SHKAQET MË TË SHPESHTA PËR VIZITË NË QENDRËN EMERGJENTE GJATË VERËS
Gjatë verës, në qendrat e emergjencës vërehet një numër i shtuar i pacientëve, si rezultat i kombinimit të temperaturave të larta, aktivitetit fizik, udhëtimeve dhe infeksioneve sezonale.
Një faktor shtesë që kontribuon në rritjen e frekuencës së pacientëve gjatë kësaj periudhe është edhe kthimi sezonal i mërgimtarëve nga jashtë gjatë pushimeve verore. Kjo e rrit numrin e personave që qëndrojnë përkohësisht në rajon dhe, rrjedhimisht, edhe nevojën për shërbimet e emergjencës.
VALA E TË NXEHTIT DHE GJENDJET E LIDHURA ME TEMPERATURAT E LARTA
Dr. Martin Magdenoski, doktor i mjekësisë së përgjithshme dhe pjesë e ekipit mjekësor të Qendrës Emergjente për të Rritur në Spitalin klinik “Acibadem Sistina”, thotë se me ardhjen e verës dhe rritjen e temperaturave, qendrat emergjente shënojnë rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë emergjente mjekësore për gjendje të shkaktuara nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta. Më të rrezikuar janë personat e moshuar, fëmijët, pacientët me sëmundje kronike dhe personat që punojnë në ambiente të hapura.
“Pasqyra klinike tek këta persona përfshin simptoma si: etje të fortë, lëkurë dhe mukoza të thata, lodhje të theksuar, marramendje, dhimbje koke, të përziera dhe ndjenjë të dobësisë së përgjithshme. Dehidratimi është një nga diagnozat më të shpeshta gjatë muajve të verës. Për shkak të djersitjes së tepërt, organizmi humb sasi të mëdha uji dhe elektrolitesh, gjë që mund të kontribuojë në çrregullimin e funksionimit normal të disa sistemeve organike. Nëse nuk njihet dhe nuk trajtohet në kohë, dehidratimi mund të shkaktojë gjendje kolapsi, humbje të vetëdijes dhe komplikime serioze. Në situata të tilla, vlerësimi nga mjeku është shumë i rëndësishëm, me qëllim përjashtimin e komplikimeve serioze”, shpjegon Dr. Magdenoski.
Sipas mjekut, veçanërisht serioze është gjendja e goditjes nga nxehtësia, e cila manifestohet me temperaturë të lartë trupore, humbje të vetëdijes, konfuzion dhe komplikime potencialisht të rrezikshme për jetën. Bëhet fjalë për një urgjencë mjekësore, e cila kërkon trajtim të shpejtë dhe monitorim spitalor. Prandaj, mjekët rekomandojnë shmangien e qëndrimit të gjatë në ambiente të hapura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, konsumimin e lëngjeve në sasi të mjaftueshme, veshjen e rrobave me ngjyrë të çelur dhe të lehta, si dhe kujdes të veçantë për personat e moshuar dhe pacientët me sëmundje kronike. Parandalimi është mbrojtja më e mirë nga pasojat e temperaturave të larta, sepse me respektimin e rekomandimeve, shumica e gjendjeve që janë shkak për vizitë në qendrën emergjente mund të parandalohen.
PËRKEQËSIMI I GJENDJES TEK PERSONAT ME SËMUNDJE KRONIKE GJATË PERIUDHËS SË VERËS
Moti i nxehtë nuk paraqet rrezik vetëm për goditje nga nxehtësia dhe dehidratim, por mund të përkeqësojë edhe sëmundjet kronike. Në praktikën emergjente, shumica e ndërhyrjeve gjatë kësaj periudhe lidhen me dekompensimin e gjendjeve ekzistuese shëndetësore.
Sipas Dr. Magdenoski, më të rrezikuar janë pacientët me diabet, sëmundje kronike obstruktive pulmonare (SPOK), insuficiencë kardiake dhe sëmundje kronike të veshkave. Tek këta persona, edhe ndryshimet e vogla në kushtet e jashtme mund ta përkeqësojnë seriozisht gjendjen shëndetësore.
DIABETI
Temperaturat e larta mund të ndikojnë edhe në rregullimin e sheqerit në gjak. Dehidratimi, ndryshimet në ushqyerje dhe mungesa e aktivitetit fizik, apo sforcimi i shtuar gjatë motit të nxehtë, mund të shkaktojnë luhatje të nivelit të sheqerit në gjak. Gjithashtu, tek disa pacientë ndjenja e etjes është e ulur, gjë që rrit rrezikun nga dehidratimi dhe dekompensimi metabolik.
SPOK – FRYMËMARRJE E VËSHTIRËSUAR DHE TOLERANCË E ULUR NDAJ NXEHTËSISË
Pacientët me sëmundje pulmonare obstruktive kronike (SPOK) janë shumë të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta dhe lagështisë së shtuar të ajrit. Gjatë periudhës së verës, rrezik shtesë paraqesin edhe ajri i ndotur dhe pluhuri. Si pasojë, shpesh shfaqen: vështirësi në frymëmarrje, kollë e shtuar dhe ulje e qëndrueshmërisë fizike. Ndërkaq, rritja e aktivitetit social dhe udhëtimet e shtojnë rrezikun nga infeksionet respiratore, të cilat mund ta përkeqësojnë më tej sëmundjen bazë.
INSUFICIENCA KARDIAKE
Tek pacientët me insuficiencë kardiake, temperaturat e larta shkaktojnë zgjerim të enëve të gjakut dhe ngarkesë shtesë për zemrën. Në kombinim me dehidratimin dhe çrregullimin e ekuilibrit elektrolitik, kjo mund të çojë në përkeqësim të simptomave si: frymëmarrje e vështirësuar, lodhje, ënjtje të këmbëve dhe tolerancë e ulur ndaj sforcimit fizik.
SËMUNDJET E VESHKAVE
Personat me sëmundje kronike të veshkave janë shumë të ndjeshëm ndaj çrregullimeve të ekuilibrit elektrolitik. Djersitja e tepërt dhe marrja e pamjaftueshme e lëngjeve mund ta ngarkojnë funksionin e veshkave, gjë që shpesh rezulton me çrregullime elektrolitike, rritje të vlerave të kreatininës dhe përkeqësim të gjendjes së përgjithshme.
“Parandalimi është kyç për menaxhimin e suksesshëm të sëmundjeve kronike gjatë periudhës së verës. Pacientët duhet ta marrin rregullisht terapinë e përshkruar, të shmangin ekspozimin ndaj temperaturave më të larta të ditës dhe të konsumojnë lëngje në sasi të mjaftueshme. Veçanërisht e rëndësishme është ndjekja e gjendjes shëndetësore dhe konsultimi me mjekun familjar ose vizita në qendrën emergjente në rast të shfaqjes së simptomave të reja apo përkeqësimit të simptomave ekzistuese”, thekson Dr. Magdenoski.
Me kujdes të duhur, kontroll dhe masa parandaluese, pacientët me sëmundje kronike mund ta kalojnë periudhën e verës në mënyrë të sigurt dhe ta ulin rrezikun nga komplikimet serioze.

