Intervistë Dr. Daniel Petrovski urolog në spitalin klinik “Acibadem Sistina”
Në moshën e adoleshencës dhe në moshën e re, dominojnë problemet me fertilitetin (lindshmërinë), probem i cili kohet e fundit është rritur ndjeshëm, sëmundjet inflamatore të traktit urogjenital (uretriti, epididimiti …), përdredhja e testiseve që një nga kushtet më urgjente në kirurgjinë urologjike, si dhe problemet veçanërisht të rënda, siç është kanceri testikular i cili është në rritje të vazhdueshme, ndaj të cilit është kushtuar vëmendje e veçantë për shkak të grupit të personave të rinjë të cilët janë të prekur nga kjo sëmundje (duke filluar nga mosha 20-35 vjeçare) – shprehet Dr. Petrovski.
Gjithnjë dhe më tepër meshkujt paraqiten me vullnetin e tyre në urologji për shkak të sëmundjeve të caktuara të lidhura me sistemin urogjenital, shprehet Dr. Daniel Petrovski, kirurg urolog në spitalin klinik “Acibadem Sistina”. Me të biseduam për sëmundjet më të shpeshta që lidhen me shëndetin e meshkujve, me rastin e “Movember” muaji i shëndetit të meshkujve.
A është e vërtetë se meshkujt mbi moshën 45 vjeçare mendojnë më tepër për modelin e flokëve sesa të kryejnë kontroll tek urologu?
PETROVSKI: Gjatë viteve të fundit ka filluar të flitet për shëndetin e meshkujve, gjë e cila ka ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit tek ta. Nga përvoja ime e përditshme, mund të them se tashmë meshkujt gjithnjë dhe më tepër paraqiten vullnetarisht në kryerjen e kontrollit urologjik, në lidhje me sëmundje të caktuara të sistemit urogjenital.
Duke filluar nga cila moshë meshkujt duhet të shkojnë më shpesh në kontroll? Cilat sëmundje lidhur me shëndetin e meshkujve janë më të shpeshta në Maqedoni?
PETROVSKI: Problemet me traktin urogjenital mund të shfaqen në çdo moshë, prandaj, menjëherë pasi të kenë vënë re diçka, duhet menjëherë të paraqiten për kryerjen e kontrollit urologjik. Sëmundjet më të shpeshta për të cilat meshkujt kërkojnë të kryejnë kontroll urologjik, varen nga mosha e pacientëve për të cilët bëhet fjalë. Nëse flasim për fëmijët, sigurisht që kemi të bëjmë me sëmundje kongjenitale të sistemit urogjenital, siç është mos zbritja e testiseve, fimoza – ngushtimi i hapjes së lëkurës së penisit, ngushtimi i kanalit të kalimit të urinës (uretrës) që lidh veshkat me fshikëzën e urinës, refluksi vezikoureteral (kthimi i urinës nga fshikëza përsëri në uretër), hipospadia – zhvendosja e kanalit të uretrës, si dhe sëmundje të tjera.
Në moshën e adoleshencës dhe në moshën e re, dominojnë problemet me fertilitetin (lindshmërinë), probem i cili kohet e fundit është rritur ndjeshëm, sëmundjet inflamatore të traktit urogjenital (uretriti, epididimiti …), përdredhja e testiseve një nga kushtet më urgjente në kirurgjinë urologjike, si dhe problemet veçanërisht të rënda, siç është kanceri testikular i cili është në rritje të vazhdueshme, ndaj të cilit është kushtuar vëmendje e veçantë për shkak të grupit të personave të rinjë të cilët janë të prekur nga kjo sëmundje (duke filluar nga mosha 20-35 vjeçare) është e nevojshme metoda multidisiplinare për trajtimin e këtij problemi (kirurgjia, kimioterapia, radioterapia), si dhe nevoja për kryerjen e vetëkontrolleve për shkak të zbulimit të hershëm të diagnozës.
Nga mosha 40 vjeçare fillojnë edhe problemet me prostatën, zakonisht hiperplazia e prostatës beninje, dhe gjithnjë dhe më shpesh kanceri i prostatës. Skanimi për zbulimin e hershëm të këtyre sëmundjeve, nis që nga mosha 40 vjeçare. Nuk duhet ti harrojmë edhe problemet me potencën, kancerin e veshkave, etj.
A kujdesen meshkujt në Maqedoni për shëndetin mashkullor?
PETROVSKI: Në përgjithësi, mund të themi se ka progres, meshkujt gjithnjë dhe më tepër bëhen më të ndërgjegjshëm për shëndetin e tyre. Megjithatë, mendoj se duhet të punohet shumë më tepër në lidhje me rritjen e ndërgjegjësimit, dhe kontrollet urologjike duhet të kryhen ashtu sikurse gratë kryejnë kontrolle gjinekologjike. Çdo sëmundje që zbulohet në kohë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për kancer apo për probleme të infertilitetit, mund të reagohet dhe të shërohet në një nivel të lartë. Prandaj, rekomandimi im është që meshkujt të paktën një herë në vit të kryejnë kontrolle urologjike, pavarësisht nga mosha, pasi nëse tek më të moshuarit aktuale është problemi me prostatën, duke përfshirë këtu edhe kancerin, tek moshat më të reja problem aktual është sëmundja e testiseve, ku përfshihet edhe kanceri i testiseve që tashmë është karakteristike për moshat më të reja.
Sa i shpeshtë është kanceri i prostatës këtu tek ne?
PETROVSKI: Më shumë se gjysma e meshkujve mbi moshën 60 vjeçare, përballen me probleme të prostatës. Me kalimin e viteve, meshkujt gjithnjë dhe më tepër janë të prirur ndaj kësaj sëmundje. Prostata rritet vazhdimisht gjatë gjithë jetës së mashkullit. Zakonisht, prostata nuk shfaq asnjë simptomë deri në moshën 40 vjeçare. Tek 90% e meshkujve, pas moshës 40 vjeçare shfaqen disa simptoma të caktuara të rritjes së prostatës. Shkaqet nuk janë ende të njohura. Supozohet se hormonet si testasteroni, dihidratestasteroni (DHT) dhe estrogjeni mund të jenë shkak për rritjen e prostatës. Simptomat e rritjes apo zgjerimit të prostatës janë shumë të ngjashme me simptomat e kancerit të prostatës. Kanceri i prostatës është më i shpeshtë tek vendet e industrializuara të Europsë veriore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që është më i rrallë tek vendet aziatike. Në botë, një nga tetë meshkuj është i rrezikuar nga kanceri i prostatës.
Shpesh flitet për infertilitetin femëror, ndërkohë që fshihet informacioni i infetilitetit tek mashkulli. A ka të dhëna në lidhje me infertilitetin e mashkullit këtu tek ne? Sa i shpeshtë është ai?
PETROVSKI: Infertiliteti tek meshkujt dhe tek femrat është në një përqindje të barabartë. Nuk është e vërtetë se femra është shkaku i problemit nëse çifti nuk mund të ketë fëmijë. Në të njejtën përqindje edhe mashkulli mund të jetë shkak për këtë problem. Steriliteti mashkullor mund të jetë si shkak i anomalive urologjike të lindura apo të krijuara më vonë, të infeksioneve të traktit gjenital, të rritjes së teperaturës skrotale (varicocela), çrregullimeve endokrine, çrregullimeve gjenetike dhe faktorit imunologjik. Shumë shpesh, në 60-75% të rasteve të infertilitetit mashkullor, shkaku nuk është i njohur. Zakonisht, meshkujt të cilët shqyrtohen përsa i përket infertilitetit, nuk kanë histori të mëparshme që lidhet me këtë problem, dhe zakonisht gjatë kontrollit fizik gjithçka duket mëse normale, si dhe testet laboratorike endokrine tregojnë rezultate normale. Analiza e spermës zbulon reduktimin e numrit të spermatozoideve, reduktim të lëvizshmërisë dhe rritje të formave abnormale të spermatozoideve. Këto tre çrregullime të spermës zakonisht shfaqen në të njejtën kohë.
Kjo nënkupton faktin se çdo mashkull me cilësi të reduktuar të spermës, duhet patjetër të shqyrtohet nga mjeku urolog. Saktësimi i shkakut të infertilitetit (shterpësisë) tek cilido
nga partnerët, është një faktor i rëndësishëm për trajtimin e suksesshëm të këtij probemi, pavarësisht nëse kjo arrihet me anë të ilaçeve, në formë kirurgjike apo me anë të teknikave të riprodhimit të asistuar. Tek meshkujt duhet të fillohet me shqyrtimin e infertilitetit nëse analiza e spermës është jonormale tek të paktën dy rezultate të njëpasnjëshme.
A duhet që personat më të moshuar të kryejnë më shpesh kontrolle?
PETROVSKI: Tek personat më të moshuar, është e mjaftueshme që një herë në vit të kryejnë kontroll në lidhje me prostastën, kontroll i cili përfshin ekzaminimin dixhital rektal të prostatës, tumormarker PSA dhe eko të traktit urogjenital.