Pothuajse çdo njëri prej nesh ka dhimbje apo ngërçe në bark (abdomen). Shpesh, shkaku i dhimbjes së barkut mund të jetë një gjendje jo serioze, e cila mund të diagnostikohet dhe të trajtohet lehtë. Por dhimbja e barkut mund të jetë edhe shenjë e ndonjë sëmundje serioze, prandaj, është e rëndësishme që ti njihni simptomat dhe të konsultoheni me mjekun tuaj.
Shkaqet më të shpeshta të shfaqjes së dhimbjes së stomakut janë:
- Problemet me tretjen e ushqimit
- Kapsllëku
- Virusi në stomak
- Cikli menstrual
- Helmimi nga ushqimi
- Alergjia dhe intoleranca ndaj ushqimit
- Fryerja dhe gazrat
- Ulçëra
- Hernia (killa apo dhjami në formë kokrre)
- Inflamacion i apendesitit
- Gurët në veshka
- Endometrioza
- Sëmundja crohn
- Infeksionet urinare
Simtomat të cilat duhet t’ju shqetësojnë
Vizitoni mjekun nëse dhimbja e barkut është e shpeshtë apo e shoqëruar me ndonjë nga këto simptoma: të përziera, ethe, jashtëqitje e shoqëruar me gjak, vështirësi në frymëmarrje, të vjella me gjak, nëse gjatë prekjes së barkut ndjeni dhimbje, nëse disa ditë më parë keni pasur dëmtim të stomakut, nëse dhimbja zgjat për disa ditë me rradhë, nëse jeni shtatzënë dhe ndjeni dhimbje. Këto simptoma mund të jenë shenjë e ndonjë infeksioni, inflamacioni apo gjakderdhje në abdomen dhe në raste të tilla kërkohet trajtim i menjëhershëm. Të njejtat simptoma mund të jenë edhe shenja treguese të kancerit në zorrën e trashë, vezore apo stomak.
Si përcaktohet shkaku i dhimbjes?
Ekziston një numër i madh shkaqesh për shfaqjen e dhimbjeve të barkut, për këtë arsye është e nevojshme kryerja e kontrollit klinik dhe kryerja e disa shqyrtimeve të detajuara. Bashkëpunimi me mjekun tuaj si dhe përgjigja juaj ndaj pyetjeve të mëposhtme, është një ndihmë e madhe përsa i përket diagnostikimit:
- Çfarë dhimbje ndjeni dhe cili është intenziteti i tyre?
- Nëse dhimbja është e përgjithshme apo ju dhemb në një pjesë të caktuar të barkut?
- Sa kohë ka që ndjeni dhimbje në bark?ndjeni dhimbje të vazhdueshme apo herë pas here, vetëm në mëngjes apo në darkë?
- Ndjeni dhimbje para apo pas ngrënies?
- Nëse dhimbja përhapet në pjesën e pasme (shpinës), gjymtyrëve të poshtme?
- A pini ndonjë ilaç kundër dhimbjeve dhe a ndikojnë ato?
- A keni pasur dëmtim të stomakut?
- A ndjeni dhimbje gjatë prekjes së stomakut?
Përveç përgjigjeve ndaj këtyre pyetjeve, për diagnostikimin e gjendjes janë të nevojshme edhe disa shqyrtime të tjera siç është analiza e gjakut dhe urinës, eko në abdomen, nëse është e nevojshme edhe tomografi kompjuterike dhe rezonancë magnetike.
Si trajtohet?
Trajtimi i pacientëve me dhimbje barku bëhet në varësi të shkakut të dhimbjes. Zakonisht trajtohet me ilaçe për reduktimin e sekretimit të acidit në stomak, antibiotikë, si dhe pacientët marrin rekomandime për ndryshimin e disa zakoneve lidhur me ushqimin dhe kryerjen e ushtrimeve. Në disa raste të caktuara (inflamacion të apendesitit, hernie) është e nevojshme kryerja e intervenimit kirurgjik.