, përkatësia etnike (arabët, afro-amerikanë, indiano-amerikanët,etj), dhe stilit të jetesës. Tek tre faktorët e parë nuk mund të veprojmë, por mund t’a kontrollojmë stilin e jetesës. Një faktor i mad hi rrezikut të shfaqjes së diabetit tip 2 është shtimi i peshës trupore/ të ushqyerit së tepërmi, mungesa e aktiviteteve fizike, stresi mendor kronik, pirja e duhanit dhe përdorimi i disa ilaçeve. Rritje të rrezikut të shfaqjes së diabetit tip 2 kanë dhe gratë të cilat kanë patur diabet gestacional, gratë të cilat kanë lindur një fryt mbi 4000 gr., dhe gratë të cilat kanë vezore policistike.

Si diagnostikohet?

Diabeti diagnostikohet me analiza të thjeshta biokimike. Përcaktohet niveli i sheqerit në gjak dhe niveli i hemoglobinës A1C.

A ekziston mundësia e parandalimit?

Kur flasim për diabetin, parandalimi luan një rol të rëndësishëm. Për fat të keq nuk ekziston parandalim për diabetin tip 1. Masa parandaluese zakonisht mund të merren për diabetin tip2. Para së gjithash duhet të bëhet kujdes me ushqimin dhe të ruhet një peshë ideale të trupit. Kjo do të thotë se duhet të konsumojmë më tepër fruta dhe perime, peshk, dhe më pak makarona, ushqime të shpejta dhe të yndyrshme. Aktiviteti fizik duhet të jetë një ritual i përditshëm. Psh: të ecurit shpejtë për 30 minuta çdo ditë, zvogëlon rrezikun e shfaqjes së diabetit tip 2 përreth 40%. Aktiviteti fizik i rregullt, përmirëson përdorimin e insulinës në trup, dhe ndikon në reduktimin e nivelit të sheqerit në gjak. Ushtrimet gjithashtu reduktojnë yndyrat, presionin e gjakut dhe mbrojnë ndaj shfaqjes së sëmundjeve të zemrës. Një nga arsyet e shfaqjes së diabetit është dhe stresi, prandaj është e domosdoshme që t’a kontrolloni dhe të mundoheni që të liroheni prej tij.Duhet t’a harroni pirjen e duhanit, dhe fjetja gjatë natës duhet të jetë 6-9 orë.

Shpërndaj